*Mblidhet grupi i PD
*Basha: Letra e Mogherinit e shkruar në Tiranë, Vlahutin e pozicionuar politikisht
*Selami kundër linjës së Bashës në PD: Të mos braktisim procesin!
*Berisha ‘sulmon’ nje diplomat

TIRANE-Një ditë pas takimit të shumëpërfolur, midis kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës, Lulzim Basha, sot është mbledhur grupi parlamentar i PD-së. Burime brenda PD-së, konfirmuan për ‘News24’, se mbledhja është karakterizuar nga debate të shumta mes deputetëve, ndersa Basha ka bere nje pasqyrim te takimit dje me kryeministrin. Gjatë fjalës së tij, në mbledhjen e grupit, Basha tha se PD këmbëngul për drejtësi të pa kapur politikisht dhe se në 90% të kohës në takim është folur për “vendet e rezervuara”. Basha u shpreh se, ‘Kapja nga maxhoranca qofte edhe e 1 mandati nga opozita është fundi i parlamentit dhe djegia e gjithë mandateve tona’.

Një replikë me Bashën mësohet të ketë bërë deputeti Eduard Selami i cili e ka pyetur këtë të fundit nëse qëndrimi që po mban PD kundrejt reformës është në përplasje me ndërkombëtarët. Selami shprehet kundër linjës së Bashës në PD: Të mos braktisim procesin!

Mësohet gjithashtu se Basha ka thënë se deklarata e drejtueses së Lartë të Komisionit Europian Mogherini, është e shkruar në Tiranë.
I ashper pas mbledhjes, tek selia e PD shprehet dhe Berisha.


DISKUTIMI

Basha: Këmbëngulim për një drejtësi të pa kapur politikisht. Rama mashtron, diskutimi në 90 përqind u fokusu të “vendet e rezervuara”
Selami-Bashës: Qëndrimi që ne mbajmë e përplas opozitën me ndërkombëtarët? A na çon në përplasje me ndërkombëtarët qëndrimi ynë, pas deklaratave të Mogherinit, Nuland dhe Kukan?

Basha: Ne I kemi sqaruar ndërkombëtarët se jemi për një draft bazuar në rekomandimet e Venecias dhe për që mbron drejtësinë nga kapja politike. E kemi sqaruar Nuland për këtë qëndrim. Deklalara e Mogherinit është shkruar në Tiranë.
Basha: Vlahutin është pozicionuar qartë për një krah politik.
Selami: Të vazhdojmë negociatatat me maxhorancën, ndërkombëtarët dhe popullin shqiptar për reformën në drejtësi… të vijojmë përpjekjet dhe të mos braktisim procesin.
Berisha: “Vendet e rezervuara” të cilat mazhoranca nuk I pranon janë propozim i ndërkombëtarëve.
Arben Imami: Edhe Frederica Mogherini është pozicionuar politikisht në krah të qeverisë
Basha: Kapja nga maxhoranca qofte edhe e 1 mandati nga opozita është fundi i parlamentit dhe djegia e gjithë mandateve opozitare. Unë jam i sigurt që asnjë deputet i PD-­së nuk trafikon votën, por po ndodhi kjo atëherë është fundi parlamentarizmit. Ne jemi opozitë që kërkon konsensus, por në qoftë se edhe një deputet i opozites voton, ne kalojmë në përballje totale deri në djegie mandatesh deri sa të zgjidhen institucionet e reja me zgjedhje te lira e te ndershme. Formulen e vendeve te rezervuara e ka propozuar vete eksperti i Opdat në nentor. Ne 25 janar ne dreken ne rezidencen e Lu me Berishen e Bashen u tha nga opsionet e propozuara ju zgjidhni nje qe siguron moskapjen politike dhe ne do e detyrojme Ramen ta pranoje. Ne 3 shkurt Lu coi email qe jane 5 opsione nder te cilat dhe vendet e rezervuara. Ne 14 shkurt i kthehet pergjigje me email Lu qe ne jemi per vendet e rezervuara. Ne 17 shkurt i komunikohet PS. Te gjitha janë me e mail me Lu dhe neqoftese eshte e nevojshme do publikohen. Ne kemi qene të qarte ne kete proces ne kemi kerkuar konsensus. Si Nuland dhe keshilltari i Merkel qe fola dje ne tel janë te qarte. Kete formule e ka propozuar Rama e ka konfirmuar Venecia e ne po kerkojme ate qe eshte rene dakort.

BERISHA: OPOZITA DJE VOTOI REFORMËN NË DREJTËSI
Në përfundim të mbledhjes së grupit të PD, ish-kryeministri Berisha tha se opozita dje votoi reformën në drejtësi, por duke u ndalur sërish tek diskutimet e bëra brenda mbledhjes. Berisha tha se variantin ndërkombëtarëve ua ka sugjeruar Rama.

“I thotë dritës së diellit dritë, opozita shqiptare mbrëmë votoi reformën për çdo shqiptar. E refuzoi në mënyrë kategorike njeriun që shkoi me një apo dy fjalime në xhep. Ia kanë sugjeruar ndërkombëtarët, variantin ua ka sugjeruar Edi Rama. Të gjitha të tjerat janë mashtrime të paskrupullta”, tha Berisha.

Berisha akuzoi edhe nje përfaqësues ndërkombëtar, pa i thene emer. “Eshtë mjerane kur një përfaqësues ndërkombëtar i raporton qeverisë së tij të kundërtën e asaj që ka thënë vetë, por kjo botë është transparente”.

(ed.me/d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: