TIRANË- Parku i Liqenit do të ketë një tjetër hyrje të gjelbër në pjesën jugore të tij. Pas gjelbërimit të zonës që dikur ishte kthyer në një vendgrumbullim mbetjesh, Bashkia e Tiranës dhe Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit ka nisur gjelbërimin e zonës së Liqenit të Thatë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u bë pjesë e aksionit për mbjelljen e 150 pemëve dhe shkurreve të para nga 500 që do mbillen në total në këtë zonë, ndërsa u shpreh se kjo është vetëm faza e parë e mbjelljeve masive që do të realizohen për projektin e Pyllit Orbital.

Bashkia liqeni i thate (1)

“Po fillojmë me 150 mbjelljet e para për të vijuar me planin e Pyllit Orbital, të cilin do ta bëjmë publik brenda vitit. Mandej, do të fillojmë mbjelljet masive për t’u siguruar që pavarësisht kush është në drejtimin e bashkisë, t’i kemi lënë një pajë gjeneratës tjetër, çka besoj se të rrisë ndjeshëm cilësinë e jetesës në qytetin e Tiranës. Kjo në thelb është një pjesë që ka të bëjë me menaxhimin e autostradave, megjithatë nuk mund të kemi një park liqeni të bukur, ndërkohë që çdo gjë rreth tij është e zaptuar dhe e zënë”, tha kryebashkiaku i Tiranës.

Bashkia liqeni i thate (5)

Veliaj theksoi se periudha e vjeshtës deri në dimër do të shfrytëzohet nga Bashkia e Tiranës dhe ndërmarrjet e saj për të mbjellë jo vetëm më shumë pemë se një vit më parë, por edhe për të krijuar gjurmën e asaj që do jetë Pylli Orbital. “Kjo është një stinë, e cila besoj do të jetë një stinë model për Bashkinë e Tiranës. Duam të thyejmë rekordin e vjetshëm, me mbi 50 mijë pemë të mbjella në territor, por kësaj here po e bëjmë me një plan të përcaktuar që të ndjekë gjurmën e Pyllit Orbital”, tha Veliaj.

Bashkia liqeni i thate (6)

Ai vlerësoi si shumë të rëndësishëm misionin për të shtuar gjelbërimin në qytet dhe për të krijuar Pyllin Orbital, me kontributin e bizneseve dhe individëve të ndryshëm. “Dua që t’i ftoj të gjithë ata që kanë mundësi të kontribuojnë, të na japin pemë. Sot një makinë prodhon toksina, prodhon helme, dioksid karboni, të cilat mund të zerohen vetëm me mbjelljen e 2 pemëve. Pra një biznes që ka 50 makina, mjafton t’i dhurojë qytetit 100 pemë dhe ka zeruar të gjithë impaktin që ka me dioksidin e karbonit në qytet”, u shpreh Veliaj.

Bashkia liqeni i thate (4)

Gjithashtu, kryetari i bashkisë njoftoi se të gjithë ata që kanë zënë hapësirat apo kanë ndërtuar në territorin e Parkut të Liqenit, në pjesën që më parë administrohej nga ish-Komuna e Farkës, kanë edhe dy javë afat për t’u larguar vetë, në të kundërt do të jetë Bashkia ajo që do të ndërhyjë. “Deri në fund të Tetorit është afati për prishjen vullnetare të ndërtimeve pa leje në pjesën jugore të Liqenit, që ka qenë pjesë e ish-komunës Farkë. Nën drejtimin e administratorit, aty do të vazhdojmë një proces gjelbërimi”, nënvizoi Veliaj.

Bashkia liqeni i thate (2)

Drejtori i Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, Blendi Gonxhe bëri të ditur se hapësira që do të gjelbërohet do t’i shërbejë jo vetëm banorëve të zonës, por edhe atyre që frekuentojnë parkun e Liqenit. “Është një pjesë shumë e rëndësishme e kurorës së gjelbër, është një pjesë e rëndësishme e asaj që ne e quajmë “Pylli Orbital, pra mund ta quajmë pjesë integrale të “Pyllit Orbital”. Kemi të bëjmë me rreth 10 mijë m2 ndërhyrje, ku do të kemi një mbjellje të parë me rreth 500 pemë cilësore, edhe me bimësi dekorative”, tha Gonxhe.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb