TIRANË- Kreu i PD-së Lulzim Basha ka dalë sot para mediave pas konferencës që pati kryeministri Edi Rama me bankat. Basha risolli në kujtesë një raport të DASH që e vendoste Shqipërinë në listën e zezë të vendeve kryesore të pastrimit të parave në botë. Ai deklaroi se janë me qindra miliona euro të prodhuara nga droga, në duart e krimininelëve që duan t’i qarkullojnë dhe pastrojnë këto para dhe se nuk ka dyshim se bumi i beftë i ndërtimit, kur vendi është në krizë dhe ka mijëra apartamente të pashitura, është rezultat i parasë që vjen nga droga.

“Në mars 2017, Departamenti Amerikan i Shtetit e vendosi Shqipërinë në listën e zezë të vendeve kryesore të pastrimit të parave në botë, e quajtur zyrtarisht Lista e Vendeve Kryesore të Pastrimit të Parave. Është hera e parë që Shqipëria është përfshirë në këtë listë që përditësohet çdo vit. E gjeni në faqen 8 të raportit për Strategjinë e Kontrollit Ndërkombëtar të Narkotikëve që Departamenti i Shtetit i dërgoi zyrtarisht Kongresit Amerikan.
Qeveria amerikane harton listën duke u bazuar në këtë përcaktim. Vend i pastrimit të parave është ai vend ku bankat bëjnë transaksione parash në shumë të konsiderueshme, të ardhura nga trafiku i narkotikëve.
Në Gusht indeksi i Bazelit e renditi Shqipërinë në 3 vendet kryesore të rrezikut të pastrimit të parave. Janë me qindra miliona euro të prodhura nga droga, në duart e krimininelëve që duan t’i qarkullojnë dhe pastrojnë këto para.
Nuk ka dyshim se bumi i beftë i ndërtimit, kur vendi është në krizë dhe ka mijëra apartamente të pashitura, është rezultat i parasë që vjen nga droga. Nuk ka dyshim se ato koncesione që jep qeveria kur emrat e koncesionarëve fshihen në parajsa fiskale mund të jenë skema të pastrimit të parave. Nuk ka dyshim që kontratat e koncesioneve që Edi Rama i negocion dhe i mban të fshehta mund të jenë pastrim parash”, deklaroi kreu i PD-së.

Ai theksoi se në Shqipëri paraja e ndershme po largohet. “Prej katër vjetësh nuk ka asnjë investim të ri të huaj, ndërsa investimet e brendshme private kanë rënë gjithashtu. Ndërkohë që lulëzon droga dhe trafiqet. Paraja e pistë është duke e përzënë përditë paranë e ndershme.
Edi Rama sot i ftoi shqiptarët që të mos i marrin seriozisht pastrimin e parasë dhe kapjen e ekonomisë nga krimi. Nuk e ka për herë të parë që i fton shqiptarët të qeshin.
Për katër vjet me radhë ai u kërkoi shqiptarëve të qeshnin me akuzat se në Shqipëri mbillej kanabis dhe trafikohej drogë. Edi Rama u tha shqiptarëve të qeshnin se opozita ngatërronte mushkonjat me avionët. Edi Rama u tha shqiptarëve të qeshnin me opozitën që e thërrisnin Elvisin, Evis. Edi Rama ulej me fshatarët dhe i pyeste me shaka ç’thotë kanabisi. Edi Rama u tha shqiptarëve që të qeshnin me akuzat e opozitës se Saimir Tahiri ishte trafikant.
Herën e fundit që dëgjuam Ramën kur na tha të qeshnim Shqipëria u kthye në hambar droge dhe zonë të lirë të krimit. Tani po na fton përsëri të qeshim. Në fakt është koha të shqetësohemi dhe t’i themi ndal Edi Ramës dhe krimit në politikë dhe në ekonomi”, tha kreu i PD.

Basha deklaroi se depërtimi i krimit në ekonomi duhet ndalur tani. “Projekti 1 miliardë euro duhet ndalur tani. Çdo koncesion, çdo investim që përfshin qeverinë duhet të bëhet transparent në çdo detaj. Prokuroria e ndihmuar nga partnerët ndërkombëtarë duhet të hetojë pastrimin e parave dhe krimin e lidhur me të”, u shpreh Basha.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: