KOSOVE – Politikani dhe biznesmenti Behgjet Pacolli ka bërë një bilanc të 35 ditëve të presidencës së tij dhe ka analizuar humbjet, që jo ai, por Kosova, pati nga ndërprerja e mandatit.

Ai shkruan: “Sado që mundohem të ndriçoj ata që ende s’e dinë, ata që s’duan ta dinë se çfarë kam bërë, apo që mund të bëja në role të caktuara, detyra ime mbetet e vështirë. Prapë kam ende bukur punë për të bërë.”

E bëj këtë hyrje për përkujtuar se 4 vjet më parë u ndërpre në mënyrë jokushtetuese mandati im si kryetar i Kosovës.

Kjo ndërprerje nuk ishte diçka e rëndësishme për jetën time që ashtu kështu ka qenë dhe mbetet bukur e plotë me suksese, arritje botërore, nderime të botës, të Shqipërisë, dhe begati personale dhe familjare. Ndërprerja e mandatit tim siç e treguan zhvillimet e 4 vjetëve ishte shmangie nga një rrugë magjistrale që unë nisa ta projektoja, ta hapja, ta ndërtoja sipas modeleve më të mira botërore. Ndaj dhe sot e ndiej të nevojshme të sqaroj këtë moment kruçial dhe të bëj njëlloj bilanci.

Me largimin nga Presidenca, – vëren Pacolli, – unë s’pagova kurrfarë çmimi, por atë e pagoi qytetari dhe Kosova. Jemi në situatën kur vërtet s’ka zot shtëpie dhe unë u përpoqa shumë që ta bëja të zotin e shtëpisë ashtu si duhet të jetë kryetari i shtetit dhe për më shumë kryetari i një shteti të vogël dhe të ri.

E rrita imazhin ndërkombëtar të Kosovës: solla personalitete të mëdha të politikës botërore, të sportit botëror, u ftova nga presidentët e Italisë, Francës, kisha ftesa për vizita të nivelit të lartë në Hollandë, Gjermani, SHBA, vende afrikane, etj. Kisha shumë ftesa nga presidentë të ndryshëm dhe prej asaj pozite, procesi i njohjeve të shtetësisë së Kosovës do të përshpejtohej. Ku është sot ky proces, me largimin tim?

Unë nisa të jetësoja ndoshta procesin më të madh historik të kombit shqiptar në shekullin e 21-të, afrimin e dy pjesëve të kombit në një projekt institucional, që Arben Xhaferi e ka quajtur Komunuelth Kombëtar. Ishte martesa e ideve të iluminizmit intelektual me vizionin ekonomik global, që do ta nxirrte anijen shqiptare në një liman të qetë dhe të sigurt. E kisha parathënë më parë si ndërmarrës me themelimin e Unionit të Ndërmarrësve shqiptarë në botë; me krijimin e Fondacionit për zhvillimin ekonomik të Europës Juglindore, dhe e potencova si President në Parlamentin e Shqipërisë.

Thashë qartë, pa komplekse dhe ndoshta e pagova mu për këtë me largimin tim nga detyra: duhen institucione të përbashkëta kombëtare për ekonominë, arësimin, kulturën, për drejtësinë! Qeveritë duhet të takohen periodikisht sipas modelit frankogjerman, atij të Bashkimit Europian apo nordik. Dhe nuk thashë vetëm diçka që u duartrokit nga dy krahët e politikës shqiptare si kurrë më parë: unë kam paraqitur projekte konkrete për Tregun Energjitik Kombëtar, për heqjen e barrierave doganore dhe të çdo natyre për qarkullimin e mallrave, njerëzve, kapitaleve; për vitalizimin e Rrugës së Kombit; për realitete të reja hekurudhore, ajrore, për kompani të përbashkët të sigurimeve shëndetësore, për spitale të përbashkëta, etj, etj

Kjo qasja ime nuk ishte ngushtësisht kombëtare, ngushtësisht nacionaliste dhe unë s’kam kurrfarë kompleksi ta potencoj këtë. Unë jam kozmopolit, jam njeri i botës,”- ka theksuar politikani kosovar ndër të tjera.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: