Presidentët e Skënderbeut dhe Kukësit, Ardjan Takaj dhe Safet Gjici, kanë dhuruar sërish spektakël me batutat e tyre para mikrofonit të “Supersport” gjatë zhvillimit të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së. Ata kanë thumbuar njëri-tjetrin para ndeshjes direkte të së premtes, teksa Takaj thotë që për Kukësin humbja minimale është fitore ndërsa Gjici e konsideron presidentin e Skënderbeut si të pangopur me tituj kampionë.

takaj gjici1

Batutat mbi ndeshjen direkte të së premtes

TAKAJ: Për hir te garës mund ta quajmë finale, finale e parakohshme, terma që përdoren në sport, por nuk është një finale, është ndeshje si gjithë të tjerat dhe do shohim se sa vlen Kukësi në Korçë. Batutat do i përdorim gjatë gjithë kohës, nuk është hera e parë, ka vite që përdoren këto, por janë për garën që të ç’tensionohet sepse ne nuk jemi në luftë. Luftojmë për titull, luftojmë për objektivat tona, por jemi miq në fund fare. Futbollin duhet ta shohim si futboll sepse ndaj është i bukur.

GJICI: Presidenti Takaj ka thënë që deri në shkurt i mbajnë gjunjët Kukësit, por shkurti kaloi dhe tani pyeteni vetë se në çfarë muaji jemi sepse ai e di më mirë. Natyrisht që ndeshja do jetë shumë e fortë dhe e luftuar, kemi 4-5 vite që rivalizojmë me Korçën dhe kjo është një konkurrencë brenda fushës së futbollit. Them se do dalim të fituar nga Korça, por gjithsesi t’ia lëmë fushës të shohim çdo ndodhë dhe do flasim.

TAKAJ: Edhe një humbje minimale për Kukësin fitore është ndaj normalisht që pranohet.

GJICI: Natyrisht unë nuk do pranoj as barazimin me Skënderbeun sepse kemi thyer rekordin 25 javë pa humbje. Besoj që pas Sëlltikut është Kukësi në Europë që s’ka humbje. Ne kemi thyer rekord gjatë gjithë kohës që kur është krijuar futbolli shqiptar e deri më sot, jemi ekip që thyejmë rekordet.

Presidenti i Korçës gjithnjë kështu flet, por nuk e ka më atë forcën që ka patur para dy-tre vitesh. Them që do jetë lojë e bukur, e fortë, por them se Kukësi do marrë tre pikëshin dhe do largohet nga Korça i gëzuar, ashtu siç presin dhe përcjellin në fakt korçarët, me gëzim.

Për Partizanin nuk e di çfarë mund të them, por di që presidenti i Federatës sot e përshëndeti Partizanin për ecurinë në Europë dhe mirë bëri. Korçën dhe Kukësin nuk e përmendi fare por ndoshta ngaqë është bërë rutinë që Korça gjithnjë del kampion dhe ka kaluar ture apo edhe Kukësi ka kaluar ture. Besoj se ne jemi në rrugën e drejtë për të dhënë edhe rezultate të tjera befasuese qoftë brenda Shqipërisë, qoftë në Europë.

Është e vërtetë që kjo ndeshje nuk vendos gjë. Kjo ndeshje është si gjithë ndeshjet e tjera, por natyrisht ndryshon sepse është një ndëshjë që të dy ekipet pretendojnë për titullin kampion.

Edhe pse ky e ka marrë 6 herë dhe prap s’ngopet, por për hir të së vërtetës nuk e ka forcën ekipi i tij për ta marrë kësaj radhe. Kolegu im gjithmonë thotë që dua të marr titullin. 6, 7, 8, 12 tituj të marrë prap thotë dua të marr kampionat. Është një kërkesë ndaj vetes dhe ekipit dhe bën mirë që e bën, por ne besojmë që titulli këtë vit do shkojë drejt rrugës së kombit.

takaj gjici laska

Batutat për premtimin e Gjicit që do shkojë në Kukës në këmbë nëse fiton titullin dhe kundërpërgjigjen e Takajt që nuk dëshiron ta lodhë mikun e tij

TAKAJ: I qëndroj asaj deklaratës sepse e kam shumë mik dhe është rrugë shumë e gjatë. Nëse do shkurtojë distancën, atëherë do ta mendojmë, por për aq rrugë të gjatë s’do më vinte mirë.

GJICI: Une me titullin kam arritur deri afër tunelit, nga tuneli kam thënë që do shkoj deri në Kukës në këmbë. Besoj që ne jemi të palodhur ndaj e bëjmë dhe në këmbë rrugën. E kuptoj se sa i dhimbsem Takajt që të mos eci në këmbë, por s’ka problem. Le të marrim titullin se ecim dhe në këmbë. Biles do ta ftoj dhe presidentin e Korçës që të na shoqërojë dhe të vijë të festojë në Kukës me ne.

TAKAJ: Ne kemi objektiva të kundërt, është një kampionat që duam ta fitojmë të dy, është edhe një ekip i tretë që do ta fitojë. Më vjen mirë, se futbolli kështu duhet të funksionojë. Duhet që të gjitha ekipet të përfshihen në këtë frymë sepse është shumë e rëndësishme që futbolli të përjetohet si i tillë, se nuk është luftë, jemi ata që japim mesazhin për tifozërinë e klubeve që edhe ata të sillen në mënyrën e duhur në shkallët e stadiumit.

Marrëdhënia me Gjicin? Nuk është spektakël, është normale, unë kam sjellje të tillë me shumë presidentë të klubeve shqiptare, por e rëndësishme është të mos cënohet gara, ajo të mbetet e tillë, e fortë në stadium e në fushë. Edhe ne njerëz jemi, duhet të jetojmë jetën me qetësi.

A kam folur me Dajën? Akoma nuk e kam takuar ekipin që pas barazimit me Tiranën, nuk është se kam bërë ndonjë takim. Mund të shkoj nesër në Korçë dhe aty të flasim për gjithçka, për ecurinë dhe objektivat tona.

Skënderbeut, që ka edhe eksperiencën e gjithë këtyre viteve, nuk i lejohen këto gabime që në dy ndeshje radhazi të humbë katër pikë. Është humbje shumë e madhe për Skënderbeun sepse janë katër pikë në një moment që nuk duhej, sepse kishim një vazhdimësi shumë të mirë. E nisëm shumë mirë pjesën e dytë të kampionatit dhe këto gabime janë të pafalshme për të gjithë ekipin./panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: