Avokati i njohur, Idajet Beqiri risjell një episod të ndodhur në Vilën e Mehmet Shehut në Tiranë me rastin e 60 vjetorit të lindjes së kryeministrit komunist shqiptar. Një grup përfaqësuesish nga vendlindja e Mehmet Shehut, mes të cilëve edhe Beqiri, i cili ishte anëtar i forumeve të drejtuese të Rinisë, u gjendën para një sulmi që Mehmet Shehu i bëri komunistëve dhe drejtuesve lokalë në Mallakastër të cilët nuk kishin punuar si duhet për të rritur ekonominë e familjeve të tyre.

Ai sjell në vëmendje edhe pyetjet e vazhdueshme që Enver Hoxha i bënte për jetën në fshatin e tij për të cilin Mehmet Shehu ndjehej i turpëruar, për shkak të të ardhurave të ulëta që banorët merrnin por
dhe për sulmin që i bëhej drejtuesve të kooperativave. Ndër të tjera, Beqiri tregon edhe një episod të Mehmetit me bashkëshorten e tij Fiqereten në atë takim.

NGA: IDAJET BEQIRI
Më 10 janar 1973, kur unë isha në Kutë Çorrush, Mehmet Shehu kishte 60­-vjetorin e lindjes. Për t’i bërë atij një vizitë në familje, në Tiranë, u zgjodh një përfaqësi prej 15 vetash nga e gjithë krahina e
Mallakastrës. Unë isha njëri prej të pesëmbëdhjetëve. E kisha takuar Mehmet Shehun vetëm një herë, në Kongresin e 6­-të të Rinisë së Shqipërisë në Durrës, në qershorin e vitit 1972. Në atë Kongres unë u
zgjodha anëtar i Byrosë së Komitetit Qendror të Rinisë. Në pushimet e Kongresit, ne delegatët e Fierit (Mallakastra ishte pjesë përbërëse e rrethit të Fierit), e ftuam Mehmet Shehun të bënim një foto. Me atë rast e takuam për pak minuta.

Tashmë më jepej rasti ta takoja për herë të dytë më nga afër, në shtëpinë e tij, domosdo më gjatë në kohë dhe do ta dëgjonim nga afër çfarë do të na thoshte. Në grupin tonë, përfaqësues ishin Haziz Dulja,
një atdhetar i spikatur nga Fratari, Sadik Jonuzi nga Çorrushi, Naim Zenelaj, Xhevat Merkaj dhe disa të përzgjedhur të tjerë me kriter shtrirjen nga e gjithë Mallakastra dhe nga familje të lidhura ngushtësisht me LANÇ­-in. Mbërritëm në Tiranë nga ora 10:00. Radha e vizitës në vilën e tij në “Bllok” na erdhi aty rreth orës 11:00. Pak para nesh, në këtë vilë kishin qenë Enver Hoxha, Hysni Kapo dhe
udhëheqës të tjerë të Partisë dhe të shtetit.

Hymë me radhë në hollin e pritjes së katit të parë të vilës. Zumë vend të gjithë, sipas rëndësisë së gjithsecilit, dhe sipas moshës domosdo. Ishte një sallon i madh, i dekoruar bukur dhe i mbushur ngado me lule. Te dera e hyrjes na priti Fiqireti, e shoqja e Mehmet Shehut. Mbasi kishim zënë vend të gjithë, hyri Mehmet Shehu. “Mirë se keni ardhur dhe faleminderit, na tha,­ t’ua kthej në gëzime. Ju keni ardhur për ditëlindjen time, por unë them: Jetë të gjatë Partisë sonë dhe shokut Enver!” Me Haziz Dulen dhe Sadik Jonuzin foli sikur ishte përditë me ta.

I njihte mirë, kishte qenë në luftë me ta dhe i mbante lidhjet përherë. I respektonte shumë edhe aty, në hollin ku ishim ulur. Kur u përqafua me Sadik Jonuzin nga Çorrushi, ky (Sadiku) u përlot! Pasi na takoi të gjithëve, kërkoi t’i prezantoheshim ne më të rinjtë, sepse ata që ishin mesoburra dhe të vjetër, i njihte me emër dhe mbiemër. Pastaj iu drejtua Haziz Dules: “Po ku je more Haziz Dulja, ku je, gjithë jetën ngele duke bërë gabime pas gabimesh!” Hazizi u skuq dhe ia ktheu: “Pse, çfarë gabimi kam bërë unë i shkreti, shoku Kryeministër?!” “Po çfarë do të bësh tjetër ti,­ i tha Mehmet Shehu,­ vajte dhe ndërtove një shtëpi dy kate, më të madhe se ajo e Bektash Agait (Haxhiu) në Çorrush. Dhe tani të ka ngelur pa dritare, pa suvatim, sepse t’u mbaruan lekët! Po ç’tu desh more mavri që ngrite gjithë atë karabina në Fratar?! Gjithë fshatin do ta strehosh aty?! Apo më që ra Bektash Agai, erdhi koha ime the ti?! Dhe e bëre shtëpinë më të madhe nga e tija. Epo vëri pushkën në vend të dritareve tani, sepse pushka të ka mbetur tani, lekët t’u mbaruan!” Dhe qeshte Mehmeti me gjithë shpirt me Haziz Dulen. Neve na bëri shumë përshtypje fakti se ishim pranë e pranë me Haziz Dulen, sepse që të shkosh në Çorrush dhe në Kutë, aty nga Fratari do kalosh, por as na kishte rënë në sy vila e Haziz Dules, as edhe nuk e dinim hallin që atë e kishte zënë, që i kishin mbaruar lekët dhe e kishte lënë shtëpinë pa dritare dhe pa e suvatuar e lyer! Mehmet Shehu, Kryeministri i Shqipërisë, e dinte këtë gjë, megjithëse jetonte në Tiranë.

Kur Naim Zenelaj bëri prezantimin tonë, për mua tha që isha përfaqësuesi i rinisë, i zgjedhur në Byronë e Komitetit Qendror të Rinisë. “Shumë mirë,­ më tha Mehmet Shehu,­ përfaqëson një fshat të Krahinës sonë, së cilës unë shumë herët e kam quajtur “Moska e Vogël”. Gjermani nuk u fut dot në Moskë! Por edhe tradhtia e LANÇ-­it nuk u fut dot në Kutë. I gjithë populli i Kutës iu bashkua LANÇ-­it, të gjithë u bashkuan “grusht” rreth Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar…Ndërsa ne të Çorrushit…si thotë kënga? O Çorrushi maja, maja/ Ç’u përça, e gjetë hataja…!, tha Mehmet Shehu.”

Na sollën nga një gotë raki. E morëm me radhë dhe po e mbanim gotën në dorë. I pari do ta uronte Haziz Dulja për 60­ vjetorin e lindjes Kryeministrin Mehmet Shehu, dhe pastaj ne të tjerët do t’i thoshim në “kor” fjalët tona. Mirëpo, në momentin që Haziz Dulja do të bënte urimin, Mehmeti tha: “Tani ju keni ardhur këtu për ditëlindjen time, por gjuha vete ku dhëmb dhëmbi! Mua sinqerisht më vjen keq, por Ju drejtuesit e Çorrushit, të Kutës, të Drizarit jeni armiq të vetvetes, të popullit tuaj, e keni lënë popullin në mjerim. Turp dhe një mijë herë turp që në mes të atyre pasurive, të atij investimi të madh që kemi bërë për ju dhe për gjithë zonën, populli të marrë aq pak të ardhura në lekë dhe në prodhim, sa është zhytur në mjerim.

Më pyet vazhdimisht Enver Hoxha, hë Mehmet, çfarë thotë fshati yt, ka apo jo ndonjë përparim andej, apo në vend numëro. Çfarë t’i them, skuqem nga turpi. Ju jeni turpi i botës, në çdo gjashtë muaj ndërroni
ndonjë kryetar kooperative. Ne u biem njerëz seriozë, të aftë, punëtorë të mirë, kërkues llogarie për punën, të aftë profesionalisht, ndërsa ju, meqenëse nuk e doni punën, se jeni dembelë e dreq dembelësh, këta drejtues të aftë i bëni ‘lolo’. I komprometoni me dreka e darka, i dehni me raki, i katandisni deri sa të rrihen me ju, dhe pastaj na dërgoni letra neve këtu në Tiranë dhe na thoni se kryetari është kështu e është ashtu, u deh me raki dhe rrahu këtë e rrahu atë!

Aq të poshtër jeni ju, sa edhe sikur mua të më vendosë kryetar kooperative Partia në Çorrush, ju më shumë se një vit nuk më lini, do ma gjeni anën të më shkarkoni. Ju nuk e njihni disiplinën në punë, ju
nuk e njihni edukatën e punës, ju nuk e njihni drejtimin dhedrejtuesit, ju jeni mendjemëdhenj, dhi e zgjebosur dhe bishtin përpjetë! Turpi ju mbuloftë që e keni katandisur kooperativën në ditë
të hallit dhe fshatarët në ditë të qametit.

Të marrësh pesë lekë për ditë pune në tokat dhe kodrat e bukura të Kutë Çorrushit, në fushat e bukura aty, ku gjithçka për një prodhim të mbarë është e siguruar, ku blegtoria ka vendin për mirërritje dhe prodhim të bollshëm, kur vetëm me ullinjtë mund të merrnit dyfishin e lekëve për ditë pune, nga sa merrni sot, këtë turp vetëm ju mund ta bëni. Dhe pse të gjitha këto?! Sepse më shumë vidhni, se punoni, më shumë i shërbeni qejfeve tuaja me raki e ahengje, sesa i përkushtoheni dhe i faleni punës dhe djersës së ballit.” Në dhomën e pritjes ku ne qëndronim nuk pipëtinte asgjë. Qetësi absolute, nuk pipëtinte as miza, veç kumbonte zëri i Mehmet Shehut, i cili vërtet ishte bilbil nga goja, nga argumentet dhe logjika e mendimit.

Meqë neve na kishte mbetur gota e rakisë në duar dhe nuk po mundnim t’i thoshim Kryeministrit “Gëzuar ditëlindjen, jetë të gjatë” dhe atmosfera në ambientin ku qëndronim nuk ishte si për ditë gëzimi, Fiqiret Shehu, e cila rrinte në këmbë si ato nuset e qëmotit, ndërhyri me atë zërin e saj karakteristik, të kthjelltë dhe kumbues gjithashtu: “Të na falni,­ tha ajo,­ se ju na keni ardhur për gëzim në shtëpinë tonë. Na keni ardhur për të uruar Mehmetin për gjashtëdhjetëvjetorin e lindjes, por këtij i dhëmb shumë mosecja e punëve ashtu siç duhet te ju, ndaj ai është i shqetësuar dhe ju flet për
të mirën tuaj dhe të popullit atje…!”

Mehmeti e ndërpreu dhe iu drejtua asaj: “Mbylle moj gojën ti, le t’i marrin si të duan këta këto që u them unë. Vërtet janë të hidhura, por faji nuk është i imi që punët te këta shkojnë për lumë të zi, dhe
mbrapshtitë e drejtimit të punëve prej këtyre, rëndojnë një popull të tërë atje. Dhe hakshe­ hakshe, e dini përse vuan ai popull atje? Vuan sepse atje ka një organizatë partie dhe ka disa komunistë, që janë bërë më keq se agallarët e qëmotit, të cilët bëjnë lloqe pazari, thurin intriga pas intrigash ndaj kuadrove drejtuese dhe administruese të punëve dhe sepse ata janë hajdutët më të mëdhenj të pasurisë së popullit!”

Dhe duke m’u drejtuar mua me gishtin e tij tregues, i revoltuar domosdo, tha: “Po një mortje ju hëngërt ju të rinjve të fshatit, që u bëni sehir këtyre qen, bir qeni komunistë të fshatit, të cilët janë shkaktarët kryesorë të varfërisë së popullit. Më dëgjo mirë, Idajeti i rinisë, të rekomandoj një metodë pune të përshtatshme për këtë kategori komunistësh dembelë, mendjemëdhenj, hajdutë e intrigantë.
Zgjidh nja dhjetë të rinj të fortë, të besës, të guximshëm e trima dhe i zini natën, një e nga një këta maskarenj komunistë dhe i rrihni mirë, petë i bëni dhe të nesërmen dilni në fshat, bëni të çuditurën dhe thoni: ‘Kush i paska rrahur kaq keq këta?!’

Domethënë mos lini gjurmë që ju i keni rrahur, se ndryshe ju denoncojnë këta dhe ju dënon gjykata! Vetëm kështu e duan këta, që në vend që ta bëjnë organizatën e Partisë frymëzuese dhe udhëheqëse
të punëve, janë bërë pengesa kryesore e progresit dhe e të mirës!” Si më i riu që isha aty, me atë guximin që ta jep mosha, por edhe duke qenë “kaluar”, sepse ato që thosh Mehmet Shehu nuk kishin asnjë
lidhje me mua, që kisha shkuar vullnetar dhe pa pagesë për një vit në atë kooperativë, i thashë: “Shoku Kryeministër, ju falënderojmë për gjithçka na thatë dhe sugjeruat, por kryetar Naimi mund t’ju thotë pak gjëra se si këtë vit po e mbyllim mirë, vërtet mirë, por jo shumë mirë.”

Fiqireti sikur mezi i priste këto fjalë dhe menjëherë ndërhyri: “Po hë, i hidhni njëherë ato gota dhe merrni diçka për të ngrënë, ju falënderojmë shumë për vizitën, në gëzime jua kthefshim…” Mehmeti
heshti. Haziz Dulja e bëri urimin ashtu, vençe mallakastriote, e ne të tjerët i mbajtëm “ison”! Sapo ulëm gotat e rakisë, Mehmet Shehu ju drejtua Naim Zenelajt: “Po hë, mo kryetar, na thuaj ndonjë fjalë, si e mbyllët vitin 1972?” Naim Zeneli, i turpshëm si ai, e mbuloi një e skuqur në fytyrë. Me atë zërin e tij “si miza në qyp”, ca sepse kështu e kishte vazhdimisht stilin e komunikimit, ca nga prania e njeriut më të fuqishëm të Shqipërisë, të cilin e konsideronim si legjendë të vërtetë dhe nuk u besonim syve që e kishim aq pranë, filloi të belbëzonte.

“Asgjë s’po dëgjoj unë,­ tha Mehmeti,­ Kutjot je ti apo jo…?” Naimi e mori gradualisht veten dhe bëri një raportim të mirë. Kur Naimi tha që kishin parashikuar të ndanin për vitin 1972 dhjetë lekë e gjysmë, ose afërsisht dy herë më shumë se viti 1971 për ditë pune, Mehmeti e ndërpreu. “Ah, dale, dale, po ky qenka një lajm shumë i mirë. Të më falni se ju rëndova shumë pa të drejtë. Ju paskeni ecur vërtet përpara dhe kthesën e paskeni marrë mirë. Po kjo 10,5 lekë të reja për ditë pune që mendoni të shpërndani, është e plotë, sipas prodhimit që keni realizuar, apo keni mbajtur ndonjë rezervë?.” Naimi i shpjegoi se kishin mbajtur një rezervë prej 2 lekësh për ditë pune, pasi nuk i dihej çfarë sillte viti pasardhës dhe të kishin mundësinë e bërjes së ndonjë kompensimi…

“Mirë e keni menduar,­ tha Mehmet Shehu,­ aq më shumë që viti 1972 ishte edhe viti që prodhimi i ullinjve ishte i mirë, por për këtë vit do ketë prodhim më të vogël ulliri, sepse kjo është e keqja jonë, që ullinjtë një vit japin shumë prodhim, një vit japin shumë pak. Por ju, i hani të gjithë sivjet ullinjtë, mos lini asnjë rezervë më për këtë vit që ata nuk prodhojnë, tha Mehmeti me shpoti!” Ndryshoi krejt atmosfera në shtëpinë e Mehmet Shehut. Ai u gjallërua për mirë, i iku nga fytyra ajo “ngrysja” që të kallte datën, dhe u çel i tëri, filloi të buzëqeshte e të bënte humor me Haziz Duljen e Sadik Jonuzin. Dhe e urdhëronte Fiqiretin, si ata burrat e zakonit, sille këtë, e sillë atë.

“Je nuse në këtë fshat, na kanë ardhur këta, shërbeu mirë se të nxjerrin bojën në Çorrush këta, u tregojnë grave të fshatit se sa keq i prite ti… Dhe thuaj “Të rrojë Partia, moj e zeza ti, sepse nuk do të ishe këtu ku je sot, do të ishe atje në Çorrush me një palë çitjane veshur, me bucelën e ujit në kokë, dhe unë një baba sheh me mjekër!” “U qyqja,­ ia ktheu Fiqireti, – po të ishe ti “Sheh” në Çorrush, unë s’të merrja fare për burrë!” “Ti s’më merrje mua për burrë?!, ­i tha Mehmeti,­ por kjo nuk më ka munguar kurrë mua (dhe lëvizi gishtin e djathtë tregues, duke i thënë që koburen e kam pasur gjithmonë me dorën në këmbëz unë).” Pastaj na nxori tek oborri i Vilës. Bëmë fotografi me të. Pata fatin të dilja edhe vetëm me të në fotografi. Foton si grup na i dërgoi të gjithëve me një shënim të tij. Po kështu, edhe fotoja që unë bëra me të kishte një dedikim të bukur me shkrimin kaligrafik të tij. Pasi bëmë fotot, Mehmet Shehu me gjithë Fiqiretin na përcollën deri te porta hyrëse e rrethimit të vilës, duke na
premtuar se së shpejti do të bënte një vizitë dyditore në Çorrush. (Panorama)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: