TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha thotë se kryeministri Edi Rama po përjeton një tronditje psikike pas konsensusit që sipas tij i imponoi kreu i PD-së Lulzim basha për miratimin e reformës në drejtësi sipas Venecias.

Duke reaguar për pritjen që Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi ka planifikuar për mbrëmjen e nesërme, Berisha thotë se kjo është një mënyrë që Rama të kalojë tronditjen dhe për të bindur shqiptarët se konsensusin nuk ia imponuan.

“Fatmir droga me urdhër të Edvin Shullazit pritje në Pallatin Presidencial për të festuar suksesin imagjinar, dështimin për të kapur drejtësinë!
Të dashur miq, Edvin Shullazi po përjeton një tronditje të thellë psikike pas konsensusit lens non volens që u imponoi PD më 22 korrik në votimin e reformës në drejtësi sipas rekomandimeve të Venecias. Rama thuhet se është konsultuar, edhe pas mesnate, nga neuropsikiatri i tij dhe psikoanalistja e ekipit.
Ai ka pagjumësi por më e keqja ka klithma të pakontrolluar gjatë natës. Ai nuk u qetësua aspak as me shpalljen e ditës së hënë pushim për të bindur të tjerët se ai nuk e votoi me detyrim reformën e drejtësisë.
Mediat ja menderosën apo kripën festën sepse padrejtësisht ia lidhen me një sebep familjar! Por Rama, për të qetësuar shpirtin se atij konsensusin nuk ia imponoi kryetari i PD Lulzim Basha duke ja shndërruar vijat e kuqe në këpucë të kuqe, urdhëron Xhafën e drogës të organizojë festën që i dështoi me ditën e pushimit për të shtruar një banket të madh në pallatin presidencial. Thuhet se po dështoi edhe me këtë pritje për të bindur shqiptarët, Rama do shtrojë një banket në Sheshin e Flamurit duke therur 50 viça, 40 cjape, 70 desh, 180 qengja si përpjekja e fundit për të kaluar traumën e rëndë psikike të 22 korrikut 2016! Sb”, shkruan Berisha në facebook.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: