KAVAJE-Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është takuar me pronarë dhe të punësuar në biznesin e vogël në Kavajë, të cilët janë shprehur kundër futjes së tyre në skemën e pagesës së TVSH, pasi kjo sipas tyre do t’i çojë drejt falimentimit për shkak të rritjes së shpenzimeve. Gjatë bashkëbisedimit të Bashës me përfaqësuesit e bizneseve të vogla këta të fundit janë ankuar se futja e TVSH-së do t’i detyrojë të rrisin çmimet, që do të thotë se konsumi do bjerë dhe ata do humbin klientelën.

“Kam dalë që në 6.30, thotë Aliu, një tregtar peshku, nuk kam shitur gjë. Lek s’ka, gjë s’ka. Fukarallik dhe gazepllik gjithandej. Me na rrit taksat, do të ul qepenin. Që në ditën e parë që do thonë u miratua, do të ul qepenin dhe të iki”.
Basha: Ka edhe një rrugë tjetër.
“Rruga tjetër, të ngrihet populli atje. Ta shkundim një herë e mire”, thotë Aliu.
Dashi ka një biznes të vogël në qendër të qytetit.
“Kontabilist po, por sigurim këtu në vend të punës. Kontabilisti nuk diskutohet se ai t’i bën të gjitha llogaritë. Plus sigurimet muaj për muaj, dy vetë të siguruar. 3 milionë në vit, nuk diskutohet”, thotë ajo.
Basha: Po për çmimet?
“Cmimet do të ngrihen se s’bën. Sepse unë do të shpenzoj, po nxora do ngrej çmimin. Eshtë fare e thjeshtë”.
Lulzim Basha i thotë Besnikut, pronarit të një picerie të vogël, se ky projekt duhet ndalur:
“Jeni shumicë. Shumica e biznesit është biznes i vogël. Këta janë pakicë, janë pakicë e qeverisë, 20% e shqiptarëve e kanë votu dhe rritjen e TVSH-së për biznesin e vogël po e bëjnë për hesap të 10 vetave, 10 oligarkëve. Këtu çelësi është bashkimi. Po u bashkuam, këta nuk kanë çfarë të na bëjnë. Do të detyrohen të zbrapsen”, thotë Basha.

Besniku e di cili është qëllimi i këtij vendimi. “Qëllimi është me mbyll biznesin e vogël, nuk ka tjetër”.
Me futjen e biznesit të vogël në skemën e pagesës së TVSH nuk janë dakord as ato biznese që paguajnë TVSH tani.
“Do të bie fuqia blerëse. Në momentin që bie fuqia blerëse do të bëjmë më pak xhiro, do të çojmë më pak të ardhura në shtëpi, do të shpenzoj më pak për fëmijët e mi, për familjen, do të shtrëngoj rrypin akoma më tepër, e derisa të këputet fare”, thotë Lorenci, që ka një pikë shumice.

Paridi ka një dyqan të vogël celularësh. “Unë punoj për një rrogë me mbajt familjen, nëse ti këtë rrogë ma përgjysmon, apo më heq një pjesë nga kjo rrogë, do më detyrosh ose t’ia vë barrë klientit, ose ta mbyll, ose të iki te kryetari i Bashkisë. Se punë tjetër nuk ke çfarë të bësh”.
Kryetari i Partisë Demokratike i shpjegon Gertit, një i vetëpunësuar, projektin e tij.

“Ne duam që biznesi nën 12 milionë lek të reja për vit të mos paguajë fare TVSH. Vër pullën tek dera, punoni, t’i shërbeni njerëzve, mallrat e konsumit t’i shisni me çmime të arsyeshme dhe të nxirrni bukën e gojës, sepse vetëm për bukën e gojës punoni apo jo?”

Do të rriten çmimet, thotë Gerti. “Tek konsumatori do të shkojë çdo gjë. Do të përplaset aty. Unë do ta blej më shtrenjtë, do ta shes më shtrenjtë, konsumatori, pagat janë po ato. Po s’pati rritje pagash, po nuk u rritën, populli i shkretë do ta vuajë”.

E mbylla që të nesërmen, I thotë Bashës një I moshuar që ka një market të vogël, nëse futet TVSH-ja.
“E mbylla që të nesërmen. Me të thënë ai, me datë 3, ula qepenin, më mirë rri. Me u rrit TVSH filloi rritja që tek blloku i TVSH-së që e blen 3 mijë lek plus ekonomistin 100 mijë lek. Pa ekonomist nuk i mban dot letrat. Përveç këtyre, çdo ditë ke shpenzime jashtë mase”.

Rita është krejt e qartë për pasojat që do të ketë ky plan i qeverisë.

“Tani do të shtohet TVSH, do e paguaj se s’bën. Çmim blerje dhe shitje, atë do paguaj. Se e blej 20 lek, e shes 25, do të paguaj 5 lekëshin. Po ky 5 lekësh do të ikë nga buxheti im. Nëse unë me këtë biznes të vogël fitoj 50 lek, ose një pagë minimale 300 mijë lekësh, këtë 300 mijë lekësh nuk e fus më në xhepin tim. Ky 300 mijë lekësh do të më ikë për shtet. Do më mbetet 100 mijë lek, ku nuk e përballojmë dot jetesën”.

Gjatë takimeve me qytetarët, Basha ndalet nga Bajram Sereci, të cilit i kanë grabitur në shtëpi një muaj më parë, ku i kanë dhunuar edhe prindërit. Ai është i revoltuar sepse policia ende nuk ka gjetur autorët.

“Nuk do t’ia dijë njeri a u vodh a s’u vodh. Plakun e shkretë e masakruan. I kanë gjuajtur me tytë pistolete kokës. Çfarë janë këto. Çfarë Shqipërie është kjo? Ku po e çojmë Shqipërinë? Vetëm po degjenerohet, po fëlliqet për çfarë erdhe në shtëpi, erdhe për të na vra? Për mendimin tim, edhe për lekët edhe për të na vra. Çfarë bëhet këtu me këtë qeveri. Ku jemi e ku po shkojmë. Eshtë turp”, shprehet Bajrami.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: