(I përditësuar)
*Maxhoranca plotëson vendet vakante në KQZ, rrëzon dy dekretet e Nishanit

*Berisha: Ta çojmë vendin në zgjedhje të parakohshme, Brace: Ta çojmë drejt BE

TIRANË- Kuvendi zhvilloi sot një seancë maratonë, ku punimet u zgjatën më shumë se 12 orë, me debate e replika mes maxhorancës e opozitës, sidomos pas bërjes publik të lajmit se një major shqiptar kishte humbur jetën në Spanjë, teksa drejtonte një avion që transportonte drogë. Deputetët Berisha dhe Topalli adresuan një sërë akuzash ndaj qeverisë dhe deputetëve të maxhorancës. Sipas tyre, integrimi i vendit pengohet nga krimi që ka kapur shtetin, ndaj bëhet thirrje për zgjedhje të parakohshme.

Në seancën e sotme u rrëzuan edhe dy dekretet e Presidentit Nishani për kthimin e ligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar, si dhe ligji për funksionimin e KLSH-së.

Në këtë seancë u votuan emrat për tre vendet vakante në Komisionin Qendror të Zgjedhjev, Denar Biba (79 voto pro) si nënkryetar i KQZ-së, Edlira Jorgaqi (77 voto pro) e Gëzim Veleshnja i LSI-së si anëtar, (82 vota pro). Ata janë gati të nisin nga puna pasi bënë edhe betimin në Parlament. Po ashtu Kuvendi miratoi edhe aktin normativ për disa ndryshime e shtesa në buxhetin e vitit 2014.

BREGU: QEVERIA UZURPIM GJYQËSORIT, PO VONONI INTEGRIMIN
Ora 21:19- Teksa në Kuvend diskutohej në lidhje me organizimin e Gjykatës së Lartë, deputetja e PD-së, Majlinda Bregu hodhi akuza në drejtim të mazhorancës. Sipas saj, qëllimi i qeverisë është uzurpimi i gjyqësorit.
“S’keni ndërmend të bëni reformë gjithëpërfshirëse, qellimi i qeverisë është të uzurpojë gjyqësorin”.
Duke iu drejtuar deputetëve të mazhorancës, Bregu tha se, “Ju përgjëroheni çdo ditë për gjithëpërfshirje. Reforma në gjyqësor nuk mund të jetë e fragmentarizuar. Duhet një afat dhe plan veprimi për reformën në drejtësi”.
Bregu i akuzoi se po vonojnë procesin e integrimit, ndërsa shtoi se, “Juve ju duhen emra, jo reformë”.

HALIMI: PRESIDENTI ARGUMENTE TE QARTA SI KRISTAL
Ora 20:50- Ndërkohë që deputeti i PD-së, Eduard Halimi ka qenë pro kthimit të ligjit pasi sipas tij, shkelet Kushtetuta.
“Argumentet e Presidentit janë të qarta si kristali, në të njëjtën linjë me partnerët tanë të Komisionit të Venecias. Përveç procedurës ligji është antikushtetues. Përzgjedhja e anëtarëve të Gjykatës së Lartë janë eskluzivitet i Presidentit. Mazhoranca ia heq këtë të drejtë. Këshilli juaj me në krye ministrin e Drejtësisë do të përcaktojë kandidaturën”, tha Halimi duke shtuar se, “ky ligj ka si synim kapjen e Gjykatës së Lartë”.

XHAFAJ: LIGJI PER GJYKATËN E LARTË, SYNOHET RRITJA E TRANSPARENCES
Ora 20:00- Kreu i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj ka rrëzuar pretendimet e Presidentit Bujar Nishani për emërimet në Gjykatën e Lartë. Sipas Fatmir Xhafajt, me ligjin e ri synohet transparenca dhe objektivitet dhe vlerësim në meritën e kandidatëve që do të përzgjedhin.
Gjatë fjalës së tij, Xhafaj u shpreh se me ligjin që është aktualisht nuk ka transparencë, pasi askush nuk e di se kush ishte kandidatura më e mirë, apo kush kandidoi.
“Shpallet vakanca. Kandidatët çojnë dokumentet Presidenti bën një takim formal dhe zgjedh anëtarin. Por askush nuk di se si u zgjodh apo se cili ishte kandidati më i mirë. Apo zgjidhet ndonjë tjetër që nuk ka kandiduar fare”, tha Xhafaj lidhur për procesin aktual të përzgjedhjes së kandidaturave për Gjykatën e Lartë.

BODE: AKTI NORMATIV MASHTRIMI MË I MADH
0ra 19:06- Ish-ministri i Financave, Ridvan Bode deklaroi sot në sallën e Kuvendit se akti normativ për disa ndryshime dhe shtesa në buxhetin 2014 është mashtrimi më i madh që iu bëhet shqiptarëve.
Sipas tij, “Akti legjitimon faturën që qeveria shtroi për veten dhe klientët e saj vitin e kaluar. Ky akt përbën veprimin e qeverisë për të gërryer nga hambari i buxhetit çdo fond të papërdorur”.

AKTI NORMATIV PËR BUXHETIN, BERISHA: DONI TË PARAPAGUANI KOMPANITË PËR FUSHATË
Ora 18:48- Ish-kryeministri Sali Berisha kundërshtoi aktin normativ për disa ndryshime dhe shtesa në buxhetin e vitit 2014, duke akuzuar maxhorancën se përmes këtij akti synon tu japë parapagim dhjetëra kompanive për qëllime elektorale. Berisha tha se maxhoranca po shkelmon çdo parim të funksionimit të buxhetit, ndërsa paralajmëroi nisjen e një aksioni ligjor kundër aktit normativ.

“Ju i keni dhënë kompanive në paradhënie në një kohë kur ju keni qindra milionë kompanive që kanë kryer punën dhe si paguani. Jepni paradhënie për kompanitë duke shkelur çdo parim. Ky është rregull elementar i tregut dhe s’mund ta bësh kurrë. Kemi bërë akte normative për pensionet, për tu dhënë shpërblim punonjësve në fund të vitit, por jo paradhënie kompanive për punimet që do bëjë gjatë vitit të ardhshëm. Do bëjmë një komision hetimor, do t’i nxjerrim një nga një të gjitha shkeljet. Ju shkelmoni çdo parim të funksionimit të buxhetit në këtë mënyrë. Mbuloni, falsifikoni dështimin tuaj. I bëni tenderët vetëm për t’i futur në xhep. Si mund të votohet pagesa paradhënie për 20 kompani, po kompanitë që kanë marrë ende paratë. Këtyre që keni zgjedhur në listë të paguani për fushatë elektorale u bëni dhuratë buxhetin. Do nisim aksionin e fuqishëm ligjor kundër këtij akti”- deklaroi Berisha.

CANI: 720 MILIONË DOLLARË BORXHE NGA QEVERISJA E KALUAR

Ora 18:35 – Ministri i Financave, Shkëlqim Cani akuzoi sot opozitën se, e la arkën e shtetit me 720 milionë dollarë borxhe. Duke folur në Kuvend, gjatë debatit për aktin normativ të buxhetit 2014, Cani tha se, “opozita është kundër miratimit të këtij akti, pasi është kundër interesit të qytetarëve”.

“1.5 miliardë lekë ose 15 milionë dollarë iu dhanë KESH-it hua në mënyrë që KESH të shlyente detyrimet ndaj HEC-ve të vegjël, detyrime tuajat që nuk i keni shlyer. 1.5 miliard lekë të tjera u dhanë për shpronësimet në mënyrë që 2015-a të mos ketë të njëjtat probeleme me investimet, por të paraprihen me shpronësimet”, – iu drejtua Cani përfaqësuesve të opozitës në Kuvend.
Sipas tij, “shumë shpejt do të shlyhen edhe 1 miliard lekë ose 10 milionë dollarë shpronësime të qeverisjes së mëparshme, që i përkasin 5 viteve më parë”. “Nga gjithë diskutimi i opozitës u kuptua që ajo është kundër këtij akti normativ, sepse opozita është kundër interesit të qytetarëve. Këtu u hodh shumë tym dhe baltë për veprimtari armiqësore, shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve, ndërkohë që ka 6 akte normative të të njëjtit tip, por më keq akoma, të shpërdoruara nga opozita e sotme. Populli ju dënoi sepse nuk ju dha votën dhe ne do të vazhdojmë përpara duke shlyer borxhet tuaja dhe duke i dhënë të drejtën, atij që i takon”,- tha ministri i Financave.

BALLA: MAJORI I LARGUAR NGA SHQIPËRIA QË NË 2013
Ora 15:48- Deputeti i PS-së, Taulant Balla në fjalën e tij, deklaroi se majori shqiptar, i cili humbi jetën teksa transportonte drogë në Spanjë ka marrë medalje nga 5 ministra të PD-së. Ai shton se ky i fundit është larguar nga Shqipëria që në 2013.

“Majorit në fjalë i është dhënë medalje 5 herë nga gjithë ministrat e PD. Këtu s’është fakti të hedhim baltë mbi ministrin dhe Forcat e Armatosura, por ky individ është larguar në 2013 nga vendi. Ju e keni të lehtë të bëni akuza, por sa herë bëni akuza ju përfundojnë në shtëpi”, thotë Balla.

TOPALLI: USHTRIA E PËRFSHIRË NË TRAFIK, KODHELI TË DORËHIQET
Ora 15:36- Deputetja e PD-së, Jozefina Topalli ka deklaruar sot në sallën e Kuvendit se përfshirja e një majori të Forcave të Armatosura Shqiptare në trafik droge është një alarm për të cilin ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli duhet të japë dorëheqjen.

“Majori mori leje nga Ministria e Mbrojtjes, çfarë prisni që Mimi Kodheli të japë dorëheqjen kur ushtria përfshihet në trafik droge. Këta të gjithë janë fshehur si lepuj, por unë them që kjo është emergjencë ndërkombëtare. Nëse s’ju bën përshtypje ju qofshi, por po e çoni vendin drejt greminës”.

AHMETAJ:BERISHA, PSE NUK E ÇOVE CEZ-in NE ARBITRAZH?! SE KISHE RENE DAKORD TE HUMBISJE
Ora 14:43 Ministri Ahmetaj, duke iu kundërpërgjigjur Berishës, e pyeti: Përse nuk e çove CEZ-in në arbitrazh kur e dije që do të fitoje?! Nuk e çove se kishe rënë dakord të humbisje. Çfarë donte ministri yt Noka në ambientet e CEZ-it?

Më pas, Ahmeti dha një sqarim për kushtetueshmërinë e vendimeve të marra së fundmi nga qeveria si dhe për detyrimet e pashlyera. “Po flasim për një gropë të madhe për t’iu treguar shqiptarëve se këta i lanë shqiptarëve 720 milionë dollarë borxh, detyrime të pashlyera.”

BERISHA REPLIKON ME GJIKNURIN
14: 52 “Atë marrëveshja që iu afrua këtyre, – tha Berisha në replikë me Gjiknurin, – unë e refuzova atëhërë menjëhërë dhe për hir të së vërtetës, edhe ministri i Qeverisë së këtyre. unë nuk i fsheh kurrë takimet e mia. ka vajtur ish-Zv.Kryeministri Meta të takohej me bordin sepse ishte i detyruar me ligj.

Po unë kërkoj të ngrihet një komision hetimor dhe të marrë në shqyrtim menjëhërë këtë gjobë të rëndë që iu vu shqiptarëve me CEZ-in. Ne kishim garanci nga arbitri ndërkombëtar që do ta fitonim gjyqin. Ju tani rrini dhe mbroni marrëveshjen tuaj të fshehtë. Kjo ëhstë afera më e madhe korruptive e këtij shteti. Në sirtarët e atij zotërisë aty kanë ekzistuar disa oferta për rrugët. Tani na doli tregtia e palmave. Po si do mbillen ato kur do shkulen brenda 3-4 vjetëve se autostrada do të zgjerohet. Unë largohem nga podiumi, por këta po mbushin xhepat dhe shqiptarët duhet të informohen.

GJIKNURI: BËRE AMNISTRI ME ENERGJINË, NDAJ NUK PAGUANIN ATA
14:45 Ministri Damilan Gjiknuri iu drejtua Berishës dhe e akuzoi se borxhet që u mblodhën në energjitikë janë pasojë e amnistive. Nëse njerëzve ua fal detyrimet, normal që nuk do të paguajnë. Rezultati është që KESH-i u zhyt. Marrëveshja jonë me CEZ ëhstë bërë në zyrat e KE-së dhe me pjesëmarrjen e Bankës Botërore, kurse ajo marrëveshja jote me CEZ-in në një hotel në Vienë. Kur e privatizove OSSHE, ishte me zero borxhe, sepse borxhet ti ia kalove KESH-it. Për të vetmen gjë që do të mbahesh mend është neologjizmi “minisuperfuqi”.

KODHELI: PJESA ME E MADHE E USHTARAKEVE TE SHKARKUAR, VETEM PSE DOLEN JASHTE VENDIT PA LEJE
14:34 Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, replikoi menjëhërë me Berishën: “Nuk kam ndërmend të flas këtu për dikë që është në dekompozim politik, ndërsa po të tregoj këtu se çfarë thoshte DASH për atë që kishin bërë me ushtrinë, do t’i vinte turp çdo shqiptari.

Sa për gjeneralin e shkarkuar, Dritan Demirajn, që përmendët, zotëria është hequr nga FA se ka dalë 102 herë jashtë shtetit pa leje duke thyer disiplinën ushtarake dhe duke vënë në rrezik sigurinë e vendit. Ai është larguar nga FA.

Vijmë tek majori sot, në Spanjë. Majori ka dalë pa leje nga Shqipëria. Ka qënë me leje të zakonshme dhe ka dalë nga Shqipëria pa leje. Ju siguroj se të gjithë ushtarakët e larguar nga FA të mbrojtur nga ky podium ju siguroj se më së shumti kanë dalë se kanë jashtë shtetit pa leje. Të tjerat pastaj do të dalin nga investigimi spanjoll. Edhe ushtarakët janë njerëz që mund të gabojnë sikurse mund të ketë gabuar edhe ky zotëria. Por të denigrojnë ushtrinë, atë që e kishin mbytur ushtrinë me korrupsion, është ofensivë kundër FA, ndaj të mateni para se të dilni këtu e të flisni.”

BERISHA: JA TEK DOLI MAJORI, QE ÇAU FERREN E BERI TREGTI NDERKOMBETARE DROGE
14:20 Pas Ramës, e mori fjalën ish-kryeministri Berisha. “Kur ne deklaruam se bazat ushtarake u bënë baza të transportit të drogës,- tha ai, nisur nga lajmi më i fundit që u dha në sallë nga Rama, – çfarë nuk thanë këtu Gjeneral Trafiku dhe “ndrikulla” e Ministrisë së Mbrojtjes. Tani del një major, që i shpëtoi shoshitjes së këtyre dhe çau ferrën, majori i Gjeneral Trafikut dhe bën tregti ndërkombëtare.

Lajmi i dytë nga bota e krimit është që sot gjykata pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar të vrasësit serial Kostandin Xhuvani nga një ndërhyrje direkte e kreut të meduzës së krimit, Edi Ramës. E kam ngritur disa herë pse nuk merret në pyetje qytetari i ndershëm Enver Basha që i mori kriminelit nga dora, pistoletën? Pikërisht që Kostandini të ikte. Policia donte që me çdo kusht të paraqitej si autor i krimit, Arbër Demiraj, që e vdiqët ju, as ndihmë nuk i dhatë.

Tani do të kthehemi prapë tek energjia. Kur e dëgjoj një ditë këtë të thoshte që do të paguani çdo pikë energjie, energjinë ky e ka përçartje totale. Ky kujton se energjie matet si vaj. Çfarë po ndodh? Po paguajnë shqiptarët 620 milionë euro, që ky ia fali CEZ-it. e thotë: E morët KESH-in në 2007 me këto parametra. Po kush ishte në pushtet në 2007-ën? Ishin ata që ulën humbjet në 34%.

IRONITE RAMA – SPAHO PER EKONOMINE
Ora 14:10 Kryeministri pati edhe një replikë me deputetin demokrat Edmond Spaho lidhur me rritjen e taksave, heqjen e fashës së energjisë etj.

Rama që në krye tha se “shqiptarët që thonë se po paguajnë taksa janë ose ata që i fshiheshin taksave, ose kompanitë. Ne nuk e fshehim që kemi vënë taksa mbi kompanitë dhe depozitat. Po kush janë ata që kanë depozita?! Kjo është logjikë e thjeshtë.”

Gjatë fjalës së tij, Rama u ndërpre nga deputeti Spaho, të cilit iu drejtua nga foltorja:

Profesor…Profesori nuk bërtet, nuk skuqet. Nuk bërtet! Unë ju dëgjova me respekt, me vëmendje. Vaj medet ata që marrim mësime ekonomie nga ju, po mundësisht…Meqë ju më bëni thirrje të ruaj etikën, unë di që etika thotë mos i ndërprit fjalën tjetrit dhe mos ofendo dhe mos u skuq. Nëse nuk jeni profesor i ekonomisë, pse ju ngarkojnë ju me këtë detyrë kur ka gjithë ata profesorë aty.” Dhe Rama shpjegoi më pas sërish situatën me enrgjinë elektrike duke theksuar se sistemi energjetik ka mbetur ende me shtyllat e Enver Hoxhës.

Pas Kryeministrit është ngritur sërish Spaho, që nga foltorja e ka ironizuar sërish Ramën: “Z.Kryeministër fjalim më profesionist për ekonominë nuk kam dëgjuar! Këtu duhet të hapet një kurs analfabetizmi…”

RAMA: PO VENDOSIM THEMELET E SHTETIT, TE CILIN JU E BETE COPE-COPE
Ora 13:30- Pas deklaratave të deputetëve të opozitës se maxhoranca po mburret me arritjet e qeverisë së mëparshme, Kryeministri Rama ka përmendur një sërë problemesh me të cilat qeverisja paraardhëse la vendin, ndërsa ka komentuar edhe raportin e Heritage Foundation për lirinë ekonomike.

“Për çfarë të mburreshim ne, me 720 milion dollarë që nuk ja kishit paguar kompanive, me faktin që këto para i kishit lënë jashtë borxhit dhe i kishit argumentuar se këto ishin mundime patriotike të kompanive për të ndërtuar Shqipërinë e përbashkët, apo të mburreshin me 1 miliard dollarë borxhe? Apo të mburreshim për faktin që ju thoshit shqiptarëve kemi vendosur bllokun e mbrojtjes 300 kw dhe pas këtij blloku, fshiheshin të gjithë spekulantët. Ju keni lënë ¼ e konsumatorëve të mos paguajnë, duke ua lënë atyre që paguajnë barrën e këtyre të tjerëve. Të mburreshim se latë TVSH-të e parimbursuara mbi 100 mln. Kush do të merrte TVSH-në duhet ta ndante TVSH-në me sekserët e pushtetit për të arritur atë i takonte. Ju që do të rrisni prodhimin vendas të energjisë e bëtë prodhimin vendas më të shtrenjtin. Raporti i Heritage, i referohet rritjes së taksës për biznesin. Nuk do lejojmë që biznesi i vogël të ngarkohet më shumë se sa ngarkohen korporatat. Unë s’kam pretenduar ndonjëherë që një qeveri do të marrë përsipër të ulë çmimet, çmimet i përcakton tregu, ju e pretendoni këtë. Ju keni të drejtë të bëni interpretimet tuaja që janë qesharake. Faktet flasin më mirë se ku ishim, ku jemi dhe ku do jemi. Ne nuk e kemi realizuar programin tonë 4-vjeçar. Ne kemi vendosur dhe po vendosim çdo ditë themelet e një shteti, të cilin e bëtë copë-copë si kafja e fshatit tuaj. Kush do të dalë përballë në raport me shtetin do ta kuptojë kush do ta fitojë. Përgëzimet e mia për ardhjen këtu dhe për motivimin që na jepni në luftën kundër krimit”, tha Rama.

RAMA GARANTON: BETEJA ME DROGËN ME ASHPER, SISTEM KAMERASH NE CDO RRUGE DHE POLICEVE NE TRUP –

Ora 13:00- Kryeministri Rama, pasi ka njoftuar për rrëzimin e një helikopteri me drogë, në Spanjë, i cili drejtohej nga një pilot shqiptar me gradën, ushtarak me gradën major u ndal tek lufta që po bën qeveria ndaj drogës dhe punën e policisë.

“Lufta me drogën nuk ka nisur më 23 qershor por ka shoqëruar rrugën prej vitesh ama është e vërtetë se me votën e 1 milion shqiptarëve më 23 qershor 2013 dhe me krijimin e qeverisë së Aleancës për Shqipërinë Evropiane beteja me drogën ka hyrë në një fazë të panjohur më parë dhe të paimagjinueshme. Lazarati ka tërhequr më shumë gazetarë, kameramanë dhe ka prodhuar më shumë kronika për Shqipërinë se sa përpjekjet për të propaganduar “Shqipërinë 1 euro”, apo “Shqipërinë, destinacion turistik”. Kjo politikë e ndjekur, politikë impotente. Lufta kundër drogës në përgjithësi ka regjistruar një progres të njohur botërisht, nga ata që dje ndërprenë bashkëpunimin me Policinë e Shtetit shqiptar. Menjëherë pas zgjedhjeve të 23 qershorit, më kanë takuar disa përfaqësues të vendeve të BE dhe fqinje, për të kërkuar nëse e kishim vendosmërinë për ta parë këtë gjë seriozisht. Policia e Shtetit ishte aksionere e drogës. Vetëm në 12 muaj qeverisje, ne e kemi rritur me 20% numrin e të kërkuarve ndërkombëtarisht. Në Policinë e Shtetit janë ndaluar dhe proceduar penalisht mbi 300 punonjës policie për veprimtari anti-ligjore”, tha Rama.

“Lidhur me vrasjet, ne do të zbulojmë edhe shkaqet që çojnë në to, – nënvizoi Kryeministri. – Pjesën më të madhe të tyre, 60%, e zënë vrasjen për pronësi dhe se kush e bëri “çorapin” me pronën dihet se as Partia Demokratike nuk e bëri, por më mirë, le të mos e zemë më gojë, siç thonë, se po e trazove, vjen erë.

Brenda vitit ne do të pajisim me sistem sigurie të rrugët e vendit, me qëllim që nesër të mos na thonë jo iku kreshniku këndej, e zuri dielli dhe s’e pamë, jo iku andej, por të jenë të gjitha të monitoruara dhe të regjistrohet çdo makinë dhe çdo targë. Secili shofer do të jetë i qartë për gjobën që ka marrë dhe përse e ka marrë.

Nga ana tjetër, në Tiranë, çdo polici që ka kontakt me qytetarët, do të pajiset me kamera në trup, me qëllim që gjithë komunikimi i tij me qytetarët të jetë i monitoruar,” – theksoi Rama.

TAHIRI: LINI POLICINË E SHTETIT TË PUNOJË

Ora 12:40- Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i ka bërë disa herë thirrje opozitës të heqë dorë së akuzuari Policinë e Shtetit dhe ta lërë atë të bëjë punën e saj.

“Të nderuar deputetë dua të bëj një sqarim të detyrueshëm për ju dhe qytetarët. Siç është bërë e ditur, Policia e Shtetit dhe Prokuroria përmbyllën me sukses një hetim, arrestuan 9 shtetas, u zbulua një laborator kokaine, u sekuestrua një sasi e konsiderueshme kokaine. Shfrytëzoj rastin të falënderoj çdo punonjës policie. Ti falënderoj për profesionalizmin, përkushtimin, integritetin, ashtu siç dua të falënderoj edhe në emrin tuaj, prokurorët dhe partnerët ndërkombëtarë. Pas Lazaratit, ky ishte operacioni më i suksesshëm, që tregon se jemi në rrugën e duhur. Deri dje droga ishte aty, në çdo cep të Shqipërisë, shqiptarët janë dëshmitarë, por nuk ka qenë atje Policia e Shtetit për të bërë detyrën. Sot është ndryshe pse rezultatet flasin vetë më shumë se çdo deklaratë politike. Hetimet po vijojnë bashkë me partnerët dhe ecuria e deritanishme tregon se do të ecin në rrugë të mbarë. Nuk e kuptoj se çfarë pune ka politika që fut hundët në punën e policisë dhe të prokurorisë. Nuk e kam kuptuar kurrë se kur luftohej në Lazarat kundër drogës, se si po këta që akuzojnë sot i quajtën policët që luftonin banda plaçkitësish dhe ata që qëllonin me armë policinë, viktima. Partnerët tanë ndërkombëtarë besojnë policinë e shtetit. Kriminaliteti nuk taksohet si dje, ku kupola drejtuese e policisë ulej në të njëjtën tavolinë me krimin. Edhe Lazarati u bë me bashkëpunimin e ndërkombëtarëve. Ky është edhe dallimi sepse këtë bashkëpunim me partnerët e kishit edhe ju, por drogën aty e gjetëm. Partnerët vinin gishtin në hartë dhe tregonin parcelat. Çdo ministër i brendshëm para meje ka pasur këtë hartë në tavolinë. Shqipëria për vitin e parë në historinë e  pluralizmit nuk është më vend origjine i trafikut dhe mbjelljes së drogës. Ju prokurorinë e rrethonit me policë që të mos vijonte hetimet ndaj një ish-ministri. Pavarësisht pritshmërisë sonë të lartë ne luftojmë për të mposhtur krimin, nuk ndërhyjmë tek hetimet e pavarura. Nuk i kërkojmë llogari prokurorisë pse nxjerr urdhër-arresti për një që vjedh një biçikletë dhe as pse nuk po heton një ish-ministër. Ne kemi zgjedhur të sillemi ndryshe, të forcojmë bashkëpunimin me prokurorinë, për të luftuar korrupsionin në sistemin e drejtësisë. Akuza ndaj meje dhe kryeministrit, nuk kam as kohë dhe as dëshirë të merrem me shpifje të tilla banale që kapërcejnë imagjinatën normale. Jam i gatshëm të vijmë dhe të paraqitemi personalisht në gjykatë nëse ju do e keni guximin të përballeni me akuzat, në të kundërt nuk kam asnjë minutë kohë të merrem me këto akuza. Këto akuza hynin në modelin tuaj të punës, gjeni një fakt të vetëm dhe unë i pari do përgjigjem në gjykatë. Përndryshe heshtni dhe mos fusni hundët me politikë aty ku nuk duhet”, deklaroi Tahiri, duke ju përgjigjur akuzave të opozitës.

Ora 12:00- Kryetari i Parlamentit Ilir Meta ka mbyllur debatet mes Braçes dhe Berishës, ndërkohë që ka nisur diskutimi për pikën e dytë të rendit të ditës në lidhje me Aktin normativ nr.2, datë 29.12.2014 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”të ndryshuar. Por ndërsa Meta i ka dhënë fjalën Ministrit Saimir Tahiri, deputetët e PD-së kanë kërkuar që ai të mos flasë, duke debatuar jashtë mikrofonit me Metën, ndërkohë që ky i fundit e ka quajtur jo normale kërkesën e opozitës.

“Nuk keni pse ulërini, si nuk paska të drejtë ministri të flasë, madje e kërkoi fjalën kur po fliste zoti Berisha. Doni tu hiqni fjalën deputetëve të maxhorancës, kjo nuk më duket demokratike. Në rast se doni pretekste për të bërë sherre të panevojshme e keni shumë gabim. S’keni të drejtë t’ia hiqni fjalën askujt. S’ju detyron njeri ta dëgjoni patjetër. Kaq frikë keni nga zoti Tahiri, që nuk e lini të flisni. Unë u mora vesh me zotin Berisha, ju të tjerët..”, tha Meta.

BRACE: I TURPSHËM FJALIMI I BERISHËS, NUK DËGJON KURRË NË EUROPË TË TILLA AKUZA
erjon brace

Ora 11:40-“Nga gjithë sa dëgjova më duhet të konfirmoj me forcë se Europa është destinacioni jonë pavarësisht ngjarjeve kriminale të viteve ’97, ‘98 që e lanë këtë vend pas, ne Europën duhet ta kemi destinacion. Kërkund në Europë në Europën e bashkuar, politike sociale, kulture nuk do gjenit një fjalim si ai që dëgjuat pak më parë për gjithë ato akuza të rënda. Sot në prokurori, gjykatë janë tërësisht të paprekur të gjithë ata persona të emëruar me vullnet të plotë dhe tërësisht individual nga zotëria që foli këtu më herët. Përkundrazi sot ministri i Brendshëm dhe Kryeministri ka kërkuar ballafaqim penal dhe civil për secilën nga akuzat që kemi dëgjuar këtu.
Nga gjithë sa thamë e dëgjuam këtu është thjesht një ligjëratë që ndodhet jashtë sistemit legal dhe Europën. Përtej të gjithave sa u thanë këtu në referencat e asaj marrëveshje, që nuk u fol asnjë fjalë ne kemi bërë mirë që gjatë vitit 2014 ne kemi shpenzuar 7 miliard lekë për Policinë e Shtetit, janë para të shpenzuara mirë”.

“Po bëhen përpjekje të mëdha për formalizimin e ekonomisë. Luftuam evazionin fiskal. Ka përpjekje për të luftuar ekonominë e krimit, ekonominë informale. Pa asnjë lloj diskutimi, shpreh keqardhjen më të thellë për çdo viktimë që ka humbur jetën në vend. Po bëhet bujë e madhe për vendosjen e ligjit për pagesën e energjisë elektrike. Çdo e ardhur që po arkëtohet nga qytetarët, po shkon në arkat e një kompanie që prej këtij viti do të kryejë investime”, tha Braçe.

Braçe ka reklamuar dokumente që kanë të bëjnë me ekzistencën e 7 kompanive të lidhura me qeverinë paraardhëse, kompani qw sipas tij trokisnin në dyert e qytetarëve të Shqipërisë për tu marre lekë, që shkonin në xhepat e tyre. “Sot paratë nuk po i marrin më kompanitë e pushtetit, po i merr kompania publike. Shqiptarët që paguajnë energjinë, duhet ta dinë se kjo është diferenca, se ajo pagesë po shkon për një kompani publike. Vjedhja e energjisë elektrike është shumë e qartë dhe është shkruar në kod jo nga ne por nga ju” se si dënohet.

BERISHA: TË NGRIHEMI, TË COJMË VENDIN NË ZGJEDHJE TË PARAKOHSHME
sali berisha

Ora 11:35-“Kjo qeveri është qeveri e hakmarrjes për drejtësi nga kreu i saj te ministrat me radhë. Ato kërcënime që ata lëshojnë nëpër gazeta, Dabullat apo Shytët janë shkruar nga zyra jote. Ato më krenojnë mua. Ju vetëm sa faktoni se jeni hakmarrja për drejtësi. Të ngrihemi dhe të çojmë vendin në zgjedhje të
parakohshme për të shpëtuar procesin e integrimit. të shpëtojmë vendin nga krimi, korrupsioni dhe tenderat që vjedhin vëllezërit e ministrave. Të ngrihemi sepse asgjë ska më të fortë se parimet që ne besojmë”.

BERISHA: NË SHQIPËRI BËHET PROSTITUCION SHTETËROR
Ora 11:30-Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur në emër të grupit parlamentar të PD-së, ndërsa ka akuzuar qeverinë dhe kryeministrin Rama se po i largohen kritereve për integrimin e vendit duke ndërtuar një shtet policor, duke ngritur murin e krimit e të korrupsionit. Berisha tha se” Brukseli thotë për Lizën, ‘në Shqipëri bëhet prostitucion shtetëror”. Ai akuzoi një prej ministrave se çoi vrasës tek gazetari i News24 Arjan Çani. Berisha tha se janë arrestuar 39 mijë shqiptarë në një vit dhe të burgosurit po trajtohen si kafshët. Ish-kryeministri tha se ngjarja e ndodhur në QSUT me vajzën e cila u ngacmua seksualisht është shumë e rëndë dhe se shteti e ka për detyrë të mbrojë qytetarin deri në derën e shtëpisë.

“Në të gjitha projektet që ka Shqipëria por që ka kombi shqiptar në tërësi, kryeprojekti është integrimt evropian. Për fat të keq integrimi është shndërruar për shqiptarët në Shqipëri në një horizont të bukur që largohet çdo ditë e më shumë, që bëhet çdo ditë dhe më i paarritshëm. Integrimi evropian është një proces që kalon nëpër një hartë rruge që quhen Kriteret e Kopenhagut. Këto kritere të ndërtuar me një përpjekje dy dekadash, me një investim kolosal të shqiptarëve dhe partnerëve tanë, të çmontohen çdo ditë. Kreu i ekzekutivit ka zgjedhur jo standardet por kërcënimin ndaj Europës. Kreu i ekzekutivit çon mesazhe në Bruksel “se po humbim durimin”, “se po humbëm ne durimin ju ballkanizojmë”, “po humbëm durimin mjerë ju”. Nuk ndjekin kriteret e Kopenhagut, por ndërtojnë shtetin policor, murin e krimit e të korrupsionit. Tu referohemi fakteve, çfarë ndodh në Shqipëri: Kjo qeveri ka shndërruar shtetin ligjor në shtet policor. Janë arrestuar 39 mijë shqiptarë në një vit. Është e vërtetë që këta nuk janë arrestuar sepse kanë sharë kryeministrin, ose ministrat por janë arrestuar pasi kreu i ekzekutivit ndjek trashëgiminë e tij të zezë, vetëm këto i qetësojnë vuajtjet e tij shpirtërore. Nuk janë si burgjet e diktaturës, por në një qeli rrinë 20 vetë si të ishin derra, kafshë. Mund të ndodhë kjo në një vend normal, jo nuk mund të ndodh. Përse ndodh kjo sepse kundërvajtjet civile kthehen në kundërvajtje penale, përse, sepse do të bëjë ligjin si Spiro Koleka.

Keni deputetë që nuk kanë paguar 100 fish të debitorëve, keni zyrtarë që s’kanë paguar. Për çfarë Europe flisni ju, ju po e çoni vendin në drejtimin e kundërt të saj. A ka Europë a ka integrim me kërcënime ndaj gjykatësve, prokurorëve.

Gjykatëses në Kukës, i thotë kryeministri ti pres këmbët. Ky burrë ja çoi vrasin Arjan Çanit. Kostandini i Partisë i hodhi kokën e dhisë, Telnis Skuqit. Ky është horizonti që largohet nga Shqipëria. E di çfarë thotë Brukseli për Lizën, “Në Shqipëri bëhet prostitucion shtetëror”. Ju moj zonja deputete që keni ardhur dhe keni zënë platformën, ju duhet të ishit luftëtaret më të mëdha. Nëse do të shihni atë çfarë i ndodh asaj vajze në makinë është e tmerrshme. Kryeministri shkon 3 ditë në spital për të terrorizuar mjekët dhe infermierët”, tha Berisha.

TOPALLI: DEPUTETI I MAXHORANCËS U KAP ME DROGË NË VILUN TË SHKODRËS, S’JENI BURRA KUR NUK PËRMENDNI SHULLAZIN
jozefina topalli

Ora 11:20-Deputetja e Partisë Demokratike Jozefina Topalli akuzoi në nisje të seancës maxhorancën për lidhje me klanet e drogës. Në një fjalim të mbajtur në Kuvend ajo tha se një deputet i shumicës i pranishëm në seancë u kap e më pas u lirua me një makinë me drogë në Vilun të Shkodrës. Ajo ka akuzuar maxhorancën se është e lidhur me krimin, duke përmendur ngjarjet e fundit kriminale të zbuluara në vend.

“Ku janë kokat e trafikut të kokainës? Si ka mundësi që ministri i brendshëm ndërhyn në emision televizive i rebeluar. Keni dëgjuar ndonjë ministër të thotë “E çfarë ka se ka një laborator droge”, “E çfarë ka që bie një avion droge”. Nuk ka mundësi që të ngrihet një bazë e përpunimit buzë rrugës kombëtare dhe të mos ketë lidhje me shtetin.

Çfarë burrash e çfarë grash jeni, që keni frikë të thoni se një prej të arrestuarëve është kushëriri i anëtarit të Bandës “Hakmarrja për drejtësi”? Pse ikëm nga parlamenti për 6 muaj, për lidhjet tuaja me krimin. Për cilat reforma flisni ju, për burg dhe për narkotrafikantë. Çohuni dhe protestoni, çohuni dhe lidhuni me shqiptarët, shikojini në fytyrë, nuk kanë shpresë. Thonë ky vend nuk bëhet, jo mor jo ky vend bëhet por me njerëz që kanë kurajë që denoncojnë krimin. Nuk është furtunë në një gotë një laborator droge.  Për sa kohë të kesh karrigen, duhet të bësh diçka për vendin, mund të mos realizosh të gjitha por duhet të bësh diçka. Uroj se do të dalin burra dhe gra që tu vënë emrin që kanë gjërave”, tha Topalli.

BUSHATI: PËR HERË TË PARË PO BËHEN INVESTIME JO ELEKTORALE

Ora: 11:00- Parlamenti ka nisur të diskutojë Projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për pjesëmarrjen në Programin e Unionit “FISCALIS 2020”; Deputeti i PS-së, Ervin Bushati tha se Europa e shikon Shqipërinë si një partner serioz dhe se për herë të parë po bëhen investime që nuk janë as elektorale dhe as politike.

“Investimet do të vazhdojnë edhe vitin që vjen. 80% e investimeve janë të mbetura nga qeverisja e kaluara, disa raste rrugët kanë edhe 4 vjet. Për herë të parë investimet nuk janë as elektorale dhe as politike. Po bëhen investime që i duhen ekonomisë, sepse këto rrugë i duhen shqiptarëve. Për herë të parë politika po i çon investime ekonomisë. Gjithçka që ne hedhim si kapital në treg ndikon në jetën e qytetarëve”, tha Bushati.

DITA E KUJTESES, META: PËRULEMI ME MIRËNJOHJE PËR SHQIPTARËT QË NDIHMUAN DHE STREHUAN HEBRENJTË 

Ora 10:30-Në kuadër të ditës së kujtesës së viktimave të Holokaustit, Kreu i Parlamentit, Ilir Meta ka çelur seancën plenare duke sjellë në kujtesë miliona viktima të barbarizmës naziste. “Këtë javë e gjithë bota kujton me dhimbje, një popull të tërë që u masakrua në kuadër të një ideologjie të rrezikshme. Përulemi përpara një brezi të tërë që nuk u përkul para nazizmit. Përulemi mirënjohje për shqiptarët që ndihmuan dhe strehuan hebrenjtë. Kjo sakrificë është njohur edhe në regjistrin e të drejtës së kombeve. Shqiptarët përmes kësaj vepre vunë në jetë proverbin “Kush shpëton jetë, shpëton universin e tërë. Falënderoj ambasadorin e izraelit, David Kohen që na nderon me praninë e tij, falënderoj përfaqësuesit e trupit diplomatik”, tha  Meta.

LESKAJ: TRASHËGIMIA E FAMILJEVE SHQIPTARE, SHËNJON MARRËDHËNIET MES DY VENDEVE

Deputetja Valentina Leskaj, njëkohësisht kryetare e grupit të miqësisë, Shqipëri-Izrael vlerësoi gjithashtu kontributin e familjeve shqiptare për mbrojtjen e familjeve hebreje.

“Ndihem e nderuar në këtë seancë të nderimit të një ngjarjeje ku është angazhuar mbarë komuniteti ndërkombëtar, duke përkujtuar ditën e kujtesës, ditën Shoah. Ditë e nderimit të thellë për të gjitha ato familje shqiptare që mes kushteve të vështira sakrifikuan e rrezikuan edhe jetën, duke na lënë një trashëgimi të vyer të dinjitetit njerëzor. Një ngjarje që na bën nder edhe në ditët e sotme. Kjo trashëgimi ka shënjuar edhe marrëdhëniet e sotme mes dy vendeve”, tha Leskaj.

AMBASADORI DAVID COHEN: HEROIZMI I SHQIPTARËVE ABSOLUT

“Jam krenar që ndodhem në kuvend në ditën kur kujtojmë orët më të errëta të historisë njerëzore. Një ditë kur ne gjithashtu mendojmë për gjenocidet e tmerrshme që kanë ndodhur që prej kohës së holokaustit. Falënderoj kryeparlamentarin Meta dhe deputetët që kanë kontribuar për këtë ditë të rëndësishme. Shqipëria vendi me rekordin më të mirë për një heroizëm të tillë për strehimin e hebrenjve. Është pothuajse i panjohur fakti që shqiptarët strehuan dhe mbrojtën hebrenjtë, të mbështetur në parimin e besës. Heroizmi i shqiptarëve bëhet edhe më absolut, kur vendet fqinje të Shqipërisë, ja dorëzuan vetë nazistëve, hebrenjtë. Numri i hebrenjve në kohën e Luftës së dytë Botërore u dhjetëfishua. Një grua hebre që u strehua në Shqipëria nga familje myslimane, shkroi se “Një ditë do ti tregoj botës se shqiptarët i kanë mbrojtur hebrenjtë, pa marrë parasysh rrezikun”.  Epidemia e racizmit ende sfidon. Akte anti-semitiste duhet të denoncohen, s’mund të rrimë në heshtje”, tha Cohen.

(m.k/d.b/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: