TIRANE -Ish-kryeministri Sali Berisha shfrytëzoi një takim me gazetarët për t’ju përgjigjur akuzave të shefit të qeverisë Edi Rama, gjatë fjalimit të tij në Shkodër.

Një ditë më parë Kryeministri Edi Rama, kërkoi ndjesë publike për dekorimin e persekutorit të At Zef Pllumit nga Ministria e Mbrojtjes duke e konsideruar këtë akt një “gabim pa dashje”.

“Zanafilla e faktit të trishtueshëm të medaljes për torturuesin famëkeq të Padër Zefit e të Profesor Rrepishtit, i përket bash asaj periudhe dhe qëndron pikërisht mbi atë bazë ligjore, të ndërtuar asokohe nga shpërdoruesi ekstremist, i çdo fakti e prove”, – tha Rama, duke akuzuar ish-kryeministrin Sali Berisha.

Ndaj këtyre akuzave, ish-kryeministri Berisha tha se e ndjen të nevojshme të informojë shqiptarët me fakte. Sipas tij, Rama ia vuri fajin për dekorimin e xhelatëve, ligjit për statusin e veteranëve, i cili nuk ka lidhje me asnjë emër, por thjesht njeh pjesëmarrjen në luftë.

“Sot me status veterani qytetarët që lindën në ’48. Ligji s’njeh asnjë imunitet, nuk jep asnjë dekoratë. Rama i biri i një xhelati të vërtetë të diktaturës. Nipi i Spiro Kolekës, persekutorit numër 1.”- tha ai.
“Sali Berisha miratoi rezolutën dhe ligjin me te cilin dënon Enver Hoxhën e zhvesh atë nga çdo atribut, Edi Rama në mbështetje të xhelatëve të regjimit komunist miratoi ligjin e hapjes së dosjeve, me të cilin asnjëri prej këtyre kriminelëve nuk u ndalohet ushtrimi i funksioneve me të larta të shtetit, përfshi atë të kryeministrit apo presidentit.

Edi Rama në 24 vite pluralizëm është i vetmi kryeministër i cili do të përkujtonte 70- vjetorin e çlirimit të vendit në varrezat e dëshmorëve me portrete të Enver Hoxhës, dhe do ti shpërndante këto portrete ne mbarë botën në “Facebook”-un e tij. Nuk ja bëri Sali Berisha, e beri Edi Rama për krenarinë e tij që ndjen ndaj atit të tij shpirtëror.”- deklaroi ai.

Sipas Berishës, kryeministri Rama ndihet i plagosur dhe i pashpresë nga revolta popullore, dhe lëshon deklarata për të cilat nuk mban përgjegjësi. “I shpërfytyruar ai shëtit nga një vend në një tjetër, duke u përpjekur për të krijuar evenimente. Tre kane qenë armiqtë më kryesorë të Enver Hoxhës, shkodranët kosovarët dhe greket. Këta kane qenë trageti, nishani absolut. Rama shkoi në Shkodër, i shoqëruar në krahun e majtë dhe të djathtë nga dy pinjollët e dy ekzekutorëve më kryesorë të Shkodrës Beqajn dhe Bushatin. Normali mban përgjegjësi, i sëmuri nuk ka asnjë përgjegjësi. Shkoi në Shkodër, dhe në një ligjeratë të gjatë gjithçka fajësoi dhe projektoi tek Sali Berisha.”- deklaroi Berisha.

Ish-kryeministri Sali Berisha theksoi ndër të tjera se Rama është biri i një xhelati të vërtetë të regjimit diktatorial. “Edi Rama është i biri i një xhelat të vërtetë të regjimit diktatorial dhe nipi i Spiro Kolekës, persekutorit nr. 1. Pra, Edi Rama nuk e ka rastësore këtë. Nderimin e xhelatëve e bën si nderim për të atin. Do më falni; unë e kam ngritur gjithmonë këtë problem. 25 vite më parë, është momenti i një ngjarje. Rama s’mund të na japë leksione për demokracinë, pasi duhet të dënojë krimet e babait të vetë. Rama arriti deri aty sa të dekoroi xhelatët. Ai arriti të shpërndajë në Fb e tij fotot e Hitlerit të Shqipërisë, Enver Hoxha. Ai nuk ka asgjë të diktuar nga unë, gjithçka e ka nga vullneti i tij i lirë. A nuk meritojnë falje për krimet ndaj viktimave? Firma e Kristaq Ramës nuk mungon asnjëherë. Rama nuk mund të justifikohet. Apo dhe për këtë Fajin e ka Saliu?”, tha Berisha.

DEKLARATA E RAMËS PËR VERIORËT, BERISHA: FUTI KRIMINELË NGA VERIU NË KUVEND, POR FRROKU S’PËRFAQËSON PUKËN
Teksa u ndal tek deklarata e Ramës për veriorët, Berisha iu kundërpërgjigj se kryeministri është i vetmi politikan që ka sulmuar në këtë formë. Nga ana tjetër ai theksoi se Rama futi në parlament njerëz të inkriminuar nga veriu, por sipas tij ‘Mark Frroku nuk përfaqëson pukianët’.

“Sulm që në memorien time dhe leximet e mija se ka bërë asnjë politikan. Enver Hoxha lau në gjak veriun, pasi veriu nuk u mashtrua. Ta themi këtu, përveç ndonjë zone të caktuar. Ai nuk u pajtua as gjatë luftës me Hoxhën. Veriu nuk u inkuadrua në njësitë partizane. Rracizmi i Ramës ndaj veriut është një racizëm primitiv, i pashfaqur ndonjëherë nga ndonjë politikan. Së fundi, ky zotëri, pasi mbushu parlamentin me kriminel nga veriu, natyrisht nuk janë të më pak të mëdhenj disa nga jugu u thonë shqiptarëve se këta u futën në Parlament se përfaqësojnë vlerat e krahinave të tyre. Unë u them shqiptareve se Mark Frroku nuk përfaqëson Pukën, por kriminelet. Pukianët janë njerëz fisnik edhe e kanë përfaqësuar vetën në çdo kohë. Ke parë det apo s’ke parë det, kjo…”, tha Berisha.

PROTESTAT E OPOZITËS
Nga ana tjetër, ish-kreu i demokratëve u ndal dhe tek protestat e opozitës që morën start pas asaj të 8 dhjetorit. Berisha u bëri thirrje shqiptarëve që të ngrihen në protesta të tjera me metoda sipas tij paqësore. “Do ta mbyll me një thirrje për qytetarët shqiptarë. I bëj thirrje që të shpëtojmë veten nga kjo klikë, nga ky njeri që e ka kthyer qeverinë në një organizatë kriminale. Duhet të bëjmë me mjete të qëndrueshme paqësore. Ukrainë e përmbysën në mëkëmbësin e Putinit, sepse sakrifikuan 3 javë në minus 20 gradë në sheshin e qytetin. Maqedonasit, me një protestë të përditshme konstante çdo ditë, realizuar një detyrë. Nuk janë më pak të mëdha, por motivet tona janë jetike për ta rrëzuar Edi Ramën. Kurrë ndonjëherë shqiptarët s’janë larguar siç largohen sot. Me ligësinë më të madhe kundër qytetarëve, krimi mbledh vrer, dënim. Çdo minutë, e çdo javë, është mision i madh të ngrihemi, siç u ngritëm më datën 8, që të shpëtojmë vendin prej tij dhe të ecim në rrugën që meritojmë.”, tha Berisha.
(er.nu/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: