TIRANË- Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka mbledhur grupin parlamentar menjëherë sapo u mbyll seanca e parë plenare e 2017-ës. Basha ka bërë një rezyme të takimit të koalicionit opozitar duke folur për memorandumin e nënshkruar, ku një nga pikat kryesore është ajo për votimin elektronik.

Ai tha se ky memorandum trajton pikërisht lirinë e votës.
“Zgjedhjet e ardhshme janë zgjedhjet që pret dhe dëshiron çdo shqiptar. Sot nënshkruam një memorandum që trajton çështjen më të rëndësishme për shqiptarët, lirinë e votës. Moskriminalizimi i zgjedhjeve, aksesi mediatik i barabartë, spikat propozimi ynë për votimin elektronik”, tha Basha.

Më tej Basha u shpreh kandidatët e PD-së për deputet do i nënshtrohen Vettingut, ndërsa çdo anëtar dhe qytetar duhet të jetë i qetë, pasi kandidatët do jenë të pastër si kristali. Basha tha se çdokujt do i jepet mundësia për të propozuar kandidatët e PD-së për deputet përmes faqes PD.al.

“Çdo qytetar do votojë, dhe askush nuk do fusë duart tek votat e shqiptarëve. Nuk do ketë kuti votimi për të futur duart, ndërsa ushtritë e militantëve të tjetërsojnë votën e shqiptarëve. Qytetarët janë ata që do vendosin, as kriminelët dhe as militantët. Do fitojmë së bashku këtë betejë. Sulmet e shpifjet që mund të kemi nga ata që nuk duan votën e lirë, por shqiptarëve ju kanë borxh të propozojnë nëse kanë propozim më të mirë se votimi elektronik. Sulmet dhe denigrimet nuk na bëjnë përshtypje, pasi beteja jonë është për shqiptaret. Strukturat e PD do angazhohen në dialog, jo vetëm me anëtarësinë, por me të gjithë qytetarët që të sigurojmë lirinë e votës, pa të cilën nuk ka as ekonomi të shëndoshë, as integrim. Një çështje tjetër janë kandidatet e PD. Propozimi im është për një konsultë të hapur me degët e partisë, konsultim me qytetarët, me botën akademike dhe studentore. Pra me të gjithë Shqipërinë, me njerëzit që gëzojnë kapacitete morale dhe ideale për të përfaqësuar shqiptarët. Çdokujt do i jepet mundësia për të propozuar për kandidatët e PD-së përmes faqes PD.al. Ky proces duhet të përfundojë brenda datës 25 shkurt. Kandidatët e PD do i nënshtrohen Vettingut. Çdo anëtar i PD-së të jetë i qetë se kandidatët tanë janë të pastër si kristali. Të mos bëjmë asnjë gabim, kjo është një kthesë për të eliminuar çdo njollë kriminaliteti e korrupsioni nga PD. Nesër nisem për në SHBA me ftesë të republikanëve për inaugurimin e Donald Trump si president. Dua t’u informoj se do kem takime me zyrtarë e drejtues të lartë të institucioneve politikbërëse në SHBA, të cilët na asistojnë. Në kthim do kem takime në Bruksel dhe Berlin. Partitë simotra të PD në Evropë do asistojnë dhe trajnojnë anëtarësinë e PD. Ky dimër i ashpër padyshim do apo s’do Rama, do i lërë vendin pranverës. Një pranverë politike për shqiptarët”- tha Basha.

(d.d/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: