TIRANË – “Legjendarët e kombit”, kështu i ka cilësuar, ish-Kryeministri Berisha, 20 luftëtarët e UÇK-së që morën pjesë apo dhanë jetën në çlirimin e Kosovës dhe u dekoruan sot nga Presidenti Bujar Nishani.

Kënaqësia për këtë dekorim duket se ka qënë tejet e thellë tek Berisha, pasi sot, ai e ka nisur mesazhin e tij kushtuar Kosovës, me një poezi të Agim Ramadanit.

“Mu shterrshin sytë nëse pushoj
Lirinë tënde me ëndërrue,
mallkue qoftë gjaku im
nëse m’vrasin pa luftue”

Më pas, ish-kreu i Qeverisë ka rrëfyer përjetimet e tij për Kosovën, jo vetëm si politikan dhe drejtues i qeverisë shqiptare, por edhe personale. “Që nga fëmijëria ime më e hershme, – shkruan ai ndër të tjera, – të gjitha betejat e mia imagjinare me armiq, zhvilloheshin vetëm me pushtuesit e Kosovës.”

“Gjatë ceremonisë, në mendje më erdhi një takim i fillimit të viteve 90, – ka kujtuar më tej Berisha, – vite gjatë të cilave, pak qindra prej tyre që nga viti ‘91 e në vazhdim, kishin filluar vullnetarisht nën kujdesin e të dy qeverive, pra të Shqipërisë dhe Kosovës, të merrnin njohuri baze ushtarake në Shqipëri. Asokohe, unë prita në një takim të zgjatur, një grup prej 35-40 prej tyre. I shikoja me adhurim.

Nga fundi i takimit, njeri nga të pranishmit drejton pyetjen direkt: “Tani, si përfundim, dua të di haptas nga ju, çfarë do të bësh ti për Kosovën”? Në fakt, unë këtë përgjigje e kisha të gatshme. Ndaj menjeherë u përgjigja se unë 50% të kohës do punoj për Shqipërinë dhe 50% të kohës do punoj për Kosovën.”

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: