TIRANË- Pas SHBA-ve edhe Bashkimi Evropian ka mbështetur përjashtimin e deputetit Tom Doshi nga grupi parlamentar i PS-së. Në një njoftim për mediat, ambasada e BE-së në Tiranë shprehet pro hapave për zbatimin e marrëveshjes mes maxhorancës dhe opozitës për dekriminalizimin e parlamentit.

“BE-ja mbështet hapat që nevojitet të ndërmerren për një zbatim të plotë të marrëveshjes mes partive qeverisëse dhe opozitare në Parlamentin e Shqipërisë, përfshi çështjen e individëve me rekorde kriminale të cilët mbajnë pozicione publike”, thuhet në deklaratën e ambasadës së BE-së.
Më tej, ambasada e BE-së, inkurajon luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si përparësi për Shqipërinë.
“BE-ja i jep rëndësinë më të lartë zbatimit të ligjit dhe zbatimit të plotë të shtetit ligjor, përfshi luftën kundër korrupsionit dhe krimit te organizuar, që janë përparësi kyçe për Shqipërinë”, përfundon reagimi i BE-së, pas zhvillimeve të fundit në PS dhe në vend.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb