TIRANE – Pas zgjedhjeve në PD, kryetari Lulzim Basha mblodhi pasditen e sotme Kryesinë e partisë, duke theksuar se ekipi i ri drejtues i demokratëve u vulos nga vota e lirë.

“Përfaqësimi dhe harmonizimi janë dy fjalët kyçe që shprehin më mirë se të tjerat përbërjen e këtij ekipi. Përfaqësim dhe harmonizim i përvojave, karrierave, kontributeve, moshave, gjinive, duke ruajtur si kriter përbashkues vlerat e gjithsecilit. PD është sot më e fortë me Kryesinë dhe ekipin e ri. Të gjithë demokratët janë sot edhe më të fortë edhe më optimistë.”- deklaroi Basha.

Sipas liderit të opozitës, shqiptarët i kanë kthyer sytë nga Partia Demokratike, pasi kanë nevojë për shpresë më shumë se kurrë.

“Situata po shkon keq e më keq, kriza ekonomike po thellohet ndërsa qeveria bën sehir, nuk dëgjon rënkimin e qytetarëve që nuk arrijnë të sigurojnë as bukën e përditshme pa u zhytur në borxhe”- theksoi Basha.

Kreu i PD-së, Basha gjatë mbledhjes e ndali vëmendjen edhe tek situata politike në vend, ku tha se premtimeve të pambajtura të Ramës i shtohet edhe hapja e 300 mijë vendeve të reja të punës.

Të dhënat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore tregojnë se janë mbyllur 1 mijë vende pune, ndërkohe që INSTAT deklaron se ka22 mijë vende pune më pak. Pas mashtrimit për shëndetësi falas, legalizime e ulje të TVSH është edhe hapja e 300 mijë vendeve të reja të punës, ditë për ditë njerëzit flaken rrugës. Kjo është situata”, tha Basha.

Duke iu drejtuar anëtarëve të kryesisë, Basha shtoi: “Është detyra jonë të rinisim me vrull kontaktin me qytetarët nga jugu në veri. Ofrojmë asistencë ligjore dhe denoncojmë çdo padrejtësi që iu bëhet atyre”.

Ndërsa duke u ndalur tek faturat e energjisë elektrike, Basha tha se mbledhja e tyre është kthyer në fenomen korruptiv, ku ndërprerja e energjisë me polici, shoqërohet edhe me abuzime të gatuara nëpër zyrat e OSHEE. Kryeopozitari solli fakte që kreu i OSHEE në Tropojë ka pa paguar rreth 16 milionë e 900 mijë lekë për energjinë elektrike të papaguar.

“Po ndeshemi me një fenomen korrupsioni, vijnë qindra denoncues për abuzime me faturat e energjisë elektrike. Fëmijët po mësojnë me qiri se familjet nuk kanë mundësi të paguajnë faturat e kripura dhe abuzive të OSHEE. Kryesulmuesi i hajdutëve është kreu i OSHEE në Tropojë, i cili ka 16 milionë e 900 mijë lëkë të papaguara. Për këtë është shpërblyer, është bërë kreu i OSHEE”, tha Basha.

Më tej ai premtoi se do jetë në çdo vend ku qytetarët kanë nevojë për ndihmë.

“Ne do jemi aty ku kanë nevojë qytetarët, do jemi në ballë të protestës së tyre që sa vjen e shtohet, bëhet më e fuqishme. Unë do jem në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët”.

(er.nu/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: