Berisha: Marrim nga një thes plehrash e vëmë ne karriget e ministrave, Balla: Të fusim ty në thes dhe të vëmë atje

TIRANË- Nuk kanë munguar ironitë e batutat e kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme ndaj një pjese të mirë të deputetëve të opozitës, përfshirë dhe ish-kryeministrin Sali Berisha.

Para se të fliste për ligjin e mbetjeve, Rama e ka quajtur ‘kompetent për plehrat’ Berishën dhe tha se nuk mund të vijonte pa qenë ai i pranishëm në sallë.

Por nga ana tjetër, Rama e ka ‘mikluar’ Berishën duke thënë se mes të dyve ka një kulturë të përbashkët, kur përmendi emrin e një filmi shqiptar. Ndërkohë që Paloka ndërhyri nga vendi, Rama i tha: “Ti mos fol, është pjesë e kulturës së përbashkët mes meje dhe Saliut. Mes meje dhe kulturës tënde qëndron gjithmonë një pikë bastesh”.

Rama i është përgjigjur edhe deputetes së PD-së, Jorida Tabaku për ekonominë, duke theksuar para se ta përmendte termin “zonjë”, një term ky që hapi debate në një seancë të kaluar. Ndërsa deputetin Flamur Noka, Rama e quajti ‘bodiguard’, siç tha ai, një shkallë më lart se truprojat.

Batuta e Ramës për Berishën
“Sali po të prisja ty që të vija te plehrat, se pa të patur ty përpara s’flas dot për plehrat. Tani që erdhe do flas, se ti je kompetenti për punë plehrash”, tha Rama.

Batuta e Ramës përr Jorida Tabakut
E dëgjoj me kuriozitet recitimin e zonjës parafolëse dhe më mahnit aftësia për të folur kot, serioziteti që zonja përgatitet për të folur kot dhe më mahnit këmbëngulja në këtë mision të pamundur kotësie, i referohet forumit ekonomik botëror që është larg të qeni i influencueshëm nga ne dhe flet kot.

Faleminderit shumë që më jepni mundësi për të bërë diçka që mund ta kishim bërë më mirë, informimin e njerëzve. Mirë që jeni ju, bashkë me sa gjithollogë që i kemi mes nesh, si hudhër për të mos na marrë më sysh. Për ju ekzistenca krijohet nga fatkeqësitë e këtij populli. Kur shikoni ndonjë rast, turreni si mizat, i keni parë mizat kur turren te diçka që e pëlqejnë? Ashtu do ngecni dhe ju, ashtu do lloçni.

Rama për Palokën
Kur PD-­në e udhëhiqte ai që e udhëheq edhe sot, por atëherë ishte me kohë të plotë, ti (Paloka) me këta që e përfaqësoni, ju ishit në rreshtin e katërt. Se si dolët në rreshtin e parë nuk e di. Por këtë e kupton populli dhe sa herë shkoni përballë tij, aq herë do ngelni në klasë.

Replika e Palokës
Ndërkohë gjatë replikave pa mikrofon, kreu i grupit parlamentar të PD-së nuk ia ka kursyer Ramës as ironinë dhe as akuzat. Teksa kryeministri fliste për kulturë, Paloka i tha nga vëndi se “ti je kryeministri më injorant në historinë e Shqipërisë perfshi dhe ata të diktaturës. Më injoranti dhe më i pisti, aq i pisët sa edhe pse ke filluar të bësh dush kohët e fundit nuk të ikën era e keqe sepse pislliku yt nuk lahet dot me ujë e sapun”, – iu drejtua Paloka, Ramës. Ndërsa në një moment tjetër kur kryeministri tha që deputetët e PD-së janë bërë si mizat, Paloka ia ktheu: “po të ishim miza do vinim rrotull teje”.

Batuta e Ramës për Flamur Nokën
Jo Flamur nuk je tek shoqëruesit, por te badiguardët, je një nivel më lartë. Je në detyrë, vazhdo lufto me hijen tënde.

***

Duke krahasuar dy qeverisjet dhe investimet për Shkodrën, Rama tha se “as Topalli dhe as Saliu nuk kanë bërë gjë për Shkodrën. Mos flisni për këto punë. Se çfarë kemi lënë ne pa bërë dhe do t’i bëjmë mandatin e ardhshëm, e dimë më mirë se ju. Nëse krahasohemi se çfarë keni bërë ju dhe çfarë kemi bërë ne, është një soj si të krahasosh mesjetën me normalitetin e një vendi që jeton në mes të Europës”.

Por edhe një ‘përplasje’ ka ndodhur mes Berishës dhe Ballës. Ndërsa Berisha propozoi që në karriget e ministrave të vihen thasë me plehra, Balla tha se ‘duhet ta fusnin ish-kryeministrin në thes’.

Berisha: Kam një propozim marrim nga një thes plehrash e vëmë në karriget e ministrave
Balla: Është për të futur ty në thes dhe të vëmë atje

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb