TIRANË – Ish-Kryeministri Sali Berisha e ka konsideruar fitoren e “SYRIZA”-s dhe të Kryeministrit Tsipras në Greqi njësoj si fitoren e së majtës më 23 Qershor 2013 në Shqipëri: Me premtime dhe mashtrime.

Këtë deklaratë Berisha e ka bërë sot nga studioja e “News 24”, ku ai ishte i ftuar nga gazetarja Eni Vasili në emisionin “Studio e Hapur”. Përballë z.Berisha me pyetjet e tyre ishin edhe dy gazetarë të tjerë, kryeredaktorja e “News 24”, znj.Anila Jole dhe kryeredaktori i “Gazetës Shqiptare”, z.Erl Murati.

Z.Berisha tha, lidhur me marrëveshjen e detit ndërmjet dy vendeve, se ai është plotësisht dakord të zbatohet vendimi i gjykatës dhe këtë çështje tani në Gjykatën e Hagës me siguri do ta ndjekë Kryeministri i ri grek. Në këtë pikë ai vuri në dyshim nëse Shqipëria mund të marrë atë që i takon nga kjo marrëveshje, pasi “qeveritarët aktualë duhet të kenë kredenciale të larta, që sipas tij, nuk i kanë.”

Ish-Kryeministri, i pyetur për krimin e organizuar, theksoi me forcë se ai është i lidhur dhe i drejtuar nga Kryeministri aktual dhe ministrat e tij. Madje, ai e konsideroi edhe kupolën e PS-së, si kupolën që mbron e fsheh krimin, duke përmendur rastin e Kostandin Xhuvanit dhe të Emiljano Shullazit. Në këtë pikë, ai rrëfeu se disponon fakte që Kostandin Xhuvani nuk është ndaluar nga policia. Madje, policia i ka thënë “ik”, por ka qënë një kalimtar, me një motor, që i ka ndërprerë rrugën dhe sot, ky djalë me emrin Enver Basha, dëshmia e të cilit u refuzua nga policia, është klandestin.

Lidhur me bandën e fundit, atë të kapur në Xibrakë, po ashtu z.Berisha solli fakte dhe e konsideroi atë bandë si “Hakmarrja për drejtësi”. Ai tha se njeri prej të arrestuarvm, Gentian Gjonaj është mik për kokë me Olsi Ramën, vëllanë e Kryeministrit, i faktuar jo me dreka, por me disa dokumenta të tjera.

Pyetjes “a i rëndojnë PD-së në ndërgjegje, vrasjet e 4 protestuesve më 21 Janar”, ish-kreu i Qeverisë iu përgjigj shprehimisht “Jo, absolutisht, PD-ja nuk ka vrarë asnjë njeri. Nëse do të kishte një urdhër “qëlloni”, natyrisht do të ishte ashtu.”

Në përfundim, ish-Kryeministri vlerësoi vendimin e marrë nga z.Basha për hyrjen në zgjedhjet lokale. Ai hodhi idenë se do të ishte shumë mirë sikur në 21 Qershor të zhvilloheshin dy palë zgjedhje, edhe ato të parakohshmet.

I pyetur për kandidaturën e z.Basha për këto zgjedhje, z.Berisha tha se z.Basha do të ishte kandidati i duhur për Kryeministër në rast se do të zhvilloheshin zgjedhjet e përgjithshme, ndërsa për bashkinë e Tiranës, gjykoi se ky ishte vendim i z.Basha.

Përsa i përket kandidatëve të majtë hipotetikë për Tiranën, si Kryemadhi, Veliaj, Pandeli Majko, ai tha me ironi se shanset më të mëdha do t’i kishte kandidati i fundit, nëse do ta lejonte Kryeministri.

PYETJET DREJTUAR Z.BERISHA NGA TE TRE GAZETARET

Z.Berisha, e nisim me zhvillimet e fundit në rajon. Si e konsideroni fitoren e Tsipras në Greqi?

Në Greqi, të dielën e kaluar, ndodhi një 23 Qershor i Shqipërisë. Grekët, të stërmunduar nga një krizë “lubi”, kërkuan të provojnë një opsion tjetër, opzionin e Tsipras, që me karizmën e tij e sheqeros me premtime të marra nga kushëriri i tij Edi Rama. Njerëzit në vështirësi, kanë prirjen të besojnë. Shqipëria nuk pati vështirësi, por qe faktori emigracion që pakësoi ndihmën e etj.

Por, janë të krahasueshëm dhe të pakrahasueshëm këta. Të krahasueshëm, sepse kanë një origjinë të pastër. Tsipras është produkt i rinisë komuniste greke, mbështetur nga një maniak i pasur grek i rajonit. Rama vjen nga blloku komunist. Pse unë i bëj këto krahasime? Sepse vetëm ata u marrin votën qytetarëve. Ata ngjajnë për nga premtimet dhe programi.

Në rrafshin europian, unë e konsideroj si një zhvillim politik. Pasardhësit e dy dyerve të mëdha greke kishin një mentalitet të prapambetur në lidhje me shqiptarët. Nuk ka pasur më antishqiptar se Xhorxh Papandreu që në dukje ishte një “nice man”. Tsipras nuk e ka këtë.

Po Karamalis?

Jo, Karamalis nuk kishte profilin e këtyre. Atë e kam pasur mik. Por në tërësi, pasardhësit e dyerve të vjetër të pushtetit kishin një ngarkesë jopozitive ndaj shqiptarëve.

A mendoni se politika e jashtme greke është një vijimësi, pavarësisht Kryeministrave që vijnë?

Është komplekse. Kur unë kam gjetur kryeministra që shkruanin se Milosheviçi po shkruan historinë…Mund të jem i gabuar, por Tsipras do të përcaktojë një politikë të re. Ai ka thënë një gjë në parlament. “Çfarë jemi ne këtu?! Jemi grekë dhe shqiptarë!”

Z. Berisha, po ai nuk i ka mbështetur sulmet e NATO-s në Kosovë?

Po ai është komunist, është anti-NATO. Por unë mendoj se do të pastrojë hijet që kanë ekzistuar ndërmjet nesh. Edhe pala shqipare duhet të bëjë pjesën e vet.

Po për marrëveshjen e detit, çfarë mund të thuhet?

Metoda e proporcionalitetit, siç e tha edhe Venizelos, janë zgjidhur, me përjashtim të rasteve të këtushme, Kur gjykata e rrëzoi, unë, autoriteteve greke, me të cilat kam pasur një diskutim të sinqertë dhe të hapur, u thashë se vendimi i gjykatës është i prerë dhe as më shkon në mendje ta vë në diskutim. Le ta çojnë në Gjykatën e Detrave. E vërteta është se nuk qenë kundër. Kërkuan vetëm që të shkojnë në Hagë, sepse kryetari atje ishte grek. Kurse këta zëvendësuan doktrinën e interesit kombëtar me doktrinën “zero problem”. Dhe shkuan në Hagë. Për çudi ishte Venizelos ai që adoptoi këtë qëndrim. Tani mendoj se do të jetë Tsipras ai që do ta vazhdojë këtë.

Përse nuk mund të marrim atë që na takon nga negociatat për detin?

Duhet të kenë kredenciale të larta këta qeveritarë, që nuk i kanë.

Z. Berisha, mund të na shpjegoni se çfarë është një stinë protestash?

Bandat e sotme janë tre herë më të mëdha se ato që ishin, janë banda që lëvizin mbi mallet e kokainës dhe kanë kapur direkt kreun e qeverisë dhe ministrat. Po marrim rastin e Kostandinit. E lëmë që ekzekutoi të parin dhe e futën Luizën në Parlament, por më pas? Rama del me nënën e kriminelit në media dhe jo me nënat e viktimave. Ka dhe një ngjarje tjetër. Ky është Enver Basha. Ai pa katër viktima. Ai pa se polici i tha Xhuvanit “Ik, nisu”. Pa se Xhuvani shoqërohej nga një djalë tjetër. Por ky djalë patriot, i del para me motor dhe i thotë “Ndal aty kriminel, se ke vrarë katër vetë”. Vjen polici aty dhe revolen ia hedhin të birin të Demirit.

Ju po thoni se Kostandinin e kanë ndaluar kalimtarët e rastit?

Po, e ka ndaluar Enver Basha! Gjithçka unë them këtu është dhënë nga TCH e më pas është injoruar. Këtij i premtoi flori ai, jo policit. Kontrolloni arkivën. Dhe armën ia hodhi Demirit. Po më pas, pronari i lokalit vrau veten. Basha donte të denonconte tek Didi, por s’e pranonin.

Cili është qëllimi, sipas jush?

Shikoni kronikën e parë të TCH. Nëse Enver Basha do të merrej dëshmitar, do të dilte që policia i tha ik, Kostandin Xhuvanit. Do të dilte që nuk e çuan në ambulancë djalin e Demirit, por i hodhën revolen dhe e lanë të vdiste, që të thoshin se e vrau ky. Përpjekjet u bënë të tmerrshme.

Ju e konsideroni se edhe prokuroria është e përfshirë?

Nuk kam asnjë të dhënë siç kam për policinë. Se kjo e policisë është e filmuar.

A keni më shumë informacion nga Enver Basha?

Të gjitha këto janë nga familjarët, por djali ka ikur klandestin. Se djali që të bënte gjithë këto deponime, duhet të kishte një farë mbrojtjeje.

Z. Berisha, a janë të vërteta të gjitha këto? Se për shembull ishte rasti i makinave të Ermal Hoxhës, që u përgënjeshtrua.

Jo, u përgënjeshtrua nga Nexhmije Droga. Hoxha lëvizi jashtë vendit me mbi 30 makina, ky është fakt. Mos harroni se Neritan Nallbati u hoq nga ministria për shkak të “Hakmarrjes për Drejtësi”. Kjo është banda e Hakmarrjes për Drejtësi. Gentian Gjonaj është nipi i Hajredin Shytit.

A mendoni që është sukses i shtetit shqiptar, nëse është aq alergjike t’ia japësh meritën qeverisë, a është një arritje kjo?

T’i marrim gjërat siç janë. Do të ishte arritje nëse në këtë bandë nuk do të ishin të implikuar zyrtarë të nivelit më të lartë. 9 muaj më parë kam denoncuar Kryeministrin, vëllain e tij, se ka indicie që është i implikuar në rrjetin e kokainës. Unë u nisa nga një anëtar i grupit të tyre. Ai ishte në Boston. Ai më tha se kanë qënë bashkë, se kam punuar me ta etj. etj.

Këtë akuzë ju e keni bërë edhe më parë…

Akuzat e mia nuk janë përgënjeshtruar. Gentian Gjonaj është mik për kokë me Olsi Ramën, i faktuar jo me dreka, por me disa dokumenta të tjera.

Ju pse nuk i çoni këto fakte në Prokurori?

Janë dokumente zyrtare ato, me siguri i kanë. A mund t’iu bëj një pyetje unë juve? Tërë ai impiant i fuqishëm, a duhet të kishte një roje ai? Roja është vëllai i Luan Pobratit. Dëshmitarët e kanë parë me sytë e tyre duke e ruajtur atë kanë thënë se ishte. Ai impiant kishte sistemin e rojeve. Kushërira e Gentian Gjonaj, që sipas disa indicjeve, është në Vlorë e afërt me Ramën.

Po për Lazaratin? A bëtë gjë për trafikantët?

Që nga janari i vitit 2011, policia e shtetit ka ndaluar në total 507 persona për trafikim drogash dhe qindra të tjerë në kërkim. Problemi ka se këta të bëjnë një shpëlarje truri me raporte, por ka me dhjetra raporte që dëftejnë luftën kundër drogës. Sipas statiskave të policisë, arritjet e 2013-ës, tejkaluan të dhënat e një viti më parë.

Kini parasysh, një prodhim që e ka çmimin këtu 200 mijë dolarë zgjidhe ti nëse bëhet 2 milionë dolllarë në Itali, zgjidhe ti. Por këtu në Shqipëri shitej 200 mijë dollarë. Ata kanë marrë aty bykun e tre viteve. Ne atje në Lazarat u prisnim ujin atyre.

Doni tjetër? Partneriteti i vendit me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit janë zgjeruar, 41 operacione të përbashkëta. Në vitin 2012, janë arrestuar 729 persona. Këto janë raporte ndërkombëtare. Pra, ka pasur një luftë nga më të vendosurat kundër drogës dhe pa këtë luftë, Shqipëria nuk mund të futej në NATO dhe as të merrte vizat.

Ju i keni komentuar, arrestimet e fundit, jo si luftë të qeverisë kundër bandave?

A nuk ishte Shullazi që terrorizoi qytetin përgjatë gjithë natës? Çfarë bëri Tahiri me Didin? Unë juve u ndiqja kur raportonin. Mediat thoshin se Shullazi ishte plagosur, Didi ndërhynte e thoshte nuk është plagosur. Se ndryshe do të kishte lajm. Ai pati guximin t’u thoshte shqiptarëve se ngjarjet e asaj nate ishin të palidhura. Ato ishin aq të lidhura sa lidhja e Çipuas me Genci Xhixhën. Shullazi është arrestuar disa herë, por është liruar nga Ina Rama dhe i është shkurtuar dënimi nga Bamir Topi. Vasilika me Aldo Baren i kanë vënë altoparlantin dhe ky është zënë me ta. I kanë kërkuar policisë t’i arrestonte, por polici s’e bënte pa denoncim. Shullazin ne e kemi denoncuar disa herë si mikun e Shullazit. PD-ja e ka denoncuar. Ja ku e ke Flamur Nokën në parlament, nja 15 herë, që ia ka thënë pasardhësit të tij. Dhe Cipa del në media e thotë se janë ngjarje të ndryshme, aq sa është e ndryshme miqësia e Cipës me Genc Xhixhën.

Ne përkujtuam para katër ditësh një ngjarje të dhimbshme, ku katër persona humbën jetën. Ju që keni qenë kryeministër në atë kohë, mendoni se mund të ishte menaxhuar situate ndryshe, mos të kishte viktima?

Unë mendoj që ai që i solli për viktima. Merr Ziver Veizin, që i kërkoj ndjesë familjes që po i referohem. Çfarë i tha ai familjes? Merrni armët të luftoni Sali Berishën. Kundër kujt erdhi ai, Marku, të protestonte? Ai erdhi për bllokun e Ilir Metës. Ku është blloku i Ilir Metës tani? A ka moral njerëzor këtu apo jo? Ata erdhën për bllokun e Ilir Metës. Edi Rama, në vend të bënte kauzë, kauzë e tyre, bëri kauzë atë të Ilir Metës.

A i rëndojnë në ndërgjegje PD-së këto katër vrasje?

Jo, absolutisht, PD-ja nuk ka vrarë asnjë njeri. Nëse do të kishte një urdhër “qëlloni”, natyrisht do të ishte siç thoni. Jashtë ndërtese, nuk ka urdhër. Ata ishin jashtë ndërtese. Unë isha i rrethuari. Unë isha në detyrë. Ky që i solli mendoi se unë do të braktisja zyrën.Pse gjuajti Garda? Sepse e gjuajtën me mijëra herë. Dhe gara ka një ligj që s’e ka bërë Sali Berisha.

A është një minus i madh për ne që nuk dimë të mbrojmë protestuesit?

Absolutisht po. Kemi pasur dy protesta të dhunshme, të tjerat të qeta. Kurrë nuk është kufizuar e drejta e protestës. Por, sot Shqipëria ka numrin më të madh të të paraburgosurve, 39 mijë. Urdhëro një letër që ma dërgon sot një qytetar për këtë punë. Sot në Shqipëri po ndodh një terror i madh policor nga një njeri që ka kënaqësinë e tij më të madhe hekurat dhe prangat. Çfarë padrejtësie kishte bëri ai në Lushnje?! Janë arrestuar 39 mijë shqiptarë. Kjo situatë do përkeqësohet më shumë. Gjithçka këtu është CEZ-i. Po gjobiten shqiptarët për CEZ-in. S’mund ta pranoja unë marrëveshjen me CEZ-in, se donte të thoshte 620 milionë lekë fatura. Ata që erdhën tek unë morën përgjigjen jo. Avokati në arbitrazhin ndërkombëtar na tha se e kemi çështjen të fituar. Ky sa erdhi bëri një marrëveshje të fshehtë për gropën. Dhe për të ekuilibruar këtë balancë, po u merr shpirtin shqiptarëve.

Por a ka një problem me vjedhjen e energjisë në Shqipëri?

Kur erdhëm në pushtet ne në 2005-ën, kishte qytete që nuk e paguanin dhe ne arritëm që në 2007 të ulnim humbjet e KESH-it në 34%. Nuk bëhet menaxhimi me arrestime. Unë them që nuk duhet të vidhet.

Por ka shumë qytetarët që thonë pse e keni lejuar vjedhjen?

Kur e kemi marrë KESH-in, ishte me ulje 34% të pranueshme. Pse e mori CEZ-i atë?! E gjithë kaskada e turbinave është rehabilituar me teknologjinë më të lartë franceze. Është shtrirë rrjeti 20 kv në pjesën më të madhe të Shqipërisë. CEZ-i ishte ndërmarrja më e madhe energjitike në Evropë, falimentoi edhe në Bullgari. Ai donte të largohej me çdo kusht. Drejtori që e menaxhoi u tregua i pandershëm. Na i zbrazi digat. Ai, e dini ju që këto para që po mblidhen po vidhen! Po vidhen lehtësisht nga lukunia shtetërore. Pa fakte nuk flas dhe po hetoj. Çfarë janë ëkta hajdutë që po dalin çdo ditë në OSHEE? Këta janë të gjithë të ardhur të rinj, këta janë “lizat”. Në të gjithë historinë e këtij shteti ti nuk gjen një Liza Tafaj. E di si thonë në Evropë këtë? E di si e quajnë? Prostitucion shtetëror. Ne jemi mësuar dhe e kalojmë këtë, por ata jo.

Por kemi pasur edhe një rast në rang ministri, mos harroni…

Jo, këtu bëhet fjalë për organizim shtetëror. Mos harroni edhe vajzën në spital.

Çfarë do të bënit po të ishit tani Kryeministër?

Po të isha kryeministër do të bëja amnisti.

Po roli i prokurorisë?

Prokuroria është në presion të jashtëzakonshëm. Aty në Gjykatën e Apelit dhe Faktit ia mbathën të gjithë. Vetëm kryetari mbeti dhe nuk kishte kush gjykonte. Shko pyete Hajrie Gërxhalliun në Kukës. A i tha ky që t’i pres këmbët?! Sot gjyqtarët dhe gazetarët janë nën presion të jashtëzakonshëm. Çfarë ishte ai që kërcënoi Çanin? Këta e dinë mirë kush ishte.

Z.Berisha, 3 ndër 4 statuse tuajat janë kundër gazetarëve në FB…

Jo, unë jam kundër “papagajve”. Sa i përgjegjshëm është gazetari të thotë se Berisha mori në telefon Riformatën për të hedhur rrotën? Si mund ta nxjerrë këtë? Apo “papagushka” tjetër që thoshte se Rama prishi katin e dytë, po jo katin e parë, nga dhembshuria se aty banonte një familje. Unë s’kam sulmuar asnjë gazetar. I kam pasur marrëdhëniet të shkëlqyera gjithë jetën me gazetarët. Edhe në diktaturë dy miqtë më të ngushtë gazetarë kanë qënë, si Qemal Sakajeva.

Thoni se prokuroria është nën presion dhe situata po degradon si në 1997-ën…
Dua të them se krimi ka shumë dorë këtu. Kur në sulmin e përplasjes është kërcënuar kryetari i opozitës, kur ai sa doli, sa e shpëlau Drejtori i Policisë, shkoi direkt në lokal dhe kërcënoi. Shqipëria është duke shkuar drejt destabilizimit të gjithashëm në të gjitha drejtimet. Lidhjet e kryeministrit me bandat, me Shullazin dhe Hakmarrjen për Drejtësi. Ka qënë një bandë në Tiranë, ishte Denis Gina. Ai, në kinemanë e parë që ndërtoi në Tiranë, e vuri drejtor. Nga drejtor, atë e vranë më pas. A e dini se çdo ditë ka me dhjetra gjoba ndaj biznesit?!

Po për lidhjet me bandat?

I kam thënë Ramës në Parlament se lidhjet e tua me bandat janë universale, pot ë duhet kurajo mbinjerëzore të shkëputësh prej tyre, se shqiptarët të aministuan ty duke të votuar. Ne jemi vendi I parë që kërkuam dekriminalizim. Kam pasur në zyrë Reporterin për Europën. E pieta: A keni ju vrasës dhe kriminelë në Parlament? Kurrë, tha ai.

Po ku janë këta 20 vrasës?

Jo vrasës, 19 të kriminalizuar e asnjë prej tyre nga radhët e PD-së.

Një ndër të akuzuarit, z. Ndoka, ka qënë në administratën tuaj.

Po, ka qënë nga PDIU-ja drejtor. Pse u tërbua ai kur e shkarkova sa e mora vesh. Fisi i tij, demokrat. Fis i gjerë. Më thanë se ky ikën, ky na dëmton. Le të ikë. E mori dhe e futi në listë Edi Rama.

Mos harroni se të tillë persona kanë dalë në fotografi me drejtues të policisë suaj.

Po, vëllai i Mark Frrokut, që ka qënë President i Tërbunit. I ka njohur dhe ka dalë në foto me ta. Që krimi tenton të shtrijë tentakulat kudo, është e vërtetë, por PS-ja është kubeja. Statistikat tani tregojnë se me tritolet, maskat, po ecet drejt 1997-ës.

Po për korrupsionin? 533 zyrtarë në 16 muaj janë dërguar për çështje penale. A është kjo shenjë e luftës kundër korrupsionit?

Unë mendoj se korrupsioni sot është më galopant se kurrë. Ministrat përdorin familjarët e tyre për të vjedhur fonde publike gjithë ditën dhe gjithë natën. Kjo nuk ka ndodhur kurrë. Ajo që ka ndodhur me ministrin Veliaj, që tenderat i fiton vëllai, – gjenial; ajo tjetra që vëllanë e bën drejtor dhe nga drejtor, aktor, që të futet në projektet e Teatrit. Apo ajo tjetra ku i biri tenderon për të atin apo ato në Ministrinë e Shëndetësisë. Thanë se do bëjnë kontrollin e 40 deri 60-vjeçarëve. Tani thanë se nuk e bëjmë ne, por do gjejmë një kompani tha organizuesja. Dhe del “Hirushja” Vilma Nushi, “Hirushja” Vilma Nushi. Çfarë do bëjë kjo? Kjo do të blejë reagent, epruveta e do të paguhet. Po a nuk mund t’i bëjë këto ministria? Pse duhet t’i bëjë këto sponsorja kryesore e PS-së? Që ka dhe konflikt interesi për tregtim alkooli. Është edhe “Hermesi”, kurse helikopteri i Tahirit nuk përmendet askund. E di si më duket mua sot Anastas Angjeli, i bardhë si bora.

Po çfarë i ndodhi Angjelit gjatë qeverisjes suaj? Në 8 vite në pushtet nuk keni asnjë qeveritar të lartë të dënuar për korrupsion.

I mbronte Ina Rama. Fiks.

Po a janë prokurorët nën presion? Ju a e keni kërcënuar Ina Ramën?

Le të thotë ajo nëse e kam kërcënuar. Fyerje po, por jo kërcënim. Ajo ishte në puç dhe unë isha shumë i vendosur për të shtypur puçin.

Ju nga njëra anë denonconi aferat korruptive të ministrave dhe nga ana tjetër mbroni prokurorët. Ndoshta pse Llalla ishte zgjedhur prej jush?

Aty ka njerëz të ndershëm, por edhe elementë të caktuar të rrezikshëm dhe një nga këta kërcënuesit e gjykatëve është prokuror. E majta e ka përdorur Sallakun. Si e përdori Arben Rakipin? Ai firmosi akuzën për krime kundër njerëzimit ndaj Sali Berishës ndërkohë që Milosheviçi s’e kishte marër akoma akuzën. E mori tetë muaj mbrapa. Aty ka hibridë nga më çnjerëzorët që ekzistojnë. Unë s’mund të them se s’ka lëvizuar asgjë në prokurori, por ata kanë mbrojtje të fuqishme ligjore.

A ka ndonjë pakt ndërmjet PS dhe PD sa herë ndodh rotacioni, që të mos bëjnë akuza konkrete me dosje? A ka ndonjë lloj pakti të heshtur për të garantuar imunitet.

Absultisht jo. Marrim Fatos Nanon. S’më intereson se çfarë bëri për PS-në, por ai ka një meritë për shoqërinë. Ai bëri rotacionin paqësor të pushtetit. Partia e tij erdhi me dhunë në pushtet. E them unë që I ëprzura me votë, rebelët që erdhën në 97-ën, po s’mund të mos ia njoh meritën atij, të jem I ndershëm. Janë çuar me dhjetra dosje, por t’i çoje te Sollaku ishte si t’i hidhje në pus. Ti nuk ke dëgjuar asnjë nga këta prokurorë si Sollaku, si Rama, që Sali Berisha më bëri presion. Përkundrazi, mbështetje të plotë për çdo dosje. Nuk ia kam lejuar vetes kurrë. Këtu ka një problem themelor, kupola e PS-së është avokate e tmerrshme e korrupsionit.

Të kalojmë tani tek opozitarizmi, tek harta e re terrotoriale. A mund të themi se do kete zgjedhje me kete harte?

Unë përshëndes kryetarin që ka vendosur të shkohet në zgjedhje me këtë hartë. NUk ka hartë më të tmerrshme se kjo, por vendimi i gjykatës nuk mund të kthehet. Sepse nuk mund të bëhemi vetë gjykatës. Vendimi i kryetarit është për t’u përshëndetur.

Si i shikoni rezultatet e zgjedhjeve me këtë hartë?

Hartën këta e kanë ndarë 52 me 9. Këto janë statistikat, por zemra dhe mendja e njerëzve do thojë diçka tjetër. Sepse revolta është ngritur shumë. E kuptoni, 20 vetë në një qeli, kurse kupola është në kafene e hotele me luksin e tyre.

Z.Berisha, vetë z.Basha nuk e ka thënë me plot gojën se do shkohet në zgjedhje, ndoshta edhe për arsye taktike.

E gjithë mendja ime është të kemi dy palë zgjedhje atë ditë, edhe lokale, edhe të përgjithshme. Kësaj qeverie i ka mbaruar benzina me kohë.

Nëse do kishim dy palë zgjedhje, z.Basha a do të ishte kryebashkiaku apo kryeministri?

Z.Basha do të ishte kryeministri, pa asnjë dyshim. Pra, këtë e them që njerëzit të mos kapen gafil, nëse ndodh kjo e dy palë zgjedhjeve, se edhe mund të ndodhë.

Ju po hidhni idenë e zgjedhjeve të parakohshme? Si e hidhni?

Që të mos dalë që masa të sjellë zgjedhjet e parakohshme, duhet që edhe politika të jetë në lartësinë e tyre. Problemi është se unë këtë e hedh këtu dhe qytetarët e gjykojnë vetë: më mirë të durojmë shtetin policor, të bëhemi kampion me torturat në burgje, të zhytemi më thellë në recension me mashtrimet e tij.

Ju e miratoni këtë mënyrë të bëri opozitë të z.Basha?

Po, ai po bën opozitë, por nuk është opozita që kam bërë unë. Është në interesin e pD-së dhe të shoqërisë shqiptare që opozitarizmi duhet të zhvillohet dhe unë nuk kam asnjë keqardhje që z.Basha ndjek një mënyrë më soft dhe më gjithpërfshirëse, opozitariste.

A e miratoni ju zgjedhjen e z.Bashës në krye të Tiranës si kandidat?

Nëse janë zgjedhje lokale, pa dyshim që z.Basha është kandidatura më e mirë për Tiranën.

Por a do të rikandidojë z.Basha?

A imagjinoi jut ë them unë për kryetarin e PD-së nëse do kandidojë apo jo. I legjitimuar dhe i stërlegjitimuar është, por situata do të shihet dora –dorës. Kjo do varet shumë nga bilanci që Basha vetë do të bëjë në raportet kryebashkiak-kryetar partie.

Ju po hidhni idenë e zgjedhjeve të parakohshme, në një kohë kur shpesh duket sikur ju i vini pikën atyre që thotë z.Basha? Si psh aty tek protesta me makina.

Jo, unë bëra një sintezë, asgjë më shumë. Por, ky, që ka marrë një Benz të blinduar, që ditën e parë, në kundërshtim me ligjin. Ky e ka marrë për vete.

Doja disa komente për ju nga disa kandidatura që mund të vihen në Tiranë, si Kryemadhi, Veliaj etj.

Në fakt, këta,secili prej tyre, kanë një problem janë shumë të pabesueshëm, përveç Pandeliut, po e votuan meqë ka deklaruar se ka origjinë gjermane. Nuk besoj se këta do tallen me veten dhe do të kandidojnë. Pandeliu, e thashë, ka një… por po e la Rama.

(ar.sh/a.h/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: