Edicioni i 11-të i festës së “Birra Korça”, do të përmbyllet sonte me pjesëmarrje rekord turistësh.
Shifra e pjesëmarrësve në këtë festë tashmë të kthyer në traditë, është shumë- fishuar këtë vit, aq sa në të gjithë hotelet e qytetit të Korçës, Pogradecit, por edhe në Dardhë e Voskopojë nuk kishte më vende në këtë fundjavë.

Nata e pestë e festës do të kulmojë me performancën në shesh të “tre muskëtierëve”, Aleksandër Gjoka, Elton Deda dhe Redon Makashi. Gjithashtu, sonte do të ndezin skenën edhe këngëtarë të tjerë, si Renis Gjoka dhe Urband Band, por do të ketë edhe serenata të njohura nga Vasillaq Niço.

Festa e Birres Korca (2)

Ndërkaq, mbrëmë skena gëloi nga muzika shqiptare dhe e huaj me këngëtarë të njohur si Devis Xherahu, Eugent Bushpepa, Gjergj Kaçinari, por edhe Meital Barzilay.

Ajo që binte në sy natën e mbrëmshme, ka qenë pjesëmarrja e mjaft turistëve të huaj, të cilët kërkonin “Birrën Korça”. Gjithashtu, gjatë ditës, turistët e informuar për birrën e këtij qyteti, kanë kërkuar të vizitojnë ambientet e fabrikës.

Festa e Birres Korca (4)

Ata u shprehën të impresionuar me fabrikën dhe teknologjinë e përdorur për prodhimin e saj. Ndërkaq, nuk ka munguar edhe konsumi nga birra e sapoprodhuar, por edhe shkrepje të pafundme fotosh, si kujtim në fabrikën e birrës. “Është fantastike të konsumosh birrën direkt nga fabrika.

Kjo birrë është mjaft cilësore dhe qyteti duhet të krenohet me të. Ne po na shijon shumë kjo birrë dhe festa që organizohet këtu”, u shpreh një turist francez. Dje në Korçë kanë qenë të pranishëm edhe disa ambasadorë, si ai i Spanjës, Vicente Canelles Montero, ambasadori i Çekisë, Jaroslav Ludva dhe ambasadori i Izraelit, Boaz Rodkin.

Festa e Birres Korca (3)

Gjithashtu, edhe ish-ambasadori i Greqisë në vendin tonë, Pandelis Karkabasis. Veçse kanë qenë në mbrëmje në festë, ku kanë shijuar “Birrën Korça”, ata kanë kërkuar gjithashtu të vizitojnë edhe ambientet e fabrikës së “Birra Korça”.

Sipas organizatorëve, sonte që përkon edhe nata e fundit e festës, përmbyllja do të jetë spektakolare. Numërohen qindra mijëra gota të “Birra Korça” të konsumuara në katër netët e para, birrë, e cila është cilësuar nga të pranishmit si mbretëresha e birrës shqiptare. /Panorama/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb