KOSOVË-Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki- moon ka përshëndetur vazhdimin e dialogut midis Prishtinës e Beogradit dhe Marrëveshjen e arritur mbi gjyqësinë dhe ka theksuar se një nga çështjet vendimtare të mbetura është formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe, thuhet Raportin e rregullt tremujor të tij për Kosovën, që do të shqyrtohet më 26 maj.
Sipas raportit, të publikuar në sajtin e Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon thekson se Marrëveshja për integrimin e gjyqësisë në pjesën veriore të Kosovës, e arritur më 9 shkurt të këtij viti, tregon se të dy palët janë të përkushtuara për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe për vazhdimin e dialogut.

Po ashtu theksohet se Prishtina e Beogradi do të duhej të ndërmerrnin të gjithë hapat e domosdoshëm me qëllim të zbatimit me konsekuencë të të gjitha marrëveshjeve të arritura, transmeton Koha.net.

Ai thekson se me rëndësi vendimtare është që Prishtina e Beogradi të arrijnë përparim në zbatimin e atyre dispozitave të Marrëveshjes së Brukselit të cilat ende nuk janë zgjidhur.

Nga ky aspekt është me rëndësi kryesore formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe (BKS), ka vlerësuar Ban dhe u ka bërë thirrje liderëve politikë në Beograd dhe Prishtinë që sa më shpejtë t’i hynë zgjidhjes së këtij problemi duke konsultuar serbët e Kosovës dhe liderët e tyre politikë, në interesin e të cilëve do të ndikojë drejtpërdrejtë krimi i BKS-së.

Pasi konstaton se autoritetet e Kosovës kanë ndërmarrë hapa me qëllim të formimit të Gjykatës Speciale, që do të procedojë veprat që dalin nga gjetjet e Njësisë Hetimore Speciale e BE-së, Ban ka rikujtuar se hapat e tjerë janë edhe më të rëndësishëm.

“Me rëndësi thelbësore është që hapat e ardhshëm në proces, që janë vendimtarë për të ardhmen e Kosovës, të jenë më të shpejtë dhe unë ftoj liderët politikë në Kosovë që të dyfishojnë përpjekjet e tyre për këtë qëllim”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i KB.

Ai ka përshëndetur “vendosmërinë e qartë që e ka treguar Qeveria e Kosovës në drejtim të reformave të domosdoshme ekonomike, respektimin e sundimit të ligjit dhe angazhimeve me qëllim të promovimit të besimit ndërmjet komuniteteve në Kosovë “, pavarësisht nga sfidat e shumta me të cilat u përball gjatë njëqind ditëve të para.

Situata e sigurisë në Kosovë ka mbetur e qëndrueshme, thuhet në raport, ndonëse ka shembuj të dhunës siç ishin protestat në Prishtinë dhe disa incidente të dhunshme në pjesën veriore të Mitrovicës.

Ndonëse konstaton rënie të incidenteve potencialisht të motivuara etnikisht, Ban tërheq vërejtjen për numrin madh të sulmeve në pronat e boshatisura pronarë të të cilave janë pjesëtarët e grupeve minoritare.

Ai thekson se pengesë kryesore për kthimin e të zhvendosurve edhe më tutje mbeten të drejtat e pazgjidhura pronësore.

Ban ka theksuar se duhet të vazhdojë përpjekjet me qëllim të forcimit të stabilitetit në pjesën veriore të Kosovës dhe se në këtë drejtim liderët lokalë në veri të Kosovës dhe autoritetet e Kosovës duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive për zgjidhjen e kontesteve rreth buxheteve komunale dhe të sigurojnë vazhdimësinë e shërbimeve themelore.

Sekretari i përgjithshëm ka përshëndetur po ashtu përpjekjet e përbashkëta të policive të disa vendeve evropiane në bashkëpunim me Prishtinën e Beogradin për pengimin e trendit shqetësues të migrimit ilegal nga Kosova, transmeton Koha.net. Po njëherësh ka tërhequr vërejtjen për nevojën e “ndërmarrjes së përpjekjeve të mëtejshme në favor të përmirësimit të kushteve socio-ekonomike në Kosovë si dhe për zgjidhjen e shkaqeve të tjera të migrimit kohë më parë të popullsisë”.

Raporti përfshin periudhën nga 16 janari deri më 15 prill të vitit 2015 dhe ai do të shqyrtohet në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit më 26 maj.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb