TIRANE- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u është rikthyer më fortë se kurrë akuzave për Saimir Tahirin, ndërsa ka pyetur sot publikisht kryeministrin Edi Rama se pse nuk e arreston ish-ministrin e Brendshëm.

Në një konferencë për mediat nga selia blu, Basha shpërtheu në akuza pas arrestimit të Moisi Habilajt, në Itali, si pjesë e një bande që trafikonte drogë dhe armë nga Shqipëria për në shtetin fqinj, ku opozita pretendon se ai është kushëriri i Tahirit.

“Habiljat përdorin mes të tjerash automjetin personal të Tahiri, ‘Audin’ e famshëm me imunitet ministror. Prej 24 orësh Rama hesht. Prej 24 orësh në emër të opozitës kam bërë pyetjes se ç’do thuash tani? Moisi Habilaj ndodhet në pranga dhe i akuzuar si kreu i një prej bandave të narkotraftikut. Partnerët strategjikë i kanë vënë Ramës në dispozicion materiale të pakontestueshme që lidhen me rolin e Tahirit si ministër i Brendshëm në trafikun e drogës mes Shqipërisë dhe Italisë. Rama e ka refuzuar që të marrë rolin e kryeministrit dhe e ka caktuar Tahirin koordinator për bashkëqeverisjen. E dimë se është çështje orësh apo ditësh para fakteve që janë vënë për lidhjet e Tahirit me trafikun e drogës, dhe faktet do bëhen publike. E dimë se prej kohësh ato janë në dispozicion të Ramës. Pyetja që shtroj sot është se çfarë pret Edi Rama t’i vërë pranga dhe të arrestojë apo të ekstradojë Saimir Tahirin si kapiteni i dorgës në 4 vitet e kaluara?!”, tha Basha.

Mes të tjerash, Basha theksoi se të gjitha provat që disponon shteti italian, ku i implikuar sipas tij është Tahiri, ndodhen në tavolinën e kryeministrit Edi Rama.

“Nuk pres përgjigje prej Edi Ramës, pasi ai e ka mbrojtur Tahirin edhe pse e ka ditur se ai është përfitues prej bandës së drogës. Ai e ka bërë më vetëdije të plotë sepse paratë e drogës janë përdorur nga Rama dhe Saimir Tahiri në zgjedhjet e vitit 2015 dhe 2017. Sot jo vetëm Shqipëria dhe Italia, por gjithë Evropa ka faktet e lidhjes së Edi Ramës dhe Tahirit me bandat. Shqiptarët kanë dy rrugë, të ulin kokën e të pranojnë realitetin malinj ose të ngrihemi dhe të kërkojmë të drejtën tonë që të mos qeverisemi nga kryeministri. Është ora e vendimeve të mëdha. Është koha të arrestohet Sajmir Tahiri pasi provat janë në tavolinën e Edi Ramës.”- tha Basha.

Pas bërjes publike dje të lajmit mbi arrestimin e Habilajt në Itali, ashpër reaguan kreu i PD-së Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha. Ky i fundit publikoi një foto ku shkruante se skafi në fjalë ishte në pronësi të ish-ministrit Tahiri, që u përdor nga Moisi Habilaj për të transportuar 3.5 ton drogë në Itali. Fill pas këtyre deklaratave reagoi edhe ish-ministri Tahiri, i cili mohoi kategorikisht lidhjet me ngjarjen, ndërsa theksoi se nuk i bëjnë përshtypje akuzat e ngritura nga Basha.
(ed.me/d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb