TIRANË – Ish-kryemistri i vendit Sali Berisha ishte i pranishëm sot në çadrën e protestës ku vijoi me akuzat ndaj kreut të qeverisë Edi Rama, i cili sipas tij po mban pushtetin falë krimit e drogës.

Deputeti i Partisë Demokratike tha se motoja e PS-së “Shqipëria që duam” nuk është gjë tjetër veçse Shqipëria që Rama do për karrigen e tij.

Berisha u tha të pranishmëve në çadër se Rama nuk i dëgjon thirrjet e protestuesve sepse më parë vret veten se të lërë pushtetin.

“Sot, duke dëgjuar miqtë e mi, më erdhi në mendje viti ’90. Më erdhi në mendje kur këto ishin pallatet e krimit, ndërsa ne ishim në rrugë, luftonim, përpiqeshim për Shqipërinë tjetër, e lirive dhe të votës së lirë. Sot ta themi haptas, përsëri kemi dy botë, ata të cilët me sakrifica të jashtëzakonshme po lajnë këtë shesh me idealet e tyre, për vete dhe për të ardhmen e fëmijëve të tyre, ndërsa përballë përsëri pallatet e krimit, e drogës. Edi Rama këto kohë i braktisur totalisht nga shqiptarët, ka dalë me moton “Shqipëria e karriges sime”. “Shqipëria që duam” nuk është gjë tjetër veçse Shqipëria që do ai për karrigen e tij. Para se t’u thotë shqiptarëve mirëmëngjes, ai lëshon vetëm gënjeshtra, mashtron, mashtron dhe vetëm mashtron kudo që shkon. Dje po inauguronte një spital, që para 4 vitesh e ka inauguruar Ilir Meta.

Mania e gënjeshtarit të humb mendjen, fillon e beson gënjeshtrat tuaja. Premtoi 300 mijë vende pune. Mashtron shqiptarët, thotë se kam krijuar 230 mijë vende pune. Banka Botërore thotë se të gjitha vendet e rajonit kanë krijuar 235 mijë vende pune gjithsej. Për Ramën nuk ka rëndësi sa vende pune janë krijuar, rëndësi ka mashtrimi që thotë dhe që mendon se shqiptarët e besojnë. Premtoi autostrada, korridore, por s’ka përfunduar dot as 1 km rrugë. Se Shqipëria e karriges është ajo që ai e vjedh nga mëngjesi deri në darkë. Ne luftojmë për Shqipërinë e votës së lirë. Shqipëria që do Edi Rama është Shqipëria e karriges së tij. Për karrigen e tij, krimin e ka shtyllë kryesore të pushtetit, sepse me krimin emëron rektorët, vjedh kasafortat më sekrete të shtetit, u vjedh njerëzve të pambrojtur, ndërsa ne duam Shqipërinë e votës së lirë. Rama do Shqipërinë e drogës, se ajo është Shqipëria e karriges së tij.

Ne e dimë që droga sjell para, por droga është shkatërrim, e dimë që pasojat e saj janë katastrofale për një komb. Beteja është e ashpër. Edi Rama më parë vret veten se sa ikën, sepse tentativa ka patur jo vetëm një herë në jetën e tij. Për të ikur ai nuk ikën. Për të dëgjuar zërin tonë, ai nuk e dëgjon, por ju shtyj ta bëjmë që të dëgjojë zërin tonë. Urojmë t’i vijë mendja dhe të pranojë zgjidhjen  e kushteve tona,” tha Berisha.

Ndër të tjera Berisha i bëri thirrje Ramës që të largohet, pasi do të pendohet shumë rëndë. Ish-lideri i PD-së theksoi se shqiptarët nuk do të lejojnë që ai (Rama) t’i shtypë votën.

“Vota e lirë është kushti i të gjitha kushteve për Shqipërinë e stabilitetit. Vota e lirë është kushti i të gjitha kushteve për zhvillimin dhe të ardhmen e Shqipërisë. Ndaj i bëj thirrje shqiptarëve që të vazhdojnë këtë rrugë. Rruga e vërtetë për një Shqipëri europaine është beteja për liri themelore. Ato janë mision i popullit, i çadrës së lirisë. Askush më shumë se ne nuk e do stablitetetin. Ne kemi bindjen e thellë se pa votën e lirë s’ka stabilitetit. Deri para pak kohësh në Gjermani ishin kryesor, tani dalim në Francë. A të gënjen mendja se do mund të na e rrëmbejë votën. E rrëmbenë mendja se do mund të vazhdojë pushtetin, karrigen mbi votën tonë të shtypur. Do ta paguash, do t’i paguash aq shtrenjtë se atëherë do të jetë tepër vonë se do i kesh rënë veten me dy tëmthat. E vret veten ai, e njohin spitalet. Mjerë ata që ja prekin shqiptarëve atë, Edi Rama shporru, qërohu, largohu!”, mbylli fjalën e tij Berisha.
 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb