TIRANË- Kreu i PD-së Lulzim Basha ka kujtuar sot ditën e hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave 7 vite më parë, më 15 dhjetor 2010.

Basha thotë se sot është dita për të dalluar politikën që jep rezultate dhe politikën që mbulohet me propagandë. Kujtojmë se në vitin 2010 në kohën e liberalizimit të vizave, Basha ishte Ministër i Jashtëm i Shqipërisë. Kreu i PD-së deklaron se sot Shqipëria rrezikon izolimin për shkak të fuqizimit të krimit dhe eksodit masiv.

DEKLARATA E BASHËS
Sot është një ditë e përshtatshme për të dalluar politikën që jep rezultate dhe u shërben qytetarëve, me politikën që mbulohet me propagandë suksesesh, por në të vërtetë dëmton njerëzit.

7 vjet më parë, nën drejtimin e Partisë Demokratike, shqiptarët fituan të drejtën për të lëvizur lirisht në Europë. Heqja e vizave ishte akti me domethënës dhe ndoshta hapi më i madh i marrë deri tani i hapjes së vendit tonë, i përfitimit nga integrimi, i realizimit të aspiratës për të qenë pjesë e Europës. Heqja e vizave ishte fryt i një pune të jashtëzakonshme në vendosjen e ligjit, luftën kundër krimit, sigurimin e kufijve, pasaportat biometrike dhe i plotësimit të mbi 120 kritereve të tjera forta teknike dhe politike.

7 vjet më pas, nën drejtimin e Edi Ramës, Shqipëria ka bërë hapa mbrapa. Vendet anëtare e kanë vendosur Shqipërinë nën monitorim dhe vendi rrezikon izolimin për shkak të fuqizimit të krimit të organizuar me bazë në Shqipëri, për shkak të eksodit masiv nga keqqeverisja e Edi Ramës.

Me Edi Ramën Shqipëria u bë sera më e madhe e drogës në Europë, sepse Shqipëria nuk ofron më siguri, por mbrojtje dhe pasurim për krimin e organizuar që trafikon lëndë narkotike e armë, dhe pushtetarët e lidhur me të. Këtë realitet e konfirmoi Europol vetëm një javë më parë.

Sot pra, është një ditë e mirë për të bërë një reflektim dhe një dallim mes politikës që shërben, dhe një qeverie të lidhur me krimin, që mendon për veten e saj dhe një grusht oligarkësh e trafikantësh.

Basha fb

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: