TIRANË- Lideri i opozitës, Lulzim Basha ka mbajtur sërish sot një fjalim para protestuesve në çadër. Ai e ka lidhur protestën e sotme të opozitës me atë të studentëve 26 vite më parë me rrëzimin e shtatores së diktatorit Enver Hoxha në 20 shkurt 1991. Kreu i PD-së tha se sot bijtë e etërve duan të zëvendësojnë demokracinë e vërtetë me demokracinë fasadë.

“Ndodhem në mesin tuaj sot, në këtë ditë historie ku përjetojmë një nga aktet më të mëdha, rrëzimin e shtatores së diktatorit, vrasjen e frikës dhe hapjen e një rrugë perëndimore të Shqipërisë. Dy muaj me radhë, studentët e dhjetorit dhe intelektualët ja dolën. Jemi këtu sepse njësoj si para 26 vitesh, bijtë e etërve duan të zëvendësojnë demokracinë e vërtetë me deomkracinë fasadë. Demokracia fasadë është vendi, realiteti ku nuk dëgjohen qytetarët. Demokracia fasadë është kjo ku para kësaj fasade ndodhet një pakicë absolute që shtyp shumicën, e vjedh dhe ka guximin t’i thotë heshtni. Ku nuk ka demokraci nuk ka përparim. Ku ka demokraci fasadë, ka ekonomi fasadë, ku shqiptarë ngarkohen me taksa të larta sepse një grup njerëzish kontrollojnë gjithçka. Demokracia fasadë është e keqja e të këqijave, sepse pas saj gëlojnë kriminelët”, tha Basha.

Më tej Basha u shpreh se “qytetarët po bashkohen dhe nuk kanë më frikë të marrin në dorë fatin tonë. PD ka marrë një vendim dje në përputhje me zërin tuaj. PD dhe grupi i saj do të zhvillojnë deri në arritjen e objektivave tona për qeveri teknike, aktivitetin parlamentar në sheshin e Lirisë këtu me ju dhe qytetarët shqiptarë. Ta harrojnë se mund të përdorin të njëjtat truke si paraardhësit e tyre. Sot kanë ofruar përmes mediave të kontrolluara nga kryeministri kokën e Sajmir Tahirit. Ajo është një kokë peshqesh i bandave dhe krimit të organizuar. Ne nuk jemi këtu të pranojmë koka turku dhe pastaj të ulim kokat tona dhe të pranojmë zgjedhje të vjedhura. Mbaje Sajmir Tahirin për vete, zgjidhja është largimi i qeverisë tënde. Nëse ta mban dil të ndeshemi dhe të shohim kush fiton. Populli do vendosë me votë të lirë për një të ardhme të re, ku gjyqtarët dhe prokurorët nuk tremben për drejtësinë. Kjo orë po vjen. Koha për të vendosur ka ardhur dhe ne të gjithë do vendosim për të ardhmen e vendit. Me ndihmën e zotit ne do fitojmë”, – deklaroi Basha.

(d.d/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb