Kur mbërriti të enjten e kaluar në zyrë në orën 07:45 Shukri Xhelili nuk e dinte se ajo ishte dita e tij e fundit në detyrë në pozicionin e kryetarit të Bashkisë së Dibrës.

Dita e enjte ka qenë me një ngarkesë normale për Xhelilin, me pritje dhe takime, biseda me vartësit dhe firmosje dokumentesh, shkruan panorama.al. Ai është larguar nga zyra rreth orës 12 për disa takime pune dhe më pas nuk është kthyer më.

Deri në orën 21:00 gjithçka ka qenë rutinë për kryetarin e Bashkisë. Pikërisht në këtë orë në telefonin celular të Xhelilit ka mbërritur një telefonatë nga një miku i tij i cili i ka thënë “kryetar hape televizorin te Ora News, ka një intervistë për ty”.

Mësohet se Shukri Xhelili dhe bashkëshortja e tij kanë qenë bashkë në shtëpi kur ka nisur të transmetohet videoskandali ku kryebashkiaku deri atë natë në detyrë çonte në hotel një 20 vjeçare pasi i kishte firmosur kontratën e punës.

Siç tregon edhe sot Tefta Xhelili në intervistën ekskluzive për Gazetën Panorama, pas videos ajo jo vetëm që nuk e ka dënuar burrin e saj, por i ka dalë në krahë.

“Natën e publikimit të videos këtë ua thashë edhe autoriteteve të Policisë e Prokurorisë. Madje, Shukes iu drejtova me fjalët: “Ngrije kokën lart. Do të më kesh në krah deri në vdekje”. Divorcin me
Shuken as e kam menduar dhe jo më të bëhet pjesë e jetës sime”, tregon Tefta.

Po reagimi i Shukriut natën e videoskandalit cili ka qenë?
Bashkëshortja e tij thotë se burri i saj i ka kërkuar ndjesë në një farë mënyrë.
“Ai më ka thënë disa herë “e di që të kam vënë në siklet”. Siç e thashë, do të jem në krah të tij. Unë prej ditës së parë kam menduar të prononcohem në media, por më pas jam dakordësuar me bashkëshortin që kjo të bëhej në një moment tjetër”.

Pak pas transmetimit të videos ata kanë dalë të dy bashkë nga shtëpia dhe janë nisur për të dhënë sqarime në polici dhe prokurori. E nesërmja, ditë e premte, nuk ishte e zakonshme për familjen Xhelili.
As burri dhe as gruaja nuk kanë shkuar në punë, por kanë pritur njerëzit që i kanë ardhur për vizitë.
Pak orë më vonë kryebashkiaku ka marrë edhe lajmin e shkarkimit nga detyra me firmë të kryeministrit Rama.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: