Tradita shqiptare e varjes së kukullave të pellushit jashtë godinave, e cila i bën përshtypje shumë të huajve, por edhe vetë shqiptarëve, ka qenë në qendër të një reportazhi të përgatitur nga gazetarja e BBC, Elizabeth Gowing.
“Në shqip i quajnë thjesht majmunë, një fjalë që përdoret për kukullat e buta. Por përse i varin shqiptarët? Ka lidhje me fenë? Por përgjigja që vjen nga myslimanë apo katolikë është e njëjtë: feja nuk është e rëndësishme. Pronarët e shtëpive e pranojnë: është diçka më serioze- majmunët i mbrojnë nga syri i keq”- shkruan gazetarja.

Dikush i thotë gazetares se syri i keq është aq i fuqishëm sa mund të çajë një gur në dysh.
Gowing takoi një usta, që ka punuar edhe në Londër, i cili thotë se beson shumë tek syri i keq.
“Nuk e kisha varur majmunin tek godina dhe erdhi policia. Po më shkaktonin probleme. Djali im shkoi dhe e bleu një majmun dhe tani nuk kemi më probleme”- u shpreh ai.
Gazetarja thotë se askush nuk di të shpjegojë se nga erdhi ideja fillestare, e cila u përhap pas rrëzimit të komunizmit. Ajo shton se edhe hudhrat përdoren kundër syrit të keq, sikurse edhe kafkat e disa kafshëve.
“Këta majmunë janë idhujt e kapitalizmit. Më të fuqishëm se feja, madje edhe se nacionalizmi, në atë që dikur ishte një shtet ateist. Një nga shtëpitë që kam vizituar është në pronësi të një minatori në pension. Shtëpia e tij mbrohet nga një majmun gri, sa një fëmijë i vogël.”
“E vura sapo ndërtova shtëpinë. Ishte një flamur shqiptar, por atë e hoqa. Atë e vë vetëm kur ka festa. Majmuni qëndron gjithmonë”- shprehet ai.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: