GRAMSH- Kryeministri Edi Rama është ndalur paraditen e sotme në Gramsh ku ka zhvilluar një bashkëbisedim me fermerët e fshatit Mashan. Duke folur për investimet e bëra në kanalet e kullimit dhe vaditjes, kreu i Qeverisë ka ftuar banorët e zonës që të aplikojnë për fondet në bujqësi, në mënyrë që të rrisin prodhimet e tyre.

Fermerët kanë ngritur shqetësimet e tyre lidhur me mungesën e rrugës dhe të ujit të pijshëm, por kryeministri Rama u është përgjigjur me batuta ankesave të tyre.

“Më thoni të vij sa herë të doni, se vij prapë, por rrugë e investime mos më thoni tani, se nuk kemi ku t’i gjejmë lekët t’i bëjmë direkt. Do t’i bëjmë me radhë”, tha Rama.

Ndërkaq, kreu i Qeverisë u ndal edhe tek nevoja për specialistë të fushës në bujqësi, duke theksuar se arsimimi profesional synon të krijojë një brez të ri me persona të aftë për të ndihmuar në zhvillimin e sektorit.

Për të orientuar fermerët drejt kulturave që mund të prodhohen sipas zonave të caktuara, Rama tha se Ministria e Bujqësisë ka bërë një hartë të analizimit të prodhimit.

Fermeri: Problemet në bujqësi janë shumë të mëdha, duke sjellë prapambetje të theksuara po ta krahasojmë me kohën e diktaturës. Në atë kohë prodhimi në fshatin tonë ka qenë më i madh me thënë të vërtetën. Problem i madh është fakti se të rinjtë nuk po vënë më në shkollë për agronom. Ne si zonë duhet të kemi një orientim për kulturat që do mbjellim, pasi zona jonë nuk është si Lushnja apo Korça. Vreshtaria duhet vlerësuar nga ana jonë, por nëse do të gjendet pika e grumbullimit.

Rama: Kemi bërë një hartë të analizimit të prodhimit, duke dhënë orientime për kulturat dhe për qasjen që duhet të ketë çdo zonë lidhur me çfarë duhet të prodhojë, dhe çfarë mbështesim ne. Të gjithë janë të lirë në fakt. Nëse dikush mbjell grurë aty ku harta thotë se duhet të mbjellë vreshta, është i lirë ta bëjë. Harta e realizimit të prodhimit është llogaritur nga Ministria e Bujqësisë prej 2 vitesh. Në vendin tonë problem është mungesa e zanatçinjve. U prish e gjithë struktura e njerëzve specialiste në fshat. Nuk mbeti një shkollë profesionale bujqësore. Nuk ka teknikë të mesëm. Ne po punojmë intensivisht për arsimin profesional. E keni afër hidrocentralin që po ndërtohet, dhe shkoni pyesni nuk ka asnjë teknik të mesëm profesional shqiptar, janë të gjithë të huaj. Dhe ata që janë specialistë të lartë janë të kohës që përmende. Për këtë arsye ne kemi plan të qartë të zhvillimit të shkollave profesionale, që këtë vit kanë njohur një hov të jashtëzakonshëm të kërkesave nga të rinjtë. Se i mësoi Saliu, shkoni në universitet se merrni kollaj diplomën për t’u bërë juristë. I përvëloi njësoj si me piramidat e Sudes, dhjetëra mijëra prindër çdo vit duke ia marrë kursimet e jetës së tyre, dhe duke i vrarë ëndrrën se po i bëjnë fëmijët me shkollë të lartë. Këtë e kemi lënë pas me drejtimin që po i japim arsimit.

Sa i takon shqetësimit tjetër që ngritët, nëse ka nevojë për një pikë grumbullimi, Bashkia së bashku me një grup fermerësh duhet të bëjnë projektin dhe t’i drejtohen strukturave që financojnë për të ngritur një pikë grumbullimi. Nuk duhet pritur që kjo pikë të vijë nga qielli. Nuk mund të bëjmë kooperativa me dhunë, pro interesi i përbashkët do ‘i çojë njerëzit drejt shkurtimit të shpenzimeve.

Fermeri
: Fshati jonë ka 20 shtëpi, kemi një rrugë që nuk kalohet. Na kanë premtuar por asjgë. Me ardhjen tuaj duam diçka. Besoj se e meritojmë…

Rama: Po më gjetët një fshat që nuk e meriton na trego, që të paktën të heqim një nga lista. Edhe ju e meritoni patjetër. Miku im unë e di që secili qan hallin e shtëpisë së tij, por po të tërhiqemi pak e ta shikojmë më gjerë këtë punë, nuk duhet harruar që ne gjetëm një shtëpi të rrënuar. Shtëpia jonë, Shqipëria, nuk është e pasur, e gjetëm rrëmujë e të zhytur në borxhe. Po mos kishim patur borxh ato 720 mln dollarë sot do të ishte bërë edhe rruga e fshatit tuaj. Ne zgjodhëm të bënim atë që duhet ët bënim, të shlyenim borxhet. E kam të qartë unë sesa e vështirë është jeta në këtë fshat, apo çdo fshat tjetër të varfër të Shqipërisë.

Fermeri: Këta që na sollën në këtë situatë, përse nuk janë para drejtësisë po rrinë akoma si ferra nëpër këmbë…

Rama: Me ça hiqen ferrat?

Fermeri
: Me kosë.

Rama: E pra, kosa është sistemi i drejtësisë. Duhet të reformohet sistemi që të funksionojnë këto gjëra. Tani që do të fillojë sistemi i ri i drejtësisë, do të reformohet çdo gjë. Dhe me kosën e drejtësisë do të bëjmë këtë punën tjetër.

Rama: Sa fëmijë ke? (3) I ke bërë përnjëherë apo me radhë? Kështu bëhen edhe këto punë. Tani djalin e madh e bëmë, vitin tjetër bëjmë vajzën. Bëmë një investim, e tani vijojmë me radhë. Sot jemi në kushtet kur flasim për kanale, për ujin që duhet të shkojë në parcelë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: