TIRANE – Një ditë përpara protestës së opozitës, kryetari i PD-së Lulzim Basha zhvilloi një takim me të rinjtë në selinë blu. Duke sjellë në vëmendje akuzat e deputetit Tom Doshi ndaj kreut të Kuvendit, Ilir Meta, Basha tha se brenda mazhorancës po lahen hesapet, përmes skenarëve të denjë për filmat e mafies.
Shefi i opozitës theksoi se janë njerëzit e këtij vendi që duhet të kontrollojnë politikën dhe jo politika njerëzit. Ai siguroi se protesta e thirrur nga PD do të jetë paqësore, duke theksuar se mes protestuesve nuk do të ketë vend për krimin dhe kriminelët.
“Kemi parë kemi dëgjuar nga gjiri i maxhorancës përpjekje për likuidime jo me aktorë siç i pëlqen të thotë kryeministri, por me vrasës. Dhe tani pasi i vunë lakun në fyt më të pamundurve, pasi mbyllën mijëra vende pune, rrënuan biznese të vogla e të mëdha, shtuan e shtuan taksa sa i morën edhe kacidhen e fundit shqiptarëve, pasi shkatërruan pronat e shqiptarëve me djersë e me gjak, pasi u zinë e u grinë me njëri-tjetrin, tani filluan të lajnë hesapet me njëri-tjetrin, një skenar i denjë për filmat e mafies. Por ky nuk është film, por një realitet i dhimbshëm që na prek ne.”- deklaroi Basha.
Sipas kryetarit të demokratëve, Rama dhe Meta do të përballen të enjten me sovranin, që siç tha ai, do të vijojë protestat deri në dekriminalizimin e plotë të politikës shqiptare.
“Ky nuk është shtet ligjor, ky nuk është sundim i ligjit por i mafies. A jemi për sundimin  ligjit, apo të mafies, a jemi për demokracinë apo oligarkinë Rama-Meta. Këto janë dilemat të cilave do tu japim përgjigje duke nisur nga dita e nesërme. Mendonim se do ta linim pa përgjigje, harruan rininë shqiptare, rinia nuk vihet dot asnjë ditë nën thundrën e krimit. Përse kanë kaq frikë? Kanë frikë sepse po vjen ora e përballjes me bosin e bosëve, me popullin sovran”- u shpreh Basha.
“Ta nisim marshimin tonë nesër për të mos e ndalur derisa të përfundojë dekriminalizimi i plotë. Kriminelët jashtë politikës. Protesta do të jetë paqësore dhe demokratike. Paniku që i ka zënë i bën të thonë edhe marrëzira, kërkojnë kriminelët në gjirin e popullit. Unë ju them sot se nuk do të ketë vend mes nesh për krimin dhe kriminelët. Krimin dhe kriminelët i keni në gjirin tuaj, i keni në qeverisje dhe ne do t’i largojmë me çdo çmim. Jo me dhunë, me forcën e pjesëmarrjes ta çojmë këtë qeveri në shtëpi.”-përfundoi Basha.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb