Nga Mentor KIKIA

Ky djalë, Beniamin Ferati, ishte në lulen e rinisë, vetëm 24 vjeç. Ai humbi jetën në përpjekje për të shpëtuar jetën e dy vajzave, që po mbyteshin në plazhin e Zvërnecit, në Vlorë.

Lajmi për tragjedine e trefishtë u përcoll me tragjizmin që meriton një ngjarje e tillë. Të gjithë iu referuam listës së viktimave, sipas policisë.

Por vetëm kaq.
Të riun nga Tetova mediat tona, në pjesën dërrmuese, e trajtuan si viktimën e radhës në det, a thua kishte pësuar infarkt. “U mbytën dy vajza dhe një djalë që kishte hyrë ti shpëtonte ato”.

Në fakt ky djali që kishte hyrë ti shpëtonte vajzat që po mbyteshin nuk është thjeshtë një viktimë deti.

Ai bëri një akt heroik, një akt që meritonte e meriton tërë mirënjohjen e shoqërisë shqiptare dhe media duhej të jëpte e para sinjalin e kësaj mirënjohjeje.

Mendoni pak sikur ky djalë të ishte kapur duke përdhunuar një vajzë në pyllin e plazhit të Zvërnecit.

Fotoja e tij do të ishte bërë poster në të gjithë mediat, do të shpërndahej nga riprodhuesit e lajmeve të zeza në rrjetet sociale, për ditë me radhë.

Vetëm fare pak faqe online komentuan shkurt veprimin e tij prej heroi.
Ndërsa shumë te tjera iu referuan thjeshtë si “një viktimë e seksit mashkull”, sic raportohet në njoftimet e policisë.

Ne që rendim të bëjmë heronj lloj-lloj kriminelësh e grabitësish, duke u rrëmuar e publikuar fotot e tyre që nga fëmijëria, kishim një hero dhe e trajtuam pa shumë mirënjohje.

Ai nuk duhej lënë të kalonte kufirin si një viktimë spitalore. Në një shoqëri ku sundon mizerja, ne kemi nevojë për të tillë heronj.

Po, këta janë njerëzit që duhet të ngrejmë e tundim si flamuj të modelit shoqëror, jo hajdutët e vrasësit. Dhe Beniamini është një prej këtyre modeleve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb