*Berisha: “Shukriu”, prisni skandalin e radhës që po ju vjen!

TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar kreun e qeverisë se e ka zhytur vendin në skandale llumi, dhe e ka shndërruar në vendin më të rrezikshëm. Berisha tha se policia shqiptare nuk ka marrë pjesë në operacionin për goditjen e bandës së trafikut të drogës duke mbrojtur sipas tij “Escobarin e Ballkanit”, Klemend Balilin.

“Skandale llumi në të cilat ky njeri me norma, kriteret dhe standardet e tij ka zhytur Shqipërinë. E ka zhytur dhe shndërruar atë në vendin më të neveritshëm, më të pabesueshëm, më qesharak, në vendin më të rrezikshëm se çdo vend tjetër sot.

Këtu kalohet nga skandali në skandal dhe këtu heroizohet skandali. Javën e kaluar ne folëm për Ediscobarin e Ballkanit, Balili u shpall Escobar i Ballkanit, çfarë ndodhi me Balilin? Jua them unë. Meqenëse policia greke dhe DEA njoftuan se ai është miliarderi i Ballkanit, vetë kreu i Balilit në parlament doli dhe iu tha qytetarëve shqiptarë: Një punë të mirë të policisë së shtetit shqiptar që ka marrë pjesë në hetime lidhur me çështjen e linjës së trafikut të drogës ju e përdorni për të sulmuar qeverinë. Këto ishin fjalët që iu tha Ediscobari shqiptarëve. Kurse zëdhënësi i tij i rendit, Saje qorri shkroi se në SHQUP nuk ka kufi mediokriteti për të sulmuar çdo rezultat të policisë”, tha Berisha.

Por ai theksoi se në njoftimin e policisë për arrestimin e 17 personave të kësaj bande, policia shqiptare nuk përmendet fare.

“Haki Çako, drejtori i Ediscobarit tha sigurisht që kam dijeni. Është një operacion i përbashkët me DEA-n. Dëgjoni o zotërinj se ju dëgjoni dhe harroni.  Si kam thënë unë, po këta mbrapa. Në deklaratën e policisë greke thuhet se janë arrestuar 17 persona nga bashkëpunimi i policisë greke, asaj belge, DEA-s dhe policisë italiane. Përjashtohet policia shqiptare. Kur ambasadori ynë bëri marrëzinë e tij, demantoi CNN me notë zyrtare, CNN nxori letrën e tij ku Escobari ishte i bardhë si bora”, tha ish-kryeministri.

PËRGJIMET
Nga ana tjetër Berisha është ndalur dhe tek çështja e përgjimeve, ndërsa i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama që të dorëzojë pajisjet e përgjimit. Berisha theksoi se ky është një akt tejet i rëndë, pasi nuk mund të përgjohet presidenti i Republikës, apo kundërshtarët politikë. Berisha e cilësoi Ramën si kryeçimkë.

“Me urdhër të Ramës ia mbathi në drejtimin që ja mbath Arben Frrokut. Ku ta di un se sa ia ka çuar valixhen me euro? të dhënat më thonë mua se atje e ka çuar në Rodos, e ka takuar bosin e drogës. Ka darkuar në restorant Livia në Butrin. Atëherë, të dhënat më thonë dhe shumë gjëra të tjera, por nuk po merrem me to. E përcolli në vend tjetër dhe tani si Ponc Pilati njëherë nxjerr Kokëdhimën e njëherë shkuan anonime. Je ‘Ecobari i Ballkanit’ je bërë ndëshkim për vendim. Kryeçimka e vendit, e shihni këtë burrë, ky është kryeçimkë. Më solli mua çikmën të më përgjonte kur isha kryeministër. (Rama qesh) pagoi 5 mijë euro për të mbajtur orën e Çamkut dhe të më regjistronte, por më nderoi. Ky është çimkë. Burri që merret me regjistrimin e kundërshtarëve ça burri është? Një kalem ordiner. Skandali është i përmasave të jashtëzakonshme dhe keni bërë veprime shumë të rënda, si me regjistrimet që i ke bërë presidentit të Republikës, kreut të opozitës.”, tha Berisha.

Ai shtoi se: Gjatë tre ditëve të fundit ke kryer veprime të ultra. Të këshilloj, dorëzo pajisjet dhe mos krijo sherre të panevojshme, pasi ke kryer një vepër të rëndë, të stilit mafioz të neo-bllokmenëve. Dorëzo pajisjet. Pajisje të tilla kanë hyrë në Shqipëri gjatë qeverisjes së Nanos, Berishës, dhe do hyjnë në Shqipëri, por ka rregull e kod. I ka përdoru qeveri a Nano, qeveria ime, e qeveria juaj, por vetëm me leje të prokurorit të Përgjithshëm e me destinacion. Shullazin, por jo presidentin e republikës, jo kundërshtarët politikë.”.

Berisha tha se Rama përdor njerëz për kërcënime. “Edi Rama i vetmi në botë që dërgon sekretarin e përgjithshëm të mafies si polic me kërcënime monstruoze si sekser nga gjykata në Gjykatë, Ëngjëll Llagaçen. I bëj thirrje prokurorit të hetojë tabulatet. Qërojeni, t’i ndjeni vetes një karakter dhe integritet! Mbylljani dyert, përplasjani në fytyrë. Njeri që kalon nga gjykata në gjykatë si qen për të korruptuar. Shkon tek presidenti i republikës për ta korruptuar. Ai është ky”, tha Berisha.

Deputeti i PD-së solli edhe foto që sipas tij janë pallatet pa leje të deputetit të PS, Sadri Abazi. “Çfarë nuk qëndron në këto që po themi. Ja ku i keni pallatet pa leje të Sadri Abazit. Kërcënon gjykatësit një mafioz is ai që tek bulevardi i ri po merr leje për të ndërtuar pallatin 31 kate e ndaj shkon e kërcënon me urdhër të Edscobarit”, u shpreh Berisha.

“SHUKRI XHELILI”
Berisha është ndalur edhe tek video-skandali i ish-kryebashkiakut të Peshkopisë por paralajmëroi një skandal edhe më të madh në qendër dhe jo periferi. “Tek Xhelili, zoti Manja më duhet të them se e kuptova që je ndjerë keq, po mos u ndje keq se janë shumë herë më keq se Xhelili këta që janë mbrapa. Prit Bashkim se do dali. Ju prutë në krye të shkollës Ismail Qemali një rrobaqepëse që nuk kishte dhënë kurrë mësim. Një shkollë më të mirën e shndërruat në shkollën më problematike. Vutë Agronin pedofil, i cili jo vetëm që kërkonte seks për vend pune por me një minorene. E keni vënë re ëmbëlsinë e vllahut të Koços, ka një ëmbëlsi djallëzore. Juve ju gjetën pedofilët. Kush ua solli këta, opozita? I sollët vetë. Ju garantoj unë. Prisni skandalin tjetër shumë herë më madhor, jo në periferi, në zyrat më qendrore në Tiranë”, deklaroi ai.

RAMA-BERISHËS: DO TA LËSH APO JO PD TË VOTOJË REFORMËN NË DREJTËSI
Kryeministri Rama ka reaguar pas akuzave të Berishës, duke i kërkuar që të flasë për reformën në drejtësi. Duke u shprehur se Berisha pengon vijimin e punës për reformën, Rama tha se “nuk është në interes të ish-kryeministrit skanimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve”.

“Sali i detyrohem avokatit në mungesë një replikë, po të ishte këtu do të kishte recituar, “o derzi i punëtuar, bam me këmbë e bam me duar”. Po unë kam një pyetje, do ta lësh apo jo PD të votojë reformën në drejtësi. E mos shiko qytetarin dixhital, por më shiko në sy e thuaj pse nuk flet një fjalë për reformën. Mjafton të shohësh se çfarë ndodh në gjykatë me atë malin e betonit që u dha leja nga kryetari në detyrë i partisë tënde për të kuptuar se ti i pari je krejtësisht i painteresuar që gjyqtarët dhe prokurorët në këtë vend të kalojnë në skanerin e kontrollit. Po pengon reformën në drejtësi, pasi do një sistem të korruptuar që bën shërbime për ty personalisht, për njerëzit e tu e tarafin tënd”, tha Rama.

Kreu i Qeverisë u ndal edhe çështja e pallatit 17-katësh te liqeni, duke u shprehur se gjykata nuk zbaton ligjin, duke mos marrë parasysh konfliktin e interesit me trupën gjyqësore.

“Një gjykatë e kapur me presh në duar që refuzon të zbatojë ligjin, të marrë parasysh konfliktin e interesit e të ndryshojë trupën gjyqësore. Një mal betoni mbi digën e liqenit që kërcënon jo vetëm parkun, por edhe jetën e një lagjeje të tërë, dhe që është konsideruar i rrezikshëm nga një komitet shtetëror specialistësh. Gjykata u detyrua se një gjyqtar doli klient, blerësi drejtpërdrejtë nga kompania paditëse e shtetit. Dhe ju që u angazhuat, deri edhe më armë për ndërtimin një parku lojërash, nuk bëzani, por përkundrazi angazhuat presidentin për të dalë publikisht dhe për të marrë në mbrojtje trupën më të korruptuar që mund të përfytyrojë mendja normale po të njohë ligjin, dhe të shohë konfliktin e interesit. Dhe pastaj vini kujën se pse doli në protestë kreu i bashkisë. Po të mos kishte bërë atë protestë dhe po të mos kishte ndarë me opinionin publik, sot do të ishte zbardhur një vendim me trupën e një konflikti interesi. Sot bëni të paditurin, aq më tepër këtu ku keni vetëm një armë, kriminalizimin e përditshëm. Jeni krejtësisht hipokritë dhe në tradhti të plotë e të përditshme me popullin”, tha kryeministri Rama.

Nga ana tjetër Rama theksoi se opozita nuk sheh asnjë alternativë tjetër veç shpifjes, ndërsa theksoi se Berisha e akuzon atë për lidhjet e tij me drogës që në kohën kur ishte kryebashkiak e mbolli kumbullat e kuqe.

“Nuk keni asnjë kapacitet për t’ju kundërvëmë me alternativë dhe ideale të propozime të kundërta. Reformat që bënë qeveria, ju ka mbirë në majë të hundës fjala; skandal. Me drogën Sali ti më ke lidhur mua që kur mbolla kumbullat e kuqe. Ka qenë një kohë tjetër, nuk ka pasur kaq shumë televizione dhe nuk kanë ekzistuar rrjetet social edhe as qytetarët dixhital. Fantazinë e kam për të bërë punë që ti as nuk e imagjinon dot që të realizosh. Këta përsërisin këngën tënde të vjetër, nuk njihni kundërshtarë, por vetëm armiq që duhet me çdo kush ta degjenerosh me çdo mjet. Të mungon vetëm mjeti i fundit, gjyqi për të dënuar pa avokat atë që ke përballë. Uro këtu Sali, se nuk është as e re dhe as e fundit se ti je një gënjeshtar patologjik. Po deshe ta jap ta gugëllosh aty meqë s’më sheh dot në sy. ja ku e ke Europol, merre e lexo. Të kam parë këtu, shtoje mbi tekstin, hiqje.”, tha Rama.

DEBATET
Rama: U arrestuan në një operacion të mirëkoordinuar të udhëhequr nga Greqia dhe të mbështetur nga Belgjika dhe Shqipëria. Sali! O Sali! Origjinali je vetëm ti po ke produkte të falsifikuara.

(Berisha çohet nga vendi dhe i çon Ipadin e tij Majkos ku i tregon njoftimin për Balilin)

Leskaj: Pse ja çon Pandit?

Rama: Ulu, ulu dhe bëji update mjetit ose jepja mbesës t’i bëjë. Dhe mos më trego çfarë të them se unë mbaj përgjegjësi të plotë për këtë. Sali update mrrokllën se atë e ke të updatuar nga siti i Europolit.

Pandi nuk mund të bëhet shahi (lloj pushke) tani se është i freskët nga takimi me kryetarin tënd në detyrë. Me të mbaruar hetimi, prokuroria për mjetin e përgjimit, edhe për mjetin e përgjimit prapë në gjuhë të huaj do ta lexosh të vërtetën. Mos ki merak. Unë thashë bazuar në dokument ti thua bazuar mbi mrrokllën që ke në dorë. Ti jashtë nuk del Sali, se të kishe dalë jashtë do kishe bërë mirë kohë më para. Nuk ka asgjë origjinale në duart e Saliut është vetëm Saliu origjinali, çdo gjë tjetër në duart e Saliut është i falsifikuara.

Je pjesë e bandës. Vetëm shpifni dhe vetëm baltosni, çoheni këtu dhe flisni për drejtorët ndërkohë vetëm një propozim kemi bërë ne për ligjin e dekriminalizimit. Përfshihen në ligj dhe të gjithë të administratës publike. Këtë e kemi kërkuar ne. Përgjigjet tuaja për të kriminalizuar PS-në, për ta treguar PS-në si vendin ku gëlojnë kriminelët janë përpjekje të dëshpëruara që mund të përfshijnë vetëm të paarsyeshmit. Iu marrim kohë në një ditë të enjte, që është ditë e zezë për të vërtetën, për çdo moral, ditë e zezë për çdo kënd që ka marrë nga populli qoftë edhe një votë që ushqen këtë batërdi të pashembullt, që na tregon ne si njerëz me bisht jo si deputetë të zgjedhur nga shqiptarët për të çuar para reformat.

Sali ti nuk e do reformën në drejtësi se nëse ti dhe këta, po këta janë më të pafajshëm se këta nuk mbajnë përgjegjësi për atë që thonë. E kanë bërë paktin me ty…

Kreu i Qeverisë pohoi se maxhoranca bën reforma, opozita flet për skandale. “Është turp, nuk ka më turp që flisni e flisni; kriminelët; banditët. Ju mbeteni pa punë dhe do ndryshoni katërciprisht mënyrën e të kuptuarit dhe bërit politikë. Ju mbeteni pastaj të ekspozuar përballë rrezikut që përballeni me të kaluarën tuaj. Keni plotë për të fshehur dhe për të qenë të trembur. Historia midis nesh është e thjesht; Ne bëjmë reforma, ju flisni për skandale.”, tha Rama.

BERISHA: RAMA PËRPIQET TË MBULOJË SKANDALET. HETIM I PLOTË PËR PAJISJEN E PËRGJIMIT
Ish-kryeministri Berisha ka akuzuar kreun e Qeverisë se me deklaratat e tij tenton të mbulojë skandalet. Më tej, Berisha është ndalur tek pajisja e përgjimit, duke u shprehur se duhet hetim i tërësishëm për këtë çështje.

“Si burrec që është ia mbath. E vërteta është që unë këtu flas për qytetarët, deputetët, dhe jo për burrecë si Rama, që flasin edhe ia mbathin. Bën “kapro-lali” nga greqishtja, me fjalë të menderosura. Pra me fjalë që kundërmojnë kërkon të mbulojë skandalet. Skandali Xhelili është vetëm njëri i dhjetëra skandaleve të kësaj administrate në të katër anët e vendit. Plus edhe ato që mbulon ai, që po të doni ua nxjerr me video. Hetimet po vijojnë dhe do ketë arrestime të tjera shumë shpejt. Këtu u përmend edhe përgjimi. Një akt i shëmtuar. Unë nuk kam çimkuar njeri. Ndërsa ai e bëri me një 5 mijë eurosh. Paraqiti produktin e çimkës. Unë nuk po rrëfej disa gjera të tjera midis tyre, se po t’ua them ato ju do lemeriseni. Një analizë thonte se ata kanë një raport të veçantë, por për punët e tyre intime unë nuk futem në ato gjëra. I kërkoj zyrtarisht autoriteteve italiane, parlamentit italian, ministrisë së Brendshme italiane për këtë çështje. Ne kemi të dhëna për mënyrën e ardhjes së pajisjes, dhe implikimit të personave të tjerë në ardhjen e saj. Çështja do të zbardhet. Thirrja ime është miqësore, por është e rëndësishme që të bëhet një transparencë e plotë. Akt banditeskt të regjistrosh Presidentin e Republikës”, tha Berisha.

Më tej ai iu përgjigj akuzave të kryeministrit Rama, se Berisha ka përdorur gjykatat në dispozicion të tij.

“Këtu Rama tha se gjykatat paskan qenë në dispozicionin tim. Dua të informoj qytetarët se gjatë 23 viteve, Berisha dhe asnjë pjesëtar i familjes së tij nuk ka përfituar as edhe gjënë më të vogël nga një proces gjyqësor në territorin e vendit dhe as kudo në botë, fëmijët e mi të cilët e kanë patur të ndaluar nga unë të padisin në gjykatë gazetarë, kanë padituar politikanë që janë këtu, dhe janë shpallur nga gjykatat si shpifës, pasi i kanë akuzuar ata pa asnjë fakt. Po ky është një mashtrues kongjenital, ka lindur mashtrues. Bosi i korrupsionit sot është ky me vëllain e tij, Olsi. Nuk jam unë që kam akuzuar Olsin për muaj të tërë se kërkonte të merrte TVSh-në. Nuk jam unë që kam akuzuar Olsin, por mediat që kanë sjellë dokumente se donte të merrte Spitallën. Nuk jam unë ai që ka akuzuar Olsin për Skavicën, por mediat kanë dëshmuar se ky është i shkalluar pas Skavicës. Nuk kam denoncuar unë Olsin se ka kalua disa herë kufirin me një makinë bashkë me një ndrikull”, tha Berisha.

(m.k/ed.me/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: