TIRANE – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha paralajmëron zhvillimin e një proteste mbarëpopullore, kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike dhe asaj që e cilësoi si situatë emergjence të rendit dhe sigurisë në vend. Pa përmendur një datë konkrete për zhvillimin e protestës së radhës, kryetari i opozitës tha se kjo “qeveri nuk e lufton dot krimin dhe zgjidhja përfundimtare është vetëm largimi i saj”. “Tani është radha e qytetarëve dhe bashkë me ta dhe radha jonë që tu përgjigjemi. Në protestën e ardhshme mbarëpopullore do të jemi dyfish e trefish më shumë në krahasim me protestën e 22 nëntorit.”- theksoi Basha.

“Emergjenca kombëtare ka të bëjë me qeverinë e dështuar, situatën e shthurur dhe jashtë kontrollit të krimit. Shpërthime me tritol në mes të Tiranës akoma pa autor, rrëmbim i personit në Fushë Krujë pa autor gjithashtu, grabitje me armë në mes të Tiranës, grabitje në Vlorë, tonelata droge që qarkullojnë drejt Europës, grabitje biznesesh dhunë dhe vjedhje. Krimi i shumëzon me zero sukseset imagjinare të qeverisë. Dhomat e paraburgimit dhe burgjet janë mbipopulluar nga njerëz të thjeshtë por bandat e krimit bëjnë ligjin, pushojnë kur të duan sulmojnë kur të duan. Nuk duan t’ja dinë fare a ka shtet, a ka polici, a ka qeveri? Në mbarë vendin ka pllakosur një epidemi vjedhjesh. Sot kërkesave të qytetarëve për të drejta ekonomike u ka paraprirë kërkesa emergjente për rend dhe siguri. Bashkë me shqiptarët që jetojnë në ankthin e pasigurisë dhe pronës, bashkë me shoqërinë civile kërkojmë largimin nga qeveria dhe qeverisja e vendit të zyrtarëve të lartë të lidhur me krimin dhe bandat që plaçkisin vendin. Por kjo qeveri nuk e lufton dot krimin, zgjidhja përfundimtare është largimi i saj”- deklaroi Basha gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Sipas kryetarit të opozitës, kjo qeveri mburret se ka kapur dajakun kundër njerëzve me halle, ndërsa i ka dhënë dorën krimit.
“Edi Rama i ka gënjyer dhe përqeshur qytetarët, duke rritur çmimin, ndërsa kishte premtuar uljen. Ka detyruar mijëra familje të paguajnë fatura abuzive dhe me kamatë. I ka poshtëruar dhe u ka treguar burgun. Vetëm kjo qeveri mburret se ka kapur dajakun kundër njerëzve me halle dhe puthet me krimin. Tani është radha e qytetarëve dhe bashkë me ta dhe radha jonë që tu përgjigjemi. Në protestën e ardhshme mbarëpopullore do të jemi dyfish e trefish më shumë në krahasim me protestën e 22 nëntorit.”- theksoi Basha.
Kryeopozitari Basha deklaroi se qeveria Rama nuk ka mbajtur premtimet e bëra në fushatë, ndërsa shton se do jenë qytetarët ata që do vendosin me votë për të.
“U përbetua se nuk i shembte shtëpitë, edhe sikur Enver Hoxha të ngrihej nga varri, por të gjithë e panë si u ngrit vetë në vend të Enver Hoxhës dhe si i rrafshoi shtëpitë kursimet e gjithë jetës së shqiptarëve. Premtoi 300 vende pune, premtoi përmirësim dhe solli përkeqësim në çdo sektor. Çdo gjë është në vyshkje, lulëzon propaganda dhe demagogjia. Me propagandë dhe demagogji po qeverisin dhe mendojnë se do mashtrojnë sërish shqiptarët. Por ora e së vërtetës po afron do jetë ora e qytetarëve që do zgjedhin me votë”, – tha Basha.
Kreu i PD-së shtoi se opozita pret që populli opozitar, por jo vetëm ti përgjigjet me refuzim mashtrimeve.
“Ne si opozitë e presim me besim të madh orën e votës. Besojmë se do jetë refuzim dhe mësim për tu mbajtur mend nga Rama dhe Meta, për tu mbajtur mend nga mashtruesit. Refuzimi jo vetëm nga opozitarët por edhe zgjedhësit e majtë që pyesin për këtë qeveri votuam? Për ne nisja e re nënkupton të jetuarit përditë me realitetin e njerëzve shpresat dhe hallet e tyre, ky është projekti dhe sfida e dorës së parë që mund dhe duhet ta fitojmë me qytetarët dhe për qytetarët”.
(er.nu/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: