TIRANE- Kambanë alarmi për ekonominë shqiptare e cilësoi kryedemokrati Lulzim Basha, raportin e një dite të parë të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Sipas tij, FMN-ja ngriti shqetësimin e borxhit publik, që sipas Bashës shkon deri në 82% të PBB, pra në nivele alarmante, siç tha ai.

“Shqetësimet e ngritura nga Partia Demokratike dhe nga opozita këto 4 vite janë të konfirmuara në këtë raportim. Efektet e shkatërrimit ekonomik që Edi Rama i ka sjellë vendit tani janë të dukshme, të raportuara dhe nuk mund të mbulohen më. Misioni i FMN-së ka bërë paralajmërime kritike dhe serioze për të ardhmen e vendit. FMN ka lëshuar një mesazh të qartë se gjendja ekonomike e Shqipërisë do të keqësohet edhe më keq në të ardhmen. Mbarimi i TAP-it dhe Devollit, investime të siguruara nga qeverisja demokrate do ta thajnë ekonominë nga financimet e huaja që janë të domosdoshme për të krijuar punësim, mirëqenie dhe për të rritur ekonominë dhe kjo qeveri nuk ka siguruar fare investime të huaja të reja për ekonominë. FMN-ja e thotë qartë, mbarimi i këtyre dy investimeve do të sjellë rënien ekonomike. FMN-ja i bie alarmit se borxhi ka arritur një rekord të papërballueshëm, gati 72 % e prodhimit të vendit. Madje në këtë borxh nuk përfshihet borxhi i fshehur përmes PPP-ve, i cili e rrit nivelin edhe me 10 pikë të tjera, duke çuar borxhin real në 82% të prodhimit të vendit. Ky nivel i lartë i borxhit është i rrezikshëm për ekonominë shqiptare dhe mund ta çojë vendin drejt krizës financiare.

Një pikë tjetër e fortë, për të cilën fondi i tërhoi vëmendjen qeverisë ishin edhe PPP-të, të cilat shtoi ai nuk janë gjë tjetër veçse forma të pastrimit të parave.

“FMN-ja rithekson edhe njëherë rrezikun e madh të PPP-ve. Një kërcënim i jashtëzakonshëm për të cilin opozita, Partia Demokratike i ka rënë e para alarmit kombëtar. FMN-ja bën thirrje për ndalimin e menjëhershëm të PPP-ve me kërkesa nga privatë. FMN-ja kërkon të ndryshojë rrënjësisht vendimarrja për PPP-të dhe të bëhen analiza të vërteta përpara se të merren vendime mbi to. Në fakt, PPP-të kanë vetëm një qëllim; vjedhjen e parave të shqiptarëve për klientët e Edi Ramës. Vitin e fundit PPP-të po kthehen në mjetin kryesor të qeverisë për pastrimin e parave të pista të krijuara nga droga dhe krimi i organizuar. I gjithë projekti 1 miliardë është një projekt mashtrues ku kombinohet vjedhja e parave publike dhe qarkullimi i parave të pista në shërbim të Edi Ramës dhe një grushti klientësh rreth tij. Natyrisht, Edi Rama nuk mund ta dëgjojë FMN-në sepse kjo, PPP-ja është mënyra për të mbushur xhepat e vetë dhe të miqve të tij duke vjedhur shqiptarët dhe e dyta është mënyra e pastrimit të parave të krimit dhe drogës. Për të gjithë shqiptarët e tjerë që e dëgjuan qartë, thjeshtë dhe mirë mesazhin e FMN-së, është koha për vetëdijësim, është koha për të ndërmarrë të gjitha veprimet, për të ndalur këtë politikë shkatërruese për ekonominë dhe për vendin”,- tha Basha.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: