NGA ERJON SKËNDAJ
Familjet e përmbytura në zonën e Bregut të Lumit kanë hyrë në ditën e 6-të të grevës së urisë. 22 persona të rritur bashkë me fëmijët e tyre të vegjël kanë më shumë se tre javë që jetojnë në të ftohtin e palestrës së shkollës “Gramoz Palushi” në Babrru.
Të ngujuarit thanë për Neës 24 se do të përshkallëzojnë nga nesër grevën e urisë deri në akte vetëflijimi nëse qeveria nuk merr masa urgjente për t’i strehuar në banesa.
Nga jashtë palestra ruhet 24 orë nga dy punonjës policie ndërsa zinxhiri i trashë me dry në portën hyrëse nuk hapet veçse kur vijnë gazetarët ose ekspert nga avokati i popullit.
Netëve temperatura në palestër bie nën zero dhe veç dy batanijeve për person asgjë tjetër nuk i ngroh të ngujuarit në grevë urie e bashkë me ta edhe 10 fëmijë të mitur. Prej të ftohtit të ditëve të fundit 4 persona kanë përfunduar në urgjencën e QSUT.
Përgjigja e vetme, por jo ajo që prisnin grevistët është një letër e ardhur nga kryeministria e cila ia delegon përgjegjësinë për strehimin e familjeve të përmbytura, ministrive të linjës dhe bashkisë Kamëz.
Banorët paralajmërojnë përshkallëzim të grevës së tyre deri në akte vetëflijuese duke i lënë afat qeverisë mesditën e ditës së premte.
(m.k/BalkanWeb)