TIRANË- Deputeti i PD-së Sali Berisha ka folur sërish para gazetarëve pas mbylljes së seancës plenare për ditën e sotme. Berisha tha se Rama i dërgoi deputetit Doshi para përjashtimit, “njeriun e tij të zemrës dhe shpirtit” Koço Kokëdhimën për ti nanuritur oferta me qëllim që ti mbyllte gojën.

“Përfundoi dhe seanca dëshmoi edhe njëherë se kreu i parlamentit është njeriu më i akuzuar në Europë, për sponsorizim dhe organizmin e dy vrasjeve. I akuzuar për alibinë që ka dashur të krijojë pas vrasjeve. Dhe sot argumenti i vetëm që nxori, se Tom Doshi është i PD-së. Ky argument dëshmon fajësinë e tij kokë e këmbë. Duke u përpjekur të shesë Tom Doshin si mburojë, ai bind shqiptarët se është kokë e këmbë i zhytur në krim. Ilir Meta ka vetëm një rruge, dorëheqjen që të hetohet si qytetar i thjeshtë. Saimir Tahiri le të bëhet avokat i Ilir Metës, por Ilir Meta nuk shpëton dot pa u paraqitur tek institucionet e akuzës. Këta zotërinj e mbajtën 6 muaj rresht akuzën si një çështje mes shokësh, sikur kishte ndodhur në shpellat e mafies, në mënyrën që ta zgjidhnin me llokma dhe premtime të shumëllojta. Para përjashtimit, Edi Rama i çoi Tom Doshit njeriun më të besuar të zemrës dhe të shpirtit Koço Kokëdhimën, që e nanuriti Tomën me dhjetëra oferta që ti mbyllte gojën. I çoi më të besuarin e të besuarve, por nuk ra dakord. Hapat për çdo vend normal që s’është normal janë institucionet”, tha Berisha.

Ish-kryeministri ka dalë në mbrojtje të Prokurorisë dhe madje u ka kërkuar gazetarëve të mos e sulmojnë organin e akuzës. Sipas tij Prokuroria nuk mund të çajë kur ka ekzekutivin dhe legjislativin kundër. Berisha tha se Tahiri foli në emër të prokurorisë për rastin “Doshi”.

“Pse të akuzoj Prokurorinë? Në cilin vend të botës Prokuroria mund të çajë kur ka ekzekutivin dhe legjislativin kundër. Kur ekzekutivi dhe legjislativi janë të inkriminuar. Si hapin e parë të japë dorëheqjen. Paralelizmin për videon e Prifit e bëri me bllokun e Monikës, ju e dini vetë atë punë. Mos sulmoni prokurorinë. Nuk them se prokuroria s’duhet të hetojë, por kur i del qeveria dhe parlamenti përballë… A doli Saimir Tahiri foli në emër të Prokurorisë.  U dashurua Tahiri me Bamin. Lindi një dashuri e paimagjinueshme”, tha Berisha.

I pyetur nga gazetarët nëse opozita do të dalë në protesta, ai tha se është parashikuar çdo mjet. Berisha është shprehur kundër bojkotit si mjet për të arritur qëllimet. “Opozita ka të parashikuar çdo mjet, edhe protestën. Unë personalisht nuk jam për bojkot, por i nënshtrohem çdo vendimi të kryesisë”, përfundoi Berisha.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: