TIRANE– Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një bashkëbisedim me artistë dhe pedagogë në çadrën e ngritur para godinës së kryeministrisë, ku i ftuar ishte dhe senatori italian Aldo Di Biagio. Basha tha se Rama po kërcënon me destabilitet për të mbajtur pushtetin, por kauza e opozitës për zgjedhje të lira dhe të ndershme do vijojë. Basha i bëri me dije Ramës se nuk duhet të kujtojë 1997, pasi lëvizja e PD është lëvizje evropiane dhe paqësore. Kryedemokrati e quajti të pafytyrë Ramën, ndërsa u shpreh se nuk do ketë zgjedhje me krimin dhe drogën. Ai tha se vendimi për qeveri teknike është marrë dhe Rama duhet të bëjë gati valixhet e të dalë nga zyra.

“Arti është goditur dhe diskredituar. Dua të ftojmë një personalitet për lirinë e Shqipërisë, senatorin italian Aldo Di Biagio. Kauza për zgjedhje të lira dhe të ndershme bashkon në këtë shesh shqiptarët. Kjo është lufta pa kompromis kundër krimit dhe drogës. Dy ditë më parë DASH i konsideroi kërcënim për Shqipërinë drogën dhe krimin. Kërcënim për shqiptarët dhe rajonin, duke vënë në dispozicion krimin e organizuar, ky njeri u thotë shqiptarëve o zgjedhje me krimin e drogën ose ndryshe kërcënon me detabilitet. Në 30 ditë qytetarët në këtë shesh kanë demostruar fytyrën evropiane të demokracisë. Kjo qëndresë paqësore ka një mision që është vlerë esenciale e Evropës për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Turpi i Shqipërisë kërcënon shqiptarët se do bëjë zgjedhje me krimin, me xhelatët e diktaturës ose ndryshe do ketë destabiliet… kë kërcënon mos surratzes? Po ja themi në gjuhën popullore që do të thotë i pafytyrë. Kujt i kujton 1997 ti? Kjo është lëvizja më popullore. Shqipëria nuk do rrëshqasë në destabilitet për surratin tënd dhe nuk do ketë zgjedhje fasadë. Vendimi është marrë, ti do shporresh dhe do ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Rrugë tjetër nuk ka. Këtu jemi mbledhur për Shqipërinë demokratike dhe për vlerat e saj. Do kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk digjet asnjë organ për ëndrrën tënde për të mbajtur pushtetin. Dil nga zyra jote. Kjo lëvizje nuk dorëzohet dhe nuk lodhet. Këtu do jemi gjithmonë e më shumë derisa të largohet qeveria e krimit dhe të kemi zgjedhje të lira e të ndershme. Dita po vjen”-tha Basha.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: