Nga Mero BAZE
Sali Berisha po përpiqet të bëhet rrufepritës i sulmeve kundër Lulzim Bashës, duke marrë përsipër të jetë “kritiku” i tij, deri në atë masë sa të jetë i besueshëm si lideri i njerëzve të pakënaqur të Partisë Demokratike. Në një intervistë në një portal të nancuar nga djali i tij, Berisha ka thënë disa të vërteta pjesshme dhe të njohura për Lulzim Bashën. Ka thënë se ka bërë disa spastrime të papranueshme në parti, ka thënë se çadra ishte lëvizje militantësh dhe jo popullore, kurse ai (Basha) e përktheu si një e drejtë për të dalë nga PD dhe për të gjetur deputetë nga populli. Ka thënë po ashtu se ai nuk ka qenë i përzier në listat dhe marrëveshjen e Bashës me Ramën.

Në tërësinë e vet, ka arritur të krijojë përshtypjen se është i pakënaqur me Lulzim Bashën, në atë masë që të gjithë të besojnë se kushdo që është i pakënaqur me Bashën, duhet të jetë me Berishën dhe duhet të veprojë si ai. Në një farë mënyre, Sali Berisha është duke formuar prototipin e demokratit radikal të pakënqur, që mbështet me shpirt në dhëmbë, Lulzim Bashën. Duke qenë se mjedisi rrotull është varfëruar shumë, ai e ka marrë vetë përsipër këtë punë. Ai është padyshim njeriu më i besuar i demokratëve, gura më e mbështetur e tyre, dhe duke thënë vetë ai që është i pakënaqur me Bashën, por duhet të qëndrojmë me të, ai është duke bërë dy shërbime të mëdha për Bashën. E para, që bëhet lider i të pakënaqurve brenda PD, por që do të çojnë ujë në mullirin e Bashës, dhe e dyta, që është dhe më e rëndësishme, ai me këtë akt po përpiqet të sabotojë kundërshtarët realë të Bashës brenda partisë, të cilët janë në një moment reflektimi, nëse duhet të vazhdojnë betejën në parti, apo të formojnë një parti të re.

Duke ndërhyrë në mes të këtij debati, Sali Berisha është duke tentuar ta përçajë, ose ta zvogëlojë, rëndësinë e këtij grupi, dhe të sigurojë Bashën nga ana tjetër, se tani e tutje është në dorë të Sali Berishës. Është Sali Berisha ai që ka në dorë çelësat e portës që mban të frenuar digën e zemërimit kundër tij.

Me këtë gjest, ai praktikisht ka shpallur veten tutor të Lulzim Bashës dhe po tenton të zbehë dhe eliminojë kundërshtarët realë të tij. Për hir të së vërtetës, e ka bërë këtë me një klas politikani, që thotë të vërteta të pjesshme dhe të prekshme, për të krijuar mitin e njeriut që realisht është i shqetësuar nga ato probleme. Lulzim Basha me siguri do ta marrë me qetësi këtë zhvillim, duke i qenë “mirënjohës” Berishës që po e korrigjon për ndonjë gabim që ka bërë, dhe akoma më shumë, mirënjohës që po ja heq qafe kundërshtarët e tij real, duke u “vetë-emëruar” ai në rolin e kundërshtarit. Është beteja ndoshta e fundit e Berishës, për të mbrojtur Bashën në atë karrige ku e ka çuar. Ndoshta e shtyn dhe katër vjet kështu. Pas katër vjetësh, nuk ka çfarë mbron më.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: