Besart Çopa nuk është si të gjithë moshatarët e tij. Edhe pse vetëm 19 vjeç, ai ia ka dalë që të fitojë një projekt nga “Sustianable Developement Solutions Network”, që është dega e Kombeve të Bashkuara e cila ofron suport për zgjidhjet praktike të qëllimeve. “Albania’s Scholarship Effort” është projekti i përzgjedhur, që ashtu si vetë Besarti shprehet, ka për qëllim t’u vijë në ndihmë studentëve shqiptarë që duan të studiojnë jashtë Shqipërisë. Ky projekt ka marrë tashmë edhe mbështetjen e Vatikanit, dhe siç vetë 19-vjeçari tregon, kjo është një shenjë besimi për zhvillimin e vazhdueshëm. Si një student që ka kryer shkollimin e tij në një nga shkollat më të mira në Zvicër, ai shprehet se në Shqipëri mendimi i nxënësit nuk merret në konsideratë. E në fund nuk harron pa na folur edhe për të përditshmen e tij, ku e ndan kohën mes punëve të shumta dhe pasionit për leximin.

Besart, çfarë është “SDSN Youth Symposium”?
“Sustianable Developement Solutions Network” (SDSN) është dega e Kombeve të Bashkuara e cila ofron suport për zgjidhjet praktike të qëllimeve 15-vjeçare të UN, të quajtura “Sustianable Development Goals” (SDGs). “SDSN Youth” është sektori i “SDSN” që mundet të inkurajojë moshat 19 deri në 30 vjeç që të bëhen më aktive me punën e Kombeve të Bashkuara. “SDSN Youth Symposium” ishte një event i organizuar nga “SDSN Youth” dhe Akademia e Shkencave të Vatikanit për të ndihmuar 50 projektet e selektuara nga e gjithë bota të zhvillohen më tej. Projekti im ishte një nga këto 50 projekte.

Si u bëtë pjesë e këtij projekti?
Në shtator, “SDSN” hapi një thirrje për projekte, dhe unë dërgova një përshkrim të International Scholarship Effort. Projekti u zgjodh, dhe unë u ftova në “SDSN Vatican Youth Symposium” për ta paraqitur përballë një jurie të zgjedhur.

Si lindi ideja e krijimit të “Albania’s Scholarship Effort” (ASE)?
Kur unë fitova bursën për në Leysin American School në Zvicër, u surprizova pa masë sepse çdo njeri rreth meje, gjatë kohës që po aplikoja, më thoshte që “është e pamundur, sepse njoh unë këtë student me 10 absolute (dhe unë nuk kisha 10 absolute) i cili nuk mori dot bursë, dhe është shumë e vështirë”, etj. gjëra të këtij tipi. Këto gjëra dhe mungesa e informacionit i pengojnë shumë studentë të talentuar shqiptarë që të aplikojnë për bursa jashtë shtetit. Unë doja që ta rregulloja këtë problem, duke u ofruar atyre ndihmë me informacion dhe kontakt direkt me studentë të tjerë shqiptarë të cilët kanë ikur jashtë me bursa dhe janë të gatshëm të ndihmojnë.

Ndërkohë, një projekt i vlerësuar edhe nga Vatikani; si ndiheni për këtë vlerësim?
Ndihem shumë mirë, sepse të kesh vlerësim nga “SDSN” dhe Akademia e Shkencave të Vatikanit e bën një projekt shumë më të besueshëm për zhvillim të mëtejshëm.

Cilat janë ambiciet tuaja, çfarë do të bëni tani?
Ambicia ime për ASE dhe ISE si në Shqipëri, edhe në vende të tjera në zhvillim, është të mundësoj krijimin e një gjenerate liderësh akademikë të cilët do të vazhdojnë të ndihmojnë njëritjetrin edhe pa qenë nevoja e ASE ose ISE. Për shembull, pesë vite nga tani, ASE do të drejtohet nga studentët që po ndihmojmë ne për bursa tani, të cilët do të ndihmojnë studentë të tjerë shqiptarë në të ardhmen. Krijimi i një “qarku lidershipi dhe vullnetarizmi”. Ambicia personale për momentin është të iki në një universitet që do të më pëlqejë, dhe të vazhdoj me projektet e mia në sektorin publik.

Sa gjetët mbështetje në iniciativën tuaj në Shqipëri?
Ministrja e Inovacionit, znj. Milena Harito ka qenë personaliteti më i gatshëm për ndihmë që në fillimet e iniciativës, edhe pse nuk na është dashur ndonjë gjë në dy-tri vite ekzistencë. Iu jam drejtuar shumë organizatave dhe organeve të tjera të ndryshme në Shqipëri, por nuk ka pasur rezultat.

Po jashtë Shqipërisë?
Komuniteti i Leysin American School – mësues dhe shokë – ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga mbështetësit më të mëdhenj të ASE dhe çdo projekti tjetër që unë merrem. Ndërkohë, nuk ka pasur ndonjë mbështetje tjetër, sepse nuk është dashur.

Mendoni se ju ka ndihmuar studimi juaj në një nga shkollat më të mira në Zvicër?
Patjetër! Në Leysin American School, ku ka studentë nga më shumë se 60 vende të botës, na mësojnë që kurioziteti intelektual dhe akademik, të folurit me vepra e vullnetarizmi janë rrugët më të mira për të siguruar një të ardhme më të mirë për të gjithë. Këto ide më inspiruan të krijoj “ASE”, dhe shumë projekte të tjera.

Si e shikoni nivelin e arsimit në Shqipëri?
Ka shumë ngarkesë të pavlerë në lëndët mësimore. Mbaj mend që më është dashur të memorizoj qindra fakte të thata si “densiteti i popullsisë në Senegal” etj., nga të cilat tani nuk mbaj mend asnjë gjë. Për më tepër, mendimi i nxënësit nuk merrej në konsideratë dhe mungonte debati në klasë. Për çfarë do t’ju shërbejë ky projekt? Për të dhënë kontributin tim në Shqipëri, dhe, si shqiptar, për të dhënë kontributin tim në zhvillimin e vendeve të varfra. Leysin American School më ndihmoi mua, dhe unë dua të bëj të njëjtën gjë – është më e pakta.

E mendoni të ardhmen në Shqipëri?
Ndoshta në një të ardhme të largët, por me situatën e tanishme politike, sociale dhe ekonomike e kam shumë të vështirë ta mendoj. Gjithsesi, të ardhmen për Shqipërinë e mendoj në çdo kohë dhe me çdo projekt që merrem, si në Shqipëri, edhe jashtë saj.

Kush është jeta e Besartit në të përditshmen?
Është pak e vështirë ta them, sepse gjatë muajve të fundit kam qenë në udhëtim gjatë shumicës së kohës, dhe dita ka variuar në bazë të punës që kam pasur. Zakonisht, çohem herët, bëj 10 minuta meditim, bëj stërvitje, dhe pastaj ulem të lexoj lajmet e ditës. Më pas shikoj axhendën për të kujtuar detyrat e ditës dhe detyrat e muajit si dhe për të parë ecurinë e projekteve të ndryshme. Mundohem të punoj rreth 5-6 orë në ditë. Tani që jam në Shqipëri, shumë nga këto orë kalojnë me konsulta të “ASE”. Rreth një orë në ditë ia dedikoj leximit të një libri që nuk ka të bëjë me punët e mia – tani për shembull po lexoj “The Social Animal” nga David Brooks. Kjo më ndihmon shumë me çdo gjë tjetër. Atë pak kohë që ngelet, e kaloj me miqtë dhe familjen.

Çfarë keni ndryshe nga moshatarët tuaj?
Nuk do të thosha që kam ndonjë gjë ndryshe nga moshatarët e mi. Kam pasur shumë fat që më është edukuar etika dhe vlera e punës nëpërmjet arsimit në Zvicër. Ky arsim më bëri të kuptoj që, nëse kam thjesht vullnetin që të ulem, lexoj dhe punoj, çdo gjë është e mundur. Kjo është ajo që unë dua të ndaj me moshatarët e mi, si në Shqipëri, edhe jashtë – vlera e etikës së punës.
(Vippages/Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb