NGA: SOKOL ÇUNGA
Në artikullin “Ateizmi i sajuar i Fan Nolit”, i botuar më dt. 9 janar 2017 në “Gazeta Shqiptare”, znj. Ledi Shamku-Shkreli mëton të interpretojë një fjalë të Fan Nolit, të cilën ky i fundit e shkruan në një letër drejtuar Athanas Tashkos, më 9 korrik 1906. Fan Noli shkruan: “Perëndisë, që s’e mbesonj, i-arthtë keq”. Letra në fjalë është botuar në Athanas Tashko (1863-1915), Tiranë, 2015, fq. 346, me autor Eno Koço. Sipas analizës filologjike të znj. Shamku-Shkreli, kur Noli shkruan “mbesonj”, është duke thënë “qortoj”, e cila e ka prejardhjen nga “mësoj”. Kështu, Noli nuk po thotë “nuk besoj Perëndinë”, por “nuk qortoj Perëndinë”. Keqkuptimi i “mbesonj” si “besoj”, sipas gjuhëtares, ndodh për shkak të mosdijes së “dyshuesit” që e pati publikuar në Facebook, dhe të mënyrës së përciptë me të cilën studiohen poezitë e Nolit në shkollat e tona. Pavarësisht se i nënshkruari nuk është përmendur me emër në artikull, ndjehet përgjegjës t’u dalë për zot atyre që shkruan, paçka se i ka shkruar në rrjetin shoqëror Facebook, si dhe të përgjigjet, atëherë kur sheh se ndodhin shtrembërime, sa të shkencës, aq edhe të arsyes së thjeshtë, nga pena e një gjuhëtareje të ndjerë.

Na u duk vërtetë e çuditshme kapërcimi nga “mbesonj” e Nolit tek “mbsuame” e Matrangës, tek “mbesuom” e Buzukut, tek “mbëtsonj” e Meyer-it, për të dalë tek “qortoj”, siç do ta kishte shkruar drejt Noli, po të kishte marrë mendjen e znj. Shamku-Shkreli… Gjuhësia nuk është profesion yni. Sidoqoftë, me gjuhën dhe prej gjuhës çojmë përpara punën tonë të përditshme. Prandaj, më shumë për të vërtetuar se autorja e mësipërme ka të drejtë, dhe më pak për të drejtësuar veten, hodhëm sytë në ca burime të tjera, të cilat, çuditërisht, znj. Shamku nuk i merr asfare parasysh. Janë Fjalor Shqip-Greqisht i Konstandin Kristoforidhit (përgatitur për botim nga Prof. Aleksandër Xhuvani, Tiranë, 1961), Studime etimologjike në fushë të shqipes, bleu II, A-B (Eqerem Çabej, Tiranë, 1976) dhe Fjalëtore Shqip-Gërqisht, Gërqisht-Shqip i Thimi Mitkos (përgatitur për botim nga Dr. Dhori Qirjazi, Tiranë, 2014).

Nga bibliografia e mësipërme, pamë se analiza e znj. Shamku-Shkreli nuk është themeluar fort mirë në burime. Në fjalorin e Kristoforidhit, nën zërin “besonj”, autori shton edhe: “mbesoj” (e përdorur në Elbasan dhe Berat), dhe “mbesonj” (fq. 50). Në fjalorin e Thimi Mitkos, nën po atë zë, “besonj”, autori thotë: “besoMnj” dhe “mbesMnj”. Të dy zërat e të dy fjalorëve pasohen nga përkthimi i tyre gjegjës në greqisht:  (besoj). Është, vallë, e arsyeshme, shkarangjitja nga “mbesonj” e Nolit, te “qortoj” e nuk-di-se-kujt, duke shpërfillur ata autorë që Noli i ka më pranë në kohë, me gjuhën e të cilëve është dhe shumë më afër?

Dimë se Theofan Mavromati lindi në Ibrik-Tepe (Qytezë), pranë Adrianopojës (Edrenesë në Turqinë e sotshme). Prindërit e tij e kishin prejardhjen nga Qyteza e Kolonjës, zonë e cila përdor një formë tipike të toskërishtes, e cila nuk komunikonte lehtë me dialekte të tjera, si, fjala vjen, e folmja e Elbasanit me gegërishten. Ndërkaq, Noli ka mësuar të artikulohet qartë shqip në moshë jo të vogël; ndonëse shqipen e ka gjuhë mëme, nuk e ka pasur gjuhë djepi. Arsimin që pati para se të mërgonte në Greqi, Egjipt dhe ShBA, e kreu në shkollë greke, pra, greqisht, kurse shqipen e mësoi mes shqiptarëve të Perandorisë Osmane, të Greqisë e mes mërgimtarëve të Egjiptit, të cilët ishin, në pjesën më të madhe, toskë. Pra, ç’lidhje ka Noli 24 vjeçar (aq sa ishte më 1906) me “mbesuom” në gegërishten e Buzukut, përveç faktit se që të dy flisnin dhe shkruanin shqip?

Ndërkohë, lidhjen me gegërishten e motmotshme, që përpiqet të bëjë znj. Shamku-Shkreli, ndoshta duhet ta drejtojë diku tjetër, jo tek Buzuku, por tek Budi, siç na e jep prof. Çabej tek Studime etimologjike, tek zëri “besë” (bleu II, fq. 205), ku lexojmë: “unë ashtu ende mbesonj, e mirë e z besë” dhe “të mbesuomitë” (“besomja”, “kredoja”). Pse duhet t’i vëmë Nolit një fjalë që nuk e ka thënë (“qortoj”), teksa kemi një fjalë të cilën e shkruan njësoj si ai, edhe Pjetër Budi tek Doktrina e Kërshtenë?

Shkak i këtij debati në distancë u bë teksti i letrës së sipërpërmendur, të cilën i nënshkruari e publikoi në rrjetin shoqëror Facebook, më dt. 6 janar, që është ditëlindja e Fan Nolit, nën jehonën e një dokumenti tjetër të mëparshëm, postuar më herët po atë ditë. Dokumenti i parë është një raport i Konsullatës së Greqisë në Boston për Ambasadën e Greqisë në Uashington, botuar në greqisht në: , , 1897-1918, , 1995 (Helenizmi i Epirit të Veriut dhe Marrëdhëniet Greko-Shqiptare, Vëllimi I, 1897-1918, botuar nën kujdesin e Vasileios Kondis, Athinë, 1995, dokumenti nr. 221, fq. 362). Në gjuhën shqipe raporti është botuar i përkthyer në shqip nga Sokol Çunga, më dt. 6 janar 2017, në rrjetin shoqëror Facebook. Në këtë raport, të datës 20 gusht 1915, veç informacioneve të tjera, bie në sy mbiemri “ateist”, që përdor Konsullata për Nolin (për më shumë, shih: “Gazeta Shqiptare”, dt. 7 dhe 9 janar 2017. Korrigjojmë se dokumenti nuk është botuar në ndonjë vëllim nga Prof. Asoc. Dr. Ledia Dushku.)
Pra, thelbi i pyetjes fillestare ishte: “a ishte ateist Fan Noli”? Çështja është më e gjerë se analiza gjuhësore e një fjale. Brenda kontekstit të një letre personale, letër të cilën Noli, ndoshta, nuk e ka menduar kurrë se do të bëhej publike, teksa ia dërgonte mikut të zemrës dhe bashkëpunëtorit bujar, Athanas Tashkos, Noli pohon në shqipe mëse toskërishte se nuk e beson Perëndinë. Në vitet 1906-7, në letrat drejtuar po Tashkos, Noli përmend disa herë admirimin e tij për Niçen dhe Zarathustrën, dhe përbuzjen për religjionin. Diku thotë edhe, qartazi: “S’kini turp, i thashë, të mbëlithni para për kishëra? Po s’blini më mirë bomba dhe dinamit dhe t’i hithni në erë ato që na mbanin të verbër gjer tashti? O burrani, Rroftë Nichja!” (Athanas Tashko, fq. 347). Kurse më tutje, tek i përshkruan Tashkos mundimet e përkthimit të shërbesave fetare për Kishën Orthodhokse, duke mos përjashtuar as Krishtin, as Niçen, thotë: “M’u-nxi shpirti nga këto kthime, se janë jo vetëm të vështira e të zorçime, po edhe të mërzitura fort. Po këtë e di vetëm unë. Të tierët lëshojnë buzët kur u them që duhen shtypur. Po durim. Kështu thotë Krishti dhe Nietzsche-ja. Që të dy janë më një mendje mi këtë çështje” (Athanas Tashko, fq. 379).

A kishte gjasa që Kryebariu Niçean të ishte ateist? A kishe gjasa që Theofani-Zarathustra (siç vetëquhet në letrat e tjera drejtuar A. Tashkos, fq. 339-387) të ishte Kryeprift? Në kohët e sotshme nuk është e udhës të merremi me çështjet personale të individëve, qofshin këta edhe të vdekur të gjallë, si Noli. Ishte më shumë ithtar i Krishtit, apo i Zarathustrës, ky është kryekëput vendim i Nolit, vendim i cili nuk e zbeh aspak figurën e tij, madje, e bën edhe më interesante. Kontributi Nolian mbetet i palëkundur, në shumë fusha të jetës shoqërore të shqiptarëve, por, së shumti, në përkthime dhe letërsi. Kjo, ndërkohë, nuk do të thotë se dritëhijet e një karakteri kompleks, si Noli, nuk duhen shqyrtuar apo duhen fshehur. Revolucionari i ndriçuar Theofan nuk do ta pranonte, teksa ai vetë nuk ua fshehu miqve të tij. Kryebariu i mirë, por edhe Kryedyshuesi Niçean, me një heshtje prej Zarathustre, padyshim se do ta kishte vënë ironikisht buzën në gaz, teksa shikon jo studentë të shkollave, por shkencëtarë e pedagogë të shkollave tona, që me demagogji dhe pa moral shkencor, rreken të bëjnë analiza filologjike, sikur të shkruanin trill letrar.
*Arkivist-paleograf, në Sektorin e Dokumentacionit deri në përfundimit të LIIB, Arkivi Qendror Shtetëror.
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: