Si fotografia e trevjeçarit sirian, Aylan Kurdi, të shtrirë në brigjet e Turqisë vitin e kaluar, kjo fotografi vendos fytyrën njerëzore mbi atë të fatit të më shumë se tetëmijë njerëzve që kanë vdekur në Mesdhe që nga fillimi i vitit 2014.
Kështu edhe fotografia e një bebeje të mbytur, emigrante, në krahët e një shpëtuesi gjerman, është shpërndarë të hënën nga një organizatë humanitare, që ka për synim të bindë Europën që të garantojnë një rrugë shpëtimi për emigrantët, pasi qindra prej tyre janë mbytur në Mesdhe.

“Foshnja, që duket se nuk është më shumë se një vjeç, u nxor nga deti të premten pas përmbysjes së një barke druri”, shkruan Reuters.

Dyzet e pesë trupa te pajete mbërritën në portin Italian të Reggio Calabria të dielën mbi një anije të marinës italiane, që nxori vetëm 135 të mbijetuar nga ai incident.

Organizata humanitare gjermane Sea Watch, që vepron me një barkë shpëtimi në det ndërmjet Libisë dhe Italisë, e publikoi fotografinë e marrë nga një kompani mediatike dhe që tregon shpëtuesin duke e përkundur foshnjen sikur të ishte duke fjetur.

Në një e-mail, shpëtuesi, që dha emrin Martin, por që nuk donte që emri t’i publikohej, tha se, ai e kishte parë fëmijën mbi ujë “si një kukull, me krahë të hapura”.

“I kapa parakrahun foshnjes dhe e tërhoqa trupin e brishtë, duke e mbajtur në krahë sikur të ishte akoma gjallë… Ai shtrinte krahët me gishtat e vegjël në ajër, dielli i shndriste përsipër, miqësisht, por sytë ishin të palëvizshëm”.

‘Shpëtimtari’, baba i tre fëmijëve, me profesion profesor muzike, shtoi: “Unë fillova të këndoj ninulla, por dukej se po këndoja që të qetësoja veten dhe t’i jap një lloj kuptimi këtij momenti kaq të rëndë, kaq zemërthyes… Vetëm 6 orë më parë, ajo fëmijë ishte gjallë”.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb