NGA MARIGLEN MERTIRI

TIRANE- Nxënësit e katër shkollave 9-vjecare të kryeqytetit, nga janari, do të bëjnë detyrat me mësues të dedikuar në klasë, edhe pas përfundimit të mësimit në mesditë. Fëmijët do të qëndrojnë deri në orën 17:00 të pasdites duke ju dedikuar vëmendje në mësimet e tyre dhe ushtruar pasionet në art dhe sport.

Ky projekt pilot do të fillojë të zbatohet tek shkollat e reja apo të rikonstruktuara së fundmi që kanë edhe mensa, si “Betim Muço” në Kombinat, “Ardian Klosi” tek Bregu i Lumit, “Shkolla e Kuqe” dhe “Hasan Tahsin”.

“Përfitues do të jenë rreth 3 mijë fëmijë dhe në 4 shkolla. Do pilotohen 4 modele të ndryshme të ofrimit të vaktit të drekës. Do ofrohet vakti i drekës për të shtyrë afatin e qëndrimit të fëmijëve në shkollë, për aktivitete social-kulturore dhe për të bërë detyrat e shtëpisë. Duke zgjatur procesin e ndenjes në shkollë dhe duke u kujdesur disa mësues të posaçëm për kryerjen e detyrave të shtëpisë. Pritshmëria jonë është që fëmijët të kenë rezultate akademike shumë më të mira se ato që kanë pasur deri tani”, shprehet Anisa Ruseti, drejtoreshë e Shërbimit Social në Bashkinë e Tiranës.

Bashkia e Tiranës këtë projekt do e paraqesë për miratim në këshillin bashkiak këtë të enjte, pasi kostoja e përgjithshme për 6 muaj zbatim nga janari në qershor 2018 kap shifrën e 35 milionë lekëve. Por në këtë nismë nuk mbeten pas as prindërit të cilët kanë rënë dakord që në disa shkolla të kontribuojnë për drekën e fëmijëve të tyre e cila për çdo ditë ushqim vlen 160 lekë.

“Tek një nga shkollat ushqimi do jetë 100% ushqimi nga bashkia, në një tjetër shkollë do të jetë 50% prindërit dhe 50% bashkia, në një tjetër shkollë ushqimi do të ofrohet 100% nga prindërit dhe në shkollën tjetër do të merret ushqimi me vete për të mos pasur efekt financiar për vaktin ushqimore. Në të 4 shkollat ku fëmijët vijnë nga familje me ndihmë ekonomike, vakti do të jetë i ofruar nga bashkia”, tha drejtoresha e Shërbimit Social në Bashkinë e Tiranës.

Edhe koha e qëndrimit të fëmijëve parashikohet të jetë më e reduktuar për ata më të vegjlit.

“Ne gjykimin tonë fëmijët e parashkollorit apo ata deri në klasë të 5 do duhet të shpenzojnë më pak kohë të qëndrimit në shkollë krahasuar me fëmijët e tjerë. Gjithsesi ky është një projekt pilotimi besojmë që gjatë kohës që do pilotojmë do kemi edhe mundësitë tona për ta replikuar për modelin që do të na dalë më i suksesshmi”, u shpreh Ruseti.

Bashkia e Tiranës është e para bashki që pritet të konkretizojë projektin pilot “Të bëjmë detyrat e shtëpisë”. Ndërkohë që Ministria e Arsimit pritet të ketë bashkëpunim për këtë projekt pilot edhe me 4 bashki të tjera në 4 shkolla të tyre.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb