Nga Mero BAZE
Partia Demokratike duhet të gjejë forcë t’i japë fund dilemës idiote nëse Basha e Berisha janë bashkë në atë që po ndodh me opozitën. Disa i kanë shpresat tek fakti që Berisha nuk është kundër Bashës, të tjerë tek fakti që Berisha të jetë kundër Bashës.

Lajmi i keq është se Berisha dhe Basha janë dakord për çfarë po ndodh në PD dhe kjo është gëja më e keqe që mund të ndodhte në PD. Një ngjarje gjysëm e keqe do të ishte që Berisha të mos ishte dakord me Bashën realisht.

Dhe i vetmi lajm i mirë do të ishte që Basha të mos ishte dakord me Berishën, dhe të shkëputej prej tij.

Qëndrimi i Sali Berishës është qëndrimi më i dëmshëm aktualisht për Partinë Demokratike, pasi ai mban peng PD me dy të këqija.

E para, e mban peng Partinë Demokratike duke e lidhur fatin e saj me fatin e Lulzim Bashës, që është një lider i dobët, jo popullor, i pabesueshëm dhe i pashpresë për të ardhmen.

Dhe e dyta, e lidh PD me vetë Berishën, si gjykatës final i asaj që ndodh.

D.m.th, gjithë frymëmarrja e shpeshtuar e demokratëve, nga frika se mos Basha kishte tradhtuar Berishën apo e kundërta, dhe u qetësuan kur e panë që ishin bashkë. Në fakt, ky është lajmi më i keq, dhe ky duhet t’i shqetësojë të gjithë.

I vetmi lajm i mirë për Partinë Demokratike, është një lider që do të tejkalojë trashëgiminë e Berishës dhe do të ndërtojë historinë e tij të suksesit për PD. Berisha po e trajton Bashën si një lider që ka bërë gabime me leje. Dhe kjo është vrasëse për PD-në.

Ndaj ky debat duhet të marrë fund. Duhet të marrë fund edhe sikur Berisha të jetë i pakënaqur me Bashën realisht dhe jo të flasë si një mësues që i ulet në gjunjë nxënësit për të mos përsëritur më gabimet.

Berisha dhe shkolla e tij politike në PD ka bërë gjëma edhe më të mëdha se të Bashës. Berisha ka përjashtuar dhjetra e qindra politikanë në karrierë në PD, duke mos pyetur për kontributet e tyre. Ai ka pasur sjellje arbitrare dhe ndaj politikanëve korrektë ndaj tij, vetëm se i kanë bërë hije njerëzve të familjes së tij. Ai nuk mund t’i kërkojë dot llogari Lulzim Bashës, për masakrën që bëri ndaj kundërshtarëve të vet, pasi thjesht e ka të mbushur biografinë e vet me të tilla histori. As për humbjet nuk i kërkon dot llogari, se është lideri që ka humbur më shumë zgjedhje se kushdo tjetër në këtë vend, për të mos thënë që nuk ka fituar kurrë, veç vitit 1992. Ai thjesht e mbështet Lulin se nuk shkel dot mbi veten e tij, dhe ky nuk është kurrfarë lajmi.

Ndaj duhet të marrë fund epoka e kundërshtarëve të Bashës, që e sulmojnë atë nga pozitat e të qenurit me Berishën. Basha duhet sulmuar si kopje e dobët e Berishës, dhe për këtë duhet edukuar dhe baza e demokratëve.

Zhvillimet e fundit e kanë barazuar neverinë ndaj Bashës, me neverinë ndaj Berishës në PD. Dhe për t’i mundur nuk duhen ndarë. Duhen luftuar si një e keqe e vetme e PD.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb