TIRANË- Nënkryetari i LSI-së, Ylli Manjani i propozuar dje zyrtarisht si ministër i Drejtësisë pas dorëheqjes së Nasip Naços, ka deklaruar sot se po përgatitet një axhendë agresive reformash. Manjani tha se ka nisur puna dhe po përgatiten nisma anti-korrupsion që do të jenë pjesë e punës në Ministrinë e Drejtësisë.

“Takohem me kryetarin e Kuvendit çdo ditë. Po përgatisim axhendë të re reformash për të ndërtuar një sistem gjyqësor, administrativ gjithashtu. Jemi në punë duke u përgatitur për të marrë edhe nisma anti-korrupsion që do të jenë pjesë e punës në Ministrinë e Drejtësinë”, tha ai.

I pyetur për punën që e pret, Manjani tha se ende nuk është ministër drejtësie duke përmendur etapat ku duhet të kalojë, deri në marrjen e detyrës së re.

“Unë nuk jam ende Ministër i Drejtësisë. Jam i propozuar. Ndërkohë po përgatitemi”, u shpreh ai.

Lidhur me bashkëpunimin me kryeministrin Edi Rama, për të cilin më herët është treguar kritik, Manjani kërkoi fokusimin tek puna e nisur dhe tek reformat.

“Jemi në krah dhe jemi në një axhendë agresive reformash. Jemi në mes të punës, ju lutem të fokusohemi tek punët”, u shpreh Manjani.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: