Një 40-vjeçar shqiptar ka dalë dje para bankës së të akuzuarve në Gjykatën e Landit në Dyseldorf, nën akuzën se ka hedhur nga dritarja të dashurën e tij 24 vjeçe. Shqiptari Ardi T., ka qenë partner i gruas, e cila para një viti u rrëzua nga lartësia prej 7 metrash (kati i dytë) në një shtëpi në Dyseldorf, shkruajnë mediat gjermane.

Sipas akuzës, Ardi T. e ka shtyrë me qëllim viktimën dhe ajo ka rënë duke pësuar lëndime të rënda dhe paralizë, transmeton albinfo.ch. Prokurori duke arsyetuar akuzën ka thënë se gruan e rrëzuar do ta shoqërojë gjatë gjithë jetës paraliza e shkaktuar nga rrëzimi.

Ai ka kërkuar dënim prej 11 vjet e gjysmë burg duke e akuzuar 40-vjeçarin për ‘goditje për vdekje’ dhe për ‘tregti me drogë’. Ndërkaq, prokurori ka hequr dorë nga akuza për tentim vrasjeje të rëndë.
Por, shqiptari dhe mbrojtja e tij ngulin këmbë se partnerja ka rënë vetë dhe ai nuk e ka shtyrë. Madje, sipas tij, ai ka qenë në oborr kur e ka parë gruan të rrëzuar. Më tej ai thotë se ajo ka qenë në varësi nga lëndët narkotike dhe se i ka vjedhur atij një shumë prej 1800 eurosh. Pastaj, në përpjekje për t`u fshehur, është rrëzuar aksidentalisht.

Mediat i kanë kushtuar shumë hapësirë këtij procesi gjyqësor edhe për shkak të një momenti kurioz: gjyqtari, për të ilustruar rrëzimin e viktimës nga dritarja, ka improvizuar një skenë të ndërtuar me blloqet e njohura për lodra fëmijësh “lego”.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb