TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha priti në një takim Zëvëndës Kryeministrin e Parë dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli.

Berisha e uroi zotin Pacolli për detyrën e re shumë të rëndësishme që ka marrë dhe theksoi se beson dhe ka bindjen e plotë që ai do t’i japë një shtytje të mëtejshme njohjeve të reja ndërkombëtare të Kosovës, shumë të rëndësishme për pozicionin ndërkombëtar të saj. Ai gjithashtu i uroi suksese zotit Haradinaj, qeverisë së re, e cila është krijuar në një moment shumë të rëndësishëm për Kosovën.

Berisha-Pacolli (2)

Berisha theksoi se rajoni kërkon një përkujdesje të madhe nga lidershipi në mënyrë që të mos bëjë hapa mbrapa dhe të zhbëjnë progresin e arritur.

Në këtë kontekst, Berisha theksoi se marrëveshjet e Brukselit janë të një rëndësie jetike për shqiptarët. Ai u shpreh se është e nevojshme që marrëdhëniet mes dy vendeve tona të jenë përparësi madhore për dy qeveritë dhe potenciali kombëtar të shpaloset dhe zhvillohet më tej. Ato kane nevojë për punë intensive, në mënyrë që të mos mbeten thjesht një kartolinë por të jetësohen në projekte konkrete, tha ai.

Berisha-Pacolli ok

Në këtë kuadër ai theksoi se përparësi me të madhe duhet të marri hekurudha Milot – Prizren, e cila është jetike për Kosovën por dhe për rajonin në tërësi. Ai tha se ndërtimi hekurudhës do të plotësonte korridorin më fizibël të rajonit dhe natyrisht kjo edhe për Shqipërinë dhe për Kosovën do kishte një interes të jashtëzakonshëm. “Së bashku me autostradën, hekurudha e bën Kosovën vend me porte të vetat”, tha Berisha.

Ai theksoi se duhet të punohet në mënyrë që hiqen barrierat midis dy vendeve dhe kufiri të jetë thjesht administrativ. “Gjërat kombëtare e kanë fizibilitetin më të lartë se çdo gjë tjetër, doganat duhet të jenë vetëm në kufijtë e jashtëm të dy vendeve dhe jo midis dy vendeve”, theksoi zoti Berisha.

Nga ana tjetër ish-kryeministri Berisha u shpreh se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kosovës kanë shumë çështje për t’u zgjidhur, një ndër to është çështja e shtetësisë. Ai theksoi se të gjitha vendet e Ballkanit prej shumë vitesh kanë zgjidhur këtë problem përveç Shqipërisë, e cila duket se ka mbetur peng i fobive të të tjerëve ndaj shqiptarëve.

Pacolli e falenderoi Berishën për pritjen dhe i shprehu mirënjohjen për punën dhe kontributin e jashtëzakonshëm të dhënë gjatë gjithë këtyre viteve në shtetndërtimin e Kosovës. Ai e siguroi zotin Berisha se do të punojë fort në drejtim të shtimit të njohjeve ndërkombëtare të Kosovës dhe intensifikimit të marrëdhënieve midis dy vendeve tona në interesin më të mirë të dy popujve.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb