Nga: FATMIRA NIKOLLI*

TIRANE- Një përplasje ka ndodhur dje në kishën e Shën Thanasit në Dhërmi, mes INUV-it dhe komunitetit ortodoks si dhe përfaqësuesve të OMONIA-s. Shkak për këtë është bërë rikonstruksioni i kishës, ndërsa në këtë pikë palët janë të paqarta. Objekti, njëherësh edhe kulti edhe historik, është kthyer në mollë sherri, pasi rikonstruksioni dhe rindërtimi i saj duket të ketë qenë pa leje. Ndërsa këshilltari i kryeministrit për urbanistikën, Artan Shkreli, pretendon se kisha me histori të vjetër është dëmtuar për shkak të rindërtimit e betonizimit, vetë Kisha Ortodokse pretendon për dëbim të besimtarëve dhe shkelje të ligjit.

Në një status në rrjetin social “Facebook”, Artan Shkreli shkruante dje: “Kisha historike e Shën Thanasit në Dhërmi, fatkeqësisht pëson deformime nga rindërtimi pa leje, duke detyruar INUV-in e Himarës të ndërhyjë. Kontestimi antiligjor dhe i paarsyeshëm që OMONIA po i bën ndërhyrjes së policisë ndërtimore, ka të bëjë me faktin se injorojnë historinë e këtij vendi.”

Pos të tjerash, në këtë kishë u varros edhe misionari Nilo Katalano. “Aty është varrosur braziliani Nilo Katalano, që hapi shkollat e para shqipe”, – nënvizon Shkreli.

Katalano lindi afër Mesinës në Sicili dhe ka shërbyer si misionar në krahinën e Himarës në bregdetin e Shqipërisë jugore, ashtu si dhe bashkatdhetari i tij Neofit Rodino. U emërua kryepeshkop i Durrësit dhe famullitar apostolik i Himarës më 1693-shin dhe vdiq një vit më pas më 3 qershor. Dihet gjithashtu se u ka dhënë mësim të gjuhës shqipe arbëreshëve të Munxifsit. Objekti ka qenë Monument Kulture. Pyetja jote e madhe duhet të jetë: Pse nuk ndërhyn Instituti dhe Ministria për një objekt kaq të rëndësishëm për historinë e kulturës kombëtare. Për çfarë i paguajmë taksat tona?

REAGIMI I PLOTË I KISHËS DJE
Sot (dje) dt. 20 gusht 2015, në qytezën e Dhërmiut, në Himarë, komuniteti lokal i besimtarëve orthodhoksë, në periudhën festive të së Kremtes së Tërëshenjtës Mari, u provokua nga një incident i rëndë, shkaktuar nga struktura të pushtetit lokal me mbështetjen e organeve të rendit. Në mënyrë të befasishme, punonjës të Bashkisë Himarë shkuan në kishën e Shën Athanasit, hoqën ikonat dhe sende të tjera të shenjta dhe nisën ta shkatërronin atë. Këto veprime u bënë pa dijeninë e Komunitetit Orthodhoks, pa asnjë njoftim paraprak dhe pa asnjë dokumentacion ligjor. Sapo ky veprim u bë i njohur, besimtarë bashkë me klerikun shkuan në kishë, protestuan, ndërhynë dhe e ndaluan shkatërrimin e mëtejshëm. Ata shprehën indinjatën e tyre për këto akte flagrante dhe janë të gatshëm në çdo moment ta mbrojnë kishën e tyre nëse do të ritentohet të shembet ky vend i shenjtë. Edhe pasdite ata u mblodhën përsëri për të protestuar. Tentativa për të dëbuar besimtarët nga një kishë e tyre, pronë e Komunitetit Orthodhoks, është edhe më skandaloze po të mendosh se u bë në shkelje të të gjitha ligjeve të mundshme, fshehurazi dhe në mënyrë tinëzare. Ngjarja dëshmoi një mungesë të thellë të respektit ndaj besimit dhe komunitetit fetar, të ngjashëm me atë të sistemit ateist komunist, që shkatërroi kishën për herë të parë në vitin 1972 dhe gurët i përdori për të ndërtuar depon e ujit. Në vitin 1992, në vendin ku kishte qenë kisha e vjetër, banorët ngritën një kishë të thjeshtë, e cila ka 23 vjet që i shërben si vend adhurimi komunitetit. Por përsëri dikush po përpiqet ta shembë, si 43 vjet më parë! Ky veprim abuziv i disa punonjësve shtetërorë, përbën veç të tjerash edhe shkelje flagrante të Ligjit nr. 10057, 22.01.2009, “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë”, që garanton paprekshmërinë e vendeve të kultit dhe mbrojtjen e tyre nga shteti. Iniciativa të tilla abuzive private nën petkun zyrtar, duke iu nënshtruar interesave ogurzeza, duhen dënuar me forcë nga organet shtetërore, pasi cenojnë rëndë marrëdhëniet me komunitetet fetare. Aq më shumë që akte të tilla kanë ndodhur vetëm me objektet orthodhokse të kultit. Shpresojmë që në vazhdim, ata që u implikuan në këtë skandal, do të kuptojnë se kanë vepruar në mënyrë të gabuar dhe do të pendohen përpara Perëndisë dhe komunitetit për përdhosjen e një vendi të shenjtë dhe do të respektojnë ligjin.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: