Nga ENIDA HIMAJ*

Përmbytjet e ditëve të fundit duket se kanë mobilizuar edhe personazhet e famshme. E ndërsa disa zgjedhin të japin kontributin e tyre me zhurmë mediatike, Besart Kallaku ka zgjedhur të bëjë bamirësi pa shumë bujë. Fillimisht habitet për faktin sesi e morën vesh ndihmën që ai ka dhënë për të përmbyturi në jug, e më pas modestisht rrëfen se ka dhënë gjithçka sa ka mundur që të lehtësojë disi situatën. Veçmas ndihmës së bashku me djemtë e Fushë-Krujës, ‘Gjini’ ka nisur dhe një kamionçinë me ushqime për bagëtitë në jug të vendit.

Djaloshi shumë i dashur për publik rrëfen se gjithmonë i ka pëlqyer të jetë në krah të atyre që ka nevojë. Një marrëdhënie shumë të mirë ka edhe me fëmijët, ndaj dhe shumë shpesh jeni ndeshur me fotot e tij dhe të të fejuarës, Xhensila, teksa vizitojnë fëmijët e Shtëpisë së Foshnjës. Megjithatë, ai rrëfen se për çiftin simpatik është ende herët për të pasur një fëmijë në familje.

Pak ditë më parë keni bërë bamirësi në zonat e përmbytura të Shqipërisë, si u bëtë ju pjesë e kësaj nisme?

Gjithçka nisi nga miqtë e mi në Fushë-Krujë. Mora vesh se ata ishin mbledhur për të dhënë ndihma për të përmbyturit e ditëve të fundit. Nuk ngurrova për të dhënë dhe unë kontributin tim në këtë kauzë. Natyrisht, duhet thënë se dhashë aq sa pata mundësi. Shpresoj shumë që ndihma ime të shërbejë për diçka. Më pas marr vesh që duhej urgjent dhe ushqim për bagëtinë që kishte shpëtuar. Unë vetë kam nisur një kamionçinë në këto zona për të përballuar disi situatën e krijuar, e sidomos me kafshët.

Kjo nuk është hera e parë për ju që bëni bamirësi…

E drejtë është. Edhe vjet isha në ndihmë të të përmbyturve në Shkodër. E kuptoj që nuk mund të ndryshoj asgjë me çfarë jap, por kontributi im, kontributi i kujtdo është një ndihmë e madhe. Ndjehem mirë kur me aq mundësi sa kam, bëj diçka për njerëzit në nevojë. Nuk më ka pëlqyer asnjëherë të shprehem në media sa i përket bamirësisë që bëj, nuk e di se nga e keni marrë vesh edhe ju. Është diçka shumë personale, është një ndjesi e imja.

Ju që ishit aty dhe e patë situatën nga afër, a ishte vërtet aq e rëndë sa është thënë?

Kjo është një pyetje shumë e vështirë. Nuk di të them sesi ishte situata. Unë nuk pata mundësi të shkoja deri në zonat më të dëmtuara, ishte e pamundur. Ajo që mund të them me bindje është se njerëzit kishin humbur shumë gjatë këtyre përmbytjeve.

Ndodh shpesh që personazhet e famshme bëjnë bamirësi dhe i pasqyrojnë në media, ç’mendim keni ju rreth kësaj?

Fillimisht, nuk më pëlqen ta fus veten te VIP-at. E thashë edhe më lart, gjithnjë kam qenë aty ku të tjerët kam pasur nevojë për mua. Nuk flas vetëm për bamirësi, por edhe miqtë apo të afërmit e mi. Personalisht kam një shprehje që edhe e përdor shpesh rreth kësaj. Bamirësinë nuk e bëj për sytë e njerëzve, por për sytë e Zotit. Nëse ke në dorë të bësh diçka, nuk ka pse kjo të reklamohet si vlerë e jotja. Ndaj dhe gjithçka kam preferuar ta mbaj larg vëmendjes mediatike.
Mendoni që kur një personazh publik bën bamirësi, shërben si një shembull edhe për njerëzit e tjerë?
Ndoshta është kështu. Megjithatë, në rastin tim dua të them se iniciativën e morën djemtë e Fushë-Krujës. Ishin ata që me Besin apo pa Besin do të shkonin pranë njerëzve në nevojë. Unë vendosa të bëhesha pjesë e këtij grupi me shumë kënaqësinë. Ishin ata që në rastin konkret më tërhoqën dhe mua në ndihmat që nisën. Nuk ka pse asnjë personazh të shërbejë si shembull, të paktën për situata të kësaj natyre.

Meqenëse jeni aktor humori, a do të flisni për temën e përmbytjeve edhe në “Portokalli”?

Është ende herët për të thënë nëse do ta bëjmë pjesë të skenarit apo jo. E vërteta është që ne trajtojmë shumë tema aktuale për publikun, natyrisht që në një show humori do t’i japin dhe ngjyrat e duhura. Megjithatë, mesazhi mbetet i pandryshuar. Evidentojmë pjesën ku çalon dhe e sjellim për publikun. Kështu do të ndodhë edhe nëse vendosim ta kemi këtë temë te “Portokalli”. Do të sjellim për fansat pjesët se ku shkoi keq e gjitha kjo.

Si po shkojnë përgatitjet, a do të kemi surpriza këtë vit në “Portokalli”?

Portokallia është e gjitha një surprizë këtë vit, ashtu si dhe vitet e tjera. Po përgatitemi për sjellë energji të reja dhe shumë humor sezonin e ri. Gjithçka po ecën më së miri.

Ju kemi parë edhe në Shtëpinë e Foshnjës së bashku me Xhensilën, si i keni marrëdhëniet me fëmijët?

Para pak kohësh isha me Xhensilën për t’i vizituar ata fëmijë të mrekullueshëm. Shkoj shpesh në fakt dhe më pëlqen të rri me ta. Janë disa krijesa aq të vogla dhe të mrekullueshme. Dëshiroj që të mos i mungojë asgjë, edhe pse e di që unë s’mund t’ua plotësoj gjithçka. Me fëmijët kam një marrëdhënie të mrekullueshme. I adhuroj dhe ndjehem dhe unë i tillë kur jam pranë tyre.

Mos ndoshta ka ardhur momenti për një fëmijë me Xhensilën, diçka të re nga kjo pjesë?

Jo, jo nuk ka asgjë të re nga kjo anë të paktën. Me Xhensilën po shkon mirë e më së miri, po e shijojmë lidhjen dita-ditës. Natyrisht që ëndërroj një familje të madhe dhe të shëndetshme, por mendoj se ka ende kohë për këtë.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: