TIRANË- Për herë të parë pas 25 vjetësh karrierë politike, ish-Kryeministri Berisha ka dëshmuar sot në Prokurori si person që ka dijeni për akuzat e ngritura nga deputeti Tom Doshi ndaj Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta. Berisha deklaroi se dëshmia e tij ishte sekrete, përsa kohë që atë ashtu do ta konsideronte Prokuroria, por nuk ishte sekret, “skenari ogurzi i përgatitur nga Rama ndaj kundërshtarit politik që iu krijua brenda partisë dhe nga Meta ndaj opozitës për qëllime personale, të cilët e bllokuan hetimin për 6 muaj.”

Berisha theksoi se “akuzë e tillë nuk është bërë në 24 vitet e fundit dhe bllokimi i hetimit për 6 muaj është atentati më i rëndë i së vërtetës në 24 vjet.” Ai vuri në dukje se ministri “Saimir Tahiri zhvilloi disa seanca në zyrën e tij me Durim Bamin…dhe përfundoi pothuaj i dashuruar me Bamin. Aq shumë e bindi Bamin sa ai thotë se nuk pranoj të funksionoj si dëshmitar i mbrojtur i drejtësisë, sepse jam dëshmitar i mbrojtur i Tahirit dhe ndihej më i fuqishëm me Tahirin sesa me mbrojtjen e drejtësisë.”

Gazetarja Klodiana Lala, duke raportuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, tha se Berisha u pyet për 60 minuta nga prokurorët Blerim Tominaj dhe Përparim Kulluri. “Si për ironi, – tha Lala, – prokurori Tominaj është i njejti që ka hetuar edhe çështjen e 21 Janarit.”

DEKLARATA E BERISHES NE PERFUNDIM TE DESHMISE

“Prokuroria e Krimeve të Rënda më çoi dy ditë më parë thirrjen për t’u paraqitur si person që ka dijeni për ngjarjen në hetimin e akuzës më të rëndë të 23 viteve të fundit, skenarit të vrasjes së dy deputeteve për qëllime të mirëfillta politike, pavarësisht nga pretekst në mënyrë që të shpëtohet Rama nga kundërshtari politik që ju krijua brenda partisë së tij dhe Meta t’i japë një goditje opozitës për qëllime personale.

E prita ftesën me kënaqësi ke kuptimin qe ne një në mënyrë që të kontribuoj sadopak me shpjegimet e mia në këtë çështje. Natyrisht ato që thashë përbëjnë sekret derisa Prokuroria t’i nxjerrë nga klasifikimi, por nuk është aspak sekret kjo që them dhe është tronditëse fakti që këtë skenar ogurzi kreu i Qeverisë, Kreu i parlamentit, Ministri i Brendshëm e mbajti për 6 muaj njëlloj si në shpellën e mafies, e mbajti jashtë ligjit, e mbajti si një çështje midis tyre dhe nuk e dorëzoi para ligjit dhe për ligjin. Jo vetëm nuk e dorëzoi, por në 6 muaj, kupola e përfshirë në këtë krim ndërmori veprime që të rrënojë dhe të bllokojë me çdo kusht hetimin. U kryen dy atentate ndaj doresit që do realizonte vrasjet, ndaj paguesit të parave dhe sekserit të Metës, në mënyrë që gojët e tyre të mbylleshin në mënyrë përfundimtare.

Gjatë kësaj periudhe jo vetëm tentuan të eliminojnë dy dëshmitarët kryesore por gjatë kësaj periudhe hetimin ia besuan kryetarit të Partisë Socialiste për Tiranën, mikut të ngushtë të Emiliano Shullazit, Saimir Tahirit. Tani e merrni ju me mend kur bëhet hetimi nga kryetari i PS për Tiranën dhe firmoset nga kryetari i Partisë Socialiste për Shqipërinë. Në këto rrethana dhe krahas kësaj u përpunua skenari tjetër, skenari sipas së cilit fajin e ka opozita dhe në këtë skenar të turpshëm që askush e përdori tipik regjimet diktatoriale Ilir Meta, kryesish ai por edhe Edi Rama, të lidhur me të parin në këtë krim, nuk lanë akuzë pa nxjerr për opozitën.

Saimir Tahiri, kryehetuesi i Partisë pas gjashtë muajsh pasi e priti në zyrë në kundërshtim me çdo lloj rregulli etik të zyrave të ministrave, në kundërshtim flagrant me kushtetutë dhe kodet e vendit Saimir Tahiri zhvilloi disa seanca në zyrën e tij me Durim Bamin, të tjerat mund t’i ketë zhvilluar gjetiu por në fund Tahiri përfundoi një avokat i pamposhtur, i Bamit një person qartësisht i ‘mala vites’ me precedentët e tij dhe kjo është e faktuar që përfundoi pothuaj i dashuruar me Bamin. Aq shumë e bindi Bamin sa ai thotë se nuk pranoj të funksionoj si dëshmitar i mbrojtur i drejtësisë, sepse jam dëshmitar i mbrojtur i Tahirit dhe ndihej më i fuqishëm me Tahirin sesa me mbrojtjen e drejtësisë.

berisha ne prokurori2Kemi të bëjmë më një bllokim për qëllime politike të hetimit për 6 muaj, kemi të bëjmë me një përpjekje gjashtë mujore për manipulim të gjithanshme, kemi të bëjmë me një presion të tmerrshme mbi institucionin e akuzës sepse paraqitja para drejtësisë gjashtë muaj më vonë kur kryeministri, kryetari i parlamentit dhe Ministri i Brendshëm janë në bllok nuk ka në botë prokuror as në vendet më të zhvilluara më të konsoliduar q ë të mund të hetojë një gjë të tillë. Nuk paragjykoj përkundrazi në botin e qytetëruar ka rregulla. Nuk mund të përdorësh kurrë pushtetin për të bllokuar drejtësinë. Janë këta që bllokuan para gjashtë muajsh hetimin. Nuk mundet kurrë që një kryeministër të informohet se ka pasur një tentativë vrasje për deputetin e tij, të mos kërkojë menjëherë ndihmën dhe të adresojë në prokuroi çështjen për ta zbardhur por donte ta zbardhte me Tahirin e Partisë donte ta bënte Tahirin krye hetues dhe kryegjykatës dhe ne fund Tahiri tha se Bami im është i pafajshëm. Nuk ka asnjë skenar janë fakte apo jo. Kurse Rama veta tha se është një aktor.”

Pyetje: A keni besim tek prokuroria se do ta zbardhë çështjen?

Berisha: Unë e thash këtë. Nuk paragjykoj përpjekjen por nga ana tjetër edhe guri po të ishin prokuror që nuk janë gur por janë njerëz si ne me një presion të tmerrshme dhe manipulim të paimagjinueshme, duke patur në bllok kryeministrin kryetarin e parlamentit dhe kryepolicin atyre ju vështirësohet puna në shkallë ekstreme. Ndaj dhe sovrani vjen këtu me 12 mars në protestën më të fuqishme të Shqiptareve, për të mbështetur dhe hapur rrugën drejtësisë. Ilir Meta ka një alternativë të japë dorëheqjen dhe të vijë te hetohet si një deputet pasi imunitetin e kemi hequr të vijë para drejtësisë dhe të mos ulet para prokurorëve si zoti kryetar por të ulet si një njeri që është akuzuar dhe që do të mbrohet të shpjegojë gjithçka.

Pyetje: Dëshmia juaj është vlerësuar nga prokuroria si shumë e rëndësishme, cili është thelbi i dëshmisë…

Berisha: Thelbi i dëshmisë nuk dekonspirohet në mënyrë absolute nga unë, unë jam besnik i ligjit. Merrni çfarë kam deklaruar para se të vij në prokurori tani që unë erdha në prokuro unë nuk ju deklaroj asnjë gjë nga ato që thash aty. Merrni të gjithë deklarata që unë kam bërë.

Pyetje: Pse e nuk e denoncuar ngjarjen…

Berisha: Unë nuk kam asnjë lidhje me personat e implikuar në këtë skenar.

Pyetje: Cili është peroni që ju ka vënë dijeni dhe pas dy dekadash për here të para jeni para prokurorëve cila ishte ndjesia

Berisha: Absolutisht kam ardhur me kënaqësi kjo ishte akuza më e rëndë e 24 viteve të fundit. Akuzë si kjo nuk është bërë në 24 vitet e fundit dhe e konsideroj zbardhjen e saj si një kusht themelor për paqen këtij vendi. Konsideroj bllokimin e hetimit atentatin më të rëndë që i është bërë të vërtetës në këtë vend 24 vite. Ky është qëndrimi im,” – tha Berisha në përfundim.

DOSHI AKUZOI KREUN E PARLAMENTIT PER VRASJE, META MOHOI AKUZAT

Pak ditë më parë Doshi akuzoi publikisht kryeparlamentarin Ilir Meta se ka planifikuar vrasjen e tij dhe të deputetit Fufi. Këto akuza janë rrëzuar nga kryetari i Kuvendit, i cili i ka quajtur ato shpifje të pavërteta.

Një ditë pas shkëmbimit të akuzave në sallën e Kuvendit të Shqipërisë të enjten e kaluar lidhur me atentatin që deputeti Tom Doshi pretendon se ishte ngritur disa muaj më parë ndaj tij, kanë raportuar pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda kryetari i Kuvendit Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri si dhe deputeti tjetër Mark Frroku.

Ndërsa i pari që u pyet rreth kësaj çështjeje ishte deputetit Tom Doshi. Ky i fundit, një ditë pasi publikoi në internet videon dhe fotot nga organizatorët që sipas tij kishin përgatitur atentatin kriminal ndaj tij dhe deputetit tjetër të Kuvendit Mhill Fufi, dëshmoi për disa orë në prokurorinë e Krimeve të Rënda.

(ar.sh/d.b/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb