TIRANE- Pas përfundimit të Asamblesë së Partisë Socialiste, deputeti Besnik Bare ka shprehur qëndrimin e tij për protestën e dhjetëra qytetarëve ditën e sotme, para godinës së Kryeministrisë, kundër ligjit të mbetjeve. Në një deklaratë për mediat, Bare tha se qytetarët nuk janë informuar si duhet lidhur me ligjin e miratuar së fundmi në Parlament.

Teksa ka theksuar se më herët ka qenë kundër importit të plehrave, Bare ka shpjeguar pse tashmë ka votuar pro ligjit të mbetjeve.

Sakaq, deputeti socialiste shprehet i gatshëm për bisedime me përfaqësues të Shoqërisë, dhe nëse ata kanë shqetësime konkrete, ai tha se mund të bëhen amendime.

“Duke parë ndjeshmërinë e opinionit publik, mund të themi se një pjesë e njerëzve nuk e njohin problemin, dhe një pjesë janë të gënjyer nga deklarimet e ndryshme. Unë kam qenë kundër importit të plehrave në Shqipëri, pasi parashikohej djegia me inceneratorë. Unë si deputet isha kundër ardhjes së armëve në Shqipëri. Por sot është bërë një keqshpjegim. Ky është një ligj në mënyrë thelbësore nga ligji i mëparshëm. Ligjin e 2011 unë nuk do e votoja. Por ligji që ne riformuluam falë edhe kontributit të një pjese të shoqërisë civile dhe ekspertëve të ndryshëm, është ligji më radikal, më fanatik sesa importimi i ushqimeve, i ilaçeve. Pasi e kufizon në një numër shumë të kufizuar lëndësh. Është kjo arsyeja që unë i bëj thirrje njerëzve që ne duhet të ulemi, dhe nëse ata kanë ndonjë që për ta reflektuar, hajde ta amendojmë”, tha deputeti Bare.

Lidhur me protestën e qytetarëve, Bare tha se “nuk ka asgjë të përbashkët me fanatizmin, por jam i bindur se përfaqësuesit e Shoqërisë Civile kërkojnë të ulen të bisedojnë, nëse ata kanë rezerva për ligjin”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb