TIRANE– I ftuar në emisionin ‘Fakt’ të Cim Pekës, ish kryeministri Sali Berisha ka folur ndër të tjera edhe për listën e kandidatëve për deputetë të PD-së. Sali Berisha tha se konsideron të pamotivuara largimet e disa eksponentëve të rëndësishëm të PD-së nga lista sic është largimi i Jozefina Topallit dhe Astrit Patozit. Berisha tha se lista nuk kaloi në forumet e partisë dhe se Basha nuk e ka pyetur për listën.

Pjesë nga intervista:

Peka: Z. Berisha, ditën që Basha bëri publike listën e tij, unë kam bërë një analizë me titullin ‘Ik nga ajo listë Sali Berisha’. Argumenti është fare i thjeshtë. Nëse ka pasur parti politike në Shqipëri që ka histori kriminale është PS. Nga fillimi e deri më sot kjo parti nuk është shkëputur nga trashëgimia e saj dhe në formën elektorale i ka dhënë rezultat. Nëse ka parti politike në Shqipëri e cila trashëgiminë e saj ka lirinë, së bashku me gabimet që bëhen është PD. E gjithë lista e Bashës, përjashtuar Sali Berishën është një listë për të fshirë historinë e PD, e kundërta, lista e Edi Ramës është për të promovuar historinë politike të Partisë së Punës. Si e ka ndjerë veten Sali Berisha kur e ka parë veten në këtë listë?

Berisha: Absolutisht, unë e kam theksuar që atëherë që unë do të kisha bërë një listë krejtësisht tjetër. I kam konsideruar dhe i konsideroj të pamotivuara largimet e disa eksponentëve të rëndësishëm të PD-së nga lista. Kam theksuar që atëherë se kjo është listë e kryetarit, për herë të parë në historinë e Partisë Demokratike. Lista janë të partisë, kjo realisht ka qenë listë e kryetarit se nuk kaloi në forumet e partisë. Dhe nëse kjo listë fiton unë kam deklaruar se do ta duartrokasim në mënyrë të zjarrtë. Tani, çdo njeri tjetër në Shqipëri, përveç Çim Pekës mund të thotë se ‘ti nuk ke besuar se do të fitojë’. Njeriu që nuk mund ta thotë këtë është Çim Peka, po të ketë parasysh një bisedë që bëmë me hapjen e fushatës në Fier, e cila me aq sa unë di të vlerësoj fushatat, ishte një hapje e shkëlqyer dhe në vlerësimin tim, nëse fushata do të ruante atë trend Lulzim Basha do të arrinte të kapërcente problemet e krijuara dhe do të elektrizonte elektoratin shqiptar. Nuk jam paragjykues. E kam thënë atëherë që nëse fiton do ta përshëndesim në mënyrë të zjarrtë. Po humbi, ka përgjegjësinë më të madhe personale. Sigurisht e kam theksuar se jo e tërë përgjegjësia ishte vetëm e tij. Nuk do shërbente nëse do thuhej kjo. Përgjegjësia është e përshkallëzuar, por më kryesorja është e kryetarit. 

Thoni se kam shkruar se Sali Berisha duhej largohej..! Jo. Pse? Sepse nuk kam qenë unë në listat e atyre që u larguan, kanë qenë ata në listën time. Kështu që unë pozicionin tim, e kisha ridimensionuar me kohë. Ata për mua kanë qenë bashkëpunëtorë të çmuar dhe unë jam vlerësues dhe falenderues për të gjithë bashkëpunimin që kemi pasur dhe mbetem në marrëdhënie miqësore me ta pa asnjë diskutim. Pastaj kur vjen problemi se unë të lista e atyre apo ata te unë është çështje tjetër. 

Peka: Kjo është e vërtetë që nuk keni qenë në listën e tyre, por ata në listën tënde. Por në vitin 1999, kur një pjesë e mirë e PD-së linin teserën e PD-së në ambasadat në Tiranë dhe siç shkruante edhe shtypi në atë kohë që edhe kundrejt apartamenteve të ndryshme e të shikosh sot se të gjithë janë në krahun e Lulzim Bashës, janë kthyer nga PD-ja dhe Jozefina Topalli, e cila ishte e vetmja ndoshta e peshuar në flori nga ambasadorë të ndryshëm që të ju tradhtonte në 1999, ju mbajti. Si ndihet Sali Berisha sot?

Berisha: Edhe një herë e theksoj se kjo është listë e kryetarit të PD-së. As nuk do të më shkonte ndërmend që unë të bëja një listë si kjo. Por duhet të dimë një gjë, se çdo njeri bën listën që mendon. Problemi thelbësor i kësaj liste është që kjo nuk kaloi në forumet e partisë, gjë që nuk ka ndodhur dhe nuk mund të ndodhë më kurrë dhe s’duhet të ndodhë. Çfarë ndodh sot? Ka një armiqësi shumë të egër dhe që uroj të zbutet, për faktin se kryetari e mori përsipër të gjithë përgjegjësinë. Ata nuk i hoqi partia dhe forumet e partisë, se ata  ndoshta mund dhe të hiqeshin nga forumet e partisë, nuk e dimë këtë, por ata i hoqi personalisht kryetari. Në këtë rast cili është apeli im për ta? Apeli im është, dakord, ky është një gabim për mua i papranueshëm që ju jeni hequr nga listat pa forumet. Megjithëatë, me të gjithë investimin tuaj në PD, kolosal që keni, mendoj se në qëndrimet politike mendoj se duhet tju udhëheqin interesat e PD-së. Sikundër kryetari mendoj se duhet të ketë një sens përgjegjësie, vetëdije se këta njerëz u hoqën direkt prej tij, jo nga forumet. Pra këta kanë një kauzus ndaj tij dhe duhet të gjejë mënyrën për ti zbutur, për të arritur drejt një situate tjetër. PD në historinë e saj këtë ka. Ka histori ndarjesh, bashkimesh, tolerancash të gjitha këto së bashku.

Peka: A ka biseduar me ju para se të bënte publike listat, a ka dhënë ndonjë shenjë Lulzim Basha se këto figura kryesore nuk do të jenë më në listën e tij.

BerishaJo nuk më ka dhënë një shenjë të tillë. Unë me Lulzim Bashën nuk kam biseduar për listën dhe nuk kam ndjerë absolutisht keqardhjen më të vogël për këtë. Pse? Nuk kam dashur të bisedoj. Unë i mbahem strikt asaj, më pyeti i jap mendimin siç e kam vetë. S’më pyeti, unë nuk flas.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: