TIRANE- Qëndrimin e tij për të mos lejuar kryeministrin Edi Rama të emërojë një Prokuror të Përgjithshëm të përkohshëm siç sugjerojnë OPDAT dhe Euralis, kryedemokrati Lulzim Basha e bëri të ditur që dje, por sot ai sqaroi detaje në lidhje me aksionin që do ndërmarrë opozita.

“Qëndrimi është i qartë, kryeprokurorin se emëron dot Saimiri dhe Dako, e miqtë e tyre në parlament. Ne kemi një plan të plotë veprimi për ta parandaluar në mënyrë ligjore. Një gjë edhe e sigurt, s’do pranojmë kurrë që kryeprokurorin ta emërojë Tahiri, Rama e Agron Xhafaj. Nuk do të pranojmë kurrë që kryeprokurori të emërohet nga subjektet e hetimit”,- tha Basha.

Pyetje: Z. Basha, si largohet Edi Rama? A do ta shfrytëzojë Partia Demokratike të drejtën për të kërkuar në Kushtetuese zgjatjen e mandatit të Llallës deri në krijimin e KLP-së?

Basha: Qëndrimi ynë për Prokurorin e Përgjithshëm është i qartë: Prokurorin nuk mund ta emërojë Edi Rama, Prokurorin nuk mund ta emërojë Saimir Tahiri. Prokurorin nuk mund ta emërojë as Vangjush Dako, as Qazim Sejdini, as Agron Xhafaj, as miqtë e tyre në Parlament.

Pyetje: Dhe për këtë ju mund të ndihmoni duke bërë një padi në Kushtetuese apo kërkesë?
Basha: Ne kemi një plan të plotë veprimi për të parandaluar në mënyrë ligjore dhe për t’iu përgjigjur çdo veprimi antiligjor antikushtetues të mazhorancës. Një gjë është e sigurt nuk do të pranojmë që Kryeprokurorin ta emërojnë subjektet e hetimit, që kryeprokurori të emërohet nga Edi Rama nga Saimir Tahiri dhe miqtë e tyre.

Sakaq, kryedemokrati Lulzim Basha ka deklaruar se nuk do të lejojë as shkarkimin e kreut të KQZ-së, Klement Zguri.

Pyetje: Z. Basha ditën e enjte mazhoranca ka paralajmëruar shkarkimin e kryetarit të KQZ-së. A përbën ky një akt një vendim nga ana e opozitës për të mos marrë pjesë në reformën zgjedhore? A e cënon reformën zgjedhore, shkarkimi i kryetarit të KQZ-së?
Basha: Nuk ka asnjë mundësi kushtetuese që kryetari i KQZ-së të shkarkohet nga kjo mazhorancë. Çdo hap i tillë do të përbënte një shkelje flagrante të Kushtetutës dhe do të marrë përgjigjen e merituar.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: