TIRANE– Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët ka njoftuar se duke filluar nga dita e nesërme, ai dhe përfaqësuesit e forcës politike që ai drejton, do të nisin një tur takimesh për pasojat që do të sjellë vendosja e TVSH-së mbi biznesin e vogël.

Basha tha se nga nesët do të fillojnë takimet me përfaqësues të biznesit të vogël për të dëgjuar shqetësimet e tyre.

“Që nesër unë dhe PD do të nisim tur takimesh për vendosjen e TVSH mbi biznesin e vogël. Do rriten çmimet për konsumimin e qytetarëve, do futet në krizë biznesin e vogël dhe efekti i tretë do të jetë fatura e tatimeve, 150 mijë lekë kosto shtesë për çdo biznes për kontabilitetin”, tha Basha.

Në fjalën e tij, Basha tha se implementimi i TVSH-së nuk sjell rritje të të ardhurave në buxhetin e shtetit, por nga ana tjetër, sipas tij do vështirësojë jetesën e qytetarëve shqiptarë, të cilët nuk mund të përballojnë rritjen e çmimeve

Kryedemokrati theksoi se PD e konsideron një çmenduri rritjen e çmimeve anembanë vendit, në kushtet e gjendjes ekonomike të vështirë të qytetarëve. Sipas tij, “e sigurtë është që prej janarit çmimet e konsumit do të rriten. Kjo ndodh kur 30% e shqiptarëve nuk paguan dot shportën e ushqimeve bazë”.

Kujtojmë se opozita ka kundërshtuar zyrtarisht futjen e TVSH-së për biznesin e vogël.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: