Edicioni i Tetë i Bienales muzikore të Durrësit ka nisur mbrëmjen e kaluar sipas traditës me “Natën e Muzikës Baroke”.

Drejtori artistik i Festivalit, Florian Vlashi prezantoi Orkestrën Rinore, e cila interpretoi pjesë nga veprat e familjes Bach, Johan Sebastian, dhe Carl Filip Emanuel, përkatësisht Koncertin për dy violina dhe sinfonitë nr.3 dhe nr.5.

Nën drejtimin e violinistit Florian Vlashi dhe solistes Irina Nanushi, instrumentistët e rinj durrsakë e kaluan me sukses provën e vështirë, duke fituar duartrokitjet e publikut të pranishëm që mbushi hollin e teatrit “Aleksandër Moisiu” të qytetit bregdetar.

Koncerti i parë i Bienales 2017 iu kushtua pedagogut dhe violinistit Vaso Papa, i cili u nda nga jeta dy vjet më parë. Të rinjtë interpretuan “Lamento” nga Johan Cristof Bach, ndërsa gazetari Gëzim Kabashi lexonte kushtimin e shkruar nga Florian Vlashi për ish-mësuesin dhe mikun e tij artist.

Sot paradite në shkollën artistike “Jan Kukuzeli” po zhvillohet konkursi “Nata e Yjeve të Rinj”, në të cilin marrin pjesë nxënës instrumentistë të kësaj shkolle. Fituesi i konkursit bashkë me simbolin e përgatitur nga skulptori Kujtim Turkeshi do të fitojë të drejtën e një koncerti në Spanjë, vend ku jeton dhe punon që prej 25 vitesh familja Vlashi.

Gjatë këtij Edicioni janë programuar 8 koncerte radhazi në Katedralen “Shën Luçia” dhe në Muzeun Arkeologjik, ndërsa jashtë programit do të zhvillohen koncerte në Spitalin rajonal të qytetit, si dhe në Institutin e edukimit të Minorenëve në Kavajë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: